A ka president Zvicra?
Republika e Zvicrës është një ndër shtetet me më së shumti emigrantë nga Kosova. Edhe qytetarët që jetojnë në Kosovë dhe s'kanë qenë asnjëherë në Zvicër e dinë se cila është valuta monetare, gjuha që flitet më së shumti dhe shumë gjëra të tjera. Por, a e dinë shqiptarët se a ka president Zvicra apo jo?
Përderisa shumë shtete e përcaktojnë me kushtetutë se janë republika parlamentare ose (gjysmë) presidenciale apo ndjekin ndonjë model krejt tjetër, Zvicra nuk është e prerë në këtë drejtim dhe e ndjek një sistem shumë të veçantë, që njihet si "sistem direktorial". Ky i fundit konsiderohet shpikje franceze, por disa ia atribuojnë Kushtetutës së Pensilvanisë (1776). Sidoqoftë, ky sistem nënkupton një republikë ku vendi qeveriset nga disa njerëz, të cilët e ushtrojnë pushtetin e kreut të shtetit dhe/ose qeverisë në mënyrë të përbashkët.
Pikërisht zgjedhja e këtij modeli e bën Zvicrën një vend atipik, që s'mund të klasifikohet plotësisht si republikë parlamentare (megjithëse graviton më shumë kah kjo) as gjysmë-presidenciale dhe as presidenciale.
Ignazio Cassis mund të jetë emër i panjohur, por ai është hiç më pak se President i Zvicrës.
Kushtetuta e Zvicrës e njeh formalisht presidentin në nenin 176. Por, si qëndron puna me aspektin praktik?
Pikërisht për shkak të sistemit që u përmend më sipër, presidenti në Zvicër nuk është president tipik. Zvicra qeveriset nga Këshilli Federal, që është një organ kolegjial 7-anëtarësh, me funksion ekzekutiv. Ata zgjedhen nga organi legjislativ për një mandat 4-vjeçar dhe udhëheqin në mënyrë të ndarë sektorët si drejtësia, shëndetësia, sporti, kultura, etj. Pra, anëtari i Këshillit Federal e luan rolin e ministrit për sektorin e caktuar. Në mesin e këtyre shtatë anëtarëve, njëri zgjedhet president për një mandat 1-vjeçar dhe e ushtron atë rol, përkundër faktit që praktikisht është i barabartë me anëtarët e tjerë. Për këtë shkak përdoret shprehja "primus inter partes" (i pari në mesin e të barabartëve) për ta përshkruar presidentin në Zvicër.
Një mekanizëm i tillë ekziston për ta ruajtur diversitetin ekzistues në Zvicër, që është edhe njëra ndër arsyet pse Zvicra është neutrale edhe në politikën e jashtme.
Siç dihet, popullsia e Zvicrës është heterogjene në kuptim të gjuhës, besimit, traditave dhe specifikave të tjera, andaj, për ta ruajtur harmoninë ndërmjet këtyre grupeve, Këshilli Federal përbëhet prej pjesëtarëve të partive të ndryshme, që në njëfarë mënyre përfaqësojnë më për së afërmi grupet specifike në Zvicër dhe presidenti zgjedhet me rotacion, në mënyrë që asnjëri grup të mos përfaqësohet shumë gjatë dhe kështu të eliminohet çfarëdo epërsie e një grupi ndaj grupeve të tjera.
Pra, Zvicra ka president. Megjithatë, ai është atipik dhe s'ka më shumë pushtet se anëtarët e tjerë të Këshillit Federal.