A do të mbetet Izraeli vetëm: Sot votohet rezoluta e Këshillit të Sigurimit për Gazën, s’dihet qëndrimi i ShBA-së - NACIONALE

A do të mbetet Izraeli vetëm: Sot votohet rezoluta e Këshillit të Sigurimit për Gazën, s’dihet qëndrimi i ShBA-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet që të martën të votojë për një rezolutë të sponsorizuar nga vendet arabe me të cilën bëhet thirrje për ndalje të armiqësive në Gaza, pasi votimi i saj u shty të hënën pasdite për ta shmangur veton e re të ShBA-së.

Organi i rëndësishëm ndërkombëtar tha se votimi i planifikuar për të hënën në orën 17 u shty deri të martën në mëngjes dhe disa diplomatë thanë se po zhvilloheshin bisedime për t’i bindur Shtetet e Bashkuara, aleatet më të ngushta të Izraelit, që të abstenojnë ose ta përkrahin rezolutën, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Draft-rezoluta që ishte në tavolinë të hënën në mëngjes bënte thirrje për “ndërprerje urgjente e të qëndrueshme të armiqësive” në Gaza”, “lirim të menjëhershëm e të pakushtëzuar të të gjitha pengjeve” dhe lejim të qasjes së papenguar të shpërndarjes të ndihmave humanitare te civilët në Gaza që kanë nevojë për ushqim, ujë e ilaçe.

Megjithatë, kjo gjuhë pritet të zbutet dhe të përdoret shprehja “pezullim” i armiqësive ose gjuhë e ngjashme për ta siguruar përkrahjen e ShBA-së, thanë diplomatët, duke folur në kushte anonimiteti për shkak se diskutimet kishin qenë private.

Njësoj si rezoluta që ishte bllokuar me veto nga ShBA-ja më 9 dhjetor, as në draftin e ri nuk përmendet në mënyrë të saktë Hamasi, por dënohen “të gjitha sulmet pa dallim kundër civilëve”.

Rëndësia e një rezolute të Këshillit të Sigurimit është se ky dokument është ligjërisht i detyrueshëm, por, në praktikë, shumë palë vendosin që t’i shpërfillin kërkesat e këtij organi për veprim. Në anën tjetër, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk janë ligjërisht të detyrueshme, edhe pse janë matëse të rëndësishme të opinionit botëror.

Më 9 dhjetor, Shtetet e Bashkuara bllokuan me veto një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që ishte përkrahur nga pothuajse të gjithë anëtarët e tjerë të këtij organi. Me atë draft kërkohej armëpushim i menjëhershëm humanitar në Gaza.

Më 12 dhjetor, në Asamblenë e Përgjithshme u miratua me përkrahje dërrmuese një rezolutë e ngjashme. 153 shtete e përkrahën atë rezolutë, vetëm 10 të tjera e kundërshtuan, ndërsa 23 vende abstenuan.

Lajme të ngjashme