Raportohet për pesë të vrarë e arrestime gjatë një operacioni izraelit në Bregun Perëndimor - NACIONALE

Raportohet për pesë të vrarë e arrestime gjatë një operacioni izraelit në Bregun Perëndimor

1 javë më parë

nga NACIONALE

Pesë persona janë vrarë gjatë një ofensive të ushtrisë izraelite në kampin e refugjatëve “Nur al-Shams” në Tulkarm, në pjesën veriore të Bregut të pushtuar Perëndimor, raporton agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, “Wafa”.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se operacioni nisi të enjten natën “për t’iu kundërvënë terrorizmit në Nur al-Shams”.

“Deri më tani, forcat kanë eliminuar një numër terroristësh, kanë arrestuar një numër të personave të kërkuar, kanë bërë kërkime në ndërtesa dhe kanë zbuluar mjete shpërthyese” – thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite, raporton televizioni CNN.

Ky operacion duket se ishte njëri nga më të mëdhenjtë në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori. Në pamje të siguruara nga televizioni CNN dëgjohen të shtëna duke vazhduar të shtunën në mëngjes, si dhe përforcime të mëtejme izraelite duke lëvizur drejt kampit.

Agjencia “Wafa” raportoi se në mesin e të vrarëve ishte një fëmijë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë tha se një tjetër ishte 16 vjeç.

Sipas agjencisë palestineze të lajmeve, dëshmitarët thanë se ushtria izraelite po i mbante “trupat e viktimave dhe po ua parandalonte ekipeve të ambulancës që të arrinin te ta”. Televizioni CNN e ka kontaktuar ushtrinë izraelite për ta komentuar këtë operacion.

Buldozerët shkatërruan rrjete të ujit dhe kanalizimit dhe shkaktuan ndërprerje të rrymës, sipas agjencisë “Wafa”, ndërsa “dhjetëra të rinj” u ndaluan.

Lajme të ngjashme