Përderisa Ukraina po humb ushtarë, edhe sa mund ta vazhdojë luftën? - NACIONALE

Përderisa Ukraina po humb ushtarë, edhe sa mund ta vazhdojë luftën?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Posa e përfunduan varrosjen e një koloneli të vrarë nga sulmet ruse, punëtorët e varrezave e përgatitën varrin tjetër. Vështirë që gropa e zbrazët të mbetet e tillë për kohë të gjatë, duke marrë parasysh se sa shpejt po i pret vdekja ushtarët ukrainas në vijën e frontit.

Associated Press

Koloneli Oleksandr Makhachek i la pas vetes bashkëshorten, Elenën, dhe bijat Olenën dhe Myroslava-Oleksandrën. Në 100 ditët e para të luftës, varri i tij ishte i dyzeti që u hap në varrezat ushtarake në Zhitomir, rreth 140 kilometra në perëndim të Kievit.

Ai u vra më 30 maj në rajonin e Luhanskut, në lindje të Ukrainës, ku po ashpërsohen luftimet. Afër varrit të tij shihej një varr tjetër, i hapur rishtazi për ushtarin Viacheslav Dvornitskyi, i vrarë më 27 maj. Edhe në varret e tjera të ushtarëve shihen data të vonshme, të afërta me njëra-tjetrën: 10, 9, 7 dhe 5 maj. Por kjo është vetëm një varrezë, në vetëm njërin nga qytetet ukrainase, ku varrosen ushtarët.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha këtë javë se Ukraina është duke humbur 60 deri në 100 ushtarë në ditë në luftime. Sa për krahasim, pak më pak se 50 ushtarë amerikanë kishin vdekur mesatarisht në ditë gjatë vitit më vdekjeprurës të Luftës së Vietnamit më 1968.

Për ta nderuar kolonelin e vrarë, pjesëmarrës në varrim ishte edhe Gjenerali Viktor Muzhenko, që deri më 2019 ishte komandat i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase. Ai paralajmëroi se humbjet mund të përkeqësohen.

“Ky është njëri nga momentet kritike në luftë, por nuk është kulmi. Ky është konflikti më i rëndësishëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo shpjegon se pse humbjet janë kaq të mëdha. Për t’i zvogëluar humbjet, Ukraina tani ka nevojë për armë të fuqishme që krahasohen ose që edhe i tejkalojnë armët ruse. Kjo do t’i mundësonte Ukrainës që të kundërpërgjigjej njësoj”, tha ai.

Grumbujt e artilerisë ruse po shkaktojnë shumë nga viktimat në rajonet lindore, në të cilat Moska është përqendruar që nga dështimi për ta marrë Kievin.

Gjenerali amerikan i dalë në pension, Ben Hodges, ish-komandant i forcave amerikane në Evropë, tha se këto pasoja në njerëz do të vazhdojnë derisa Ukraina t’i marrë armët e premtuara amerikane e britanike për t’i prishur dhe shkatërruar bateritë ruse.

“Kjo fushëbetejë është shumë më shumë vdekjeprurëse se ajo me të cilën ishim mësuar gjatë 20 viteve në Irak e Afganistan, ku nuk kishim këso shifra”, tha ai në një intervistë përmes telefonit për agjencinë “Associated Press”.

Ukraina kishte rreth 250.000 burra e gra në ushtri dhe ishte në proces të shtimit të 100.000 të tjerëve. Qeveria ukrainase nuk ka treguar se sa prej tyre kanë vdekur në luftën që ka nisur para më shumë se 14 javëve.

Askush nuk e di vërtet numrin e civilëve ukrainas që janë vrarë ose sa luftëtarë kanë vdekur në secilën anë. Pretendimet për pasoja në njerëz nga zyrtarët qeveritarë – të cilët, nganjëherë, mund t’i ekzagjerojnë ose minimizojnë shifrat për arsye të marrëdhënieve me publikun – është pothuajse e pamundur që të vërtetohen.

Analistët perëndimorë vlerësojnë se Rusia ka humbur shumë më shumë ushtarë. Sidoqoftë, përderisa shtohen humbjet e Ukrainës, matematika e zymtë e luftës kërkon që vendi të gjejë zëvendësime. Me popullsi prej 43 milionë banorësh, Ukraina ka fuqi njerëzore.

“Probleme janë rekrutimi, trajnimi dhe vendosja e tyre në vijën e frontit. Nëse lufta tash po shkon nga përpjekja afatgjatë për shkatërrim, atëherë duhet të ndërtosh sisteme që të marrësh zëvendësime. Ky ka qenë moment i vështirë për secilën ushtri në luftime”, tha koloneli i pensionuar amerikan, Mark Cancian, tani këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington./Nacionale

Përktheu: Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme