74 vjet burgim katër burrave për vrasjen brutale të 24-vjeçarit në Spanjë - NACIONALE

74 vjet burgim katër burrave për vrasjen brutale të 24-vjeçarit në Spanjë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Katër burra janë dënuar me gjithsej 74 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e një të riu të komunitetit LGBT. Vrasja që ndodhi para gati katër vjetëve e kishte shokuar Spanjën dhe kishte shkaktuar protesta gjithëkombëtare.

Samuel Luiz, asistent infermierie, kishte dalë me shokët në qytetin A Coruna në orët e hershme të 3 korrikut të vitit 2021, kur një grindje kishte nisur afër një klubi të natës, raporton gazeta “The Guardian”.

Shokët e Luizit thanë se ai kishte dalë jashtë klubit për të bërë një video-thirrje, kur dy kalimtarë e kishin akuzuar se po mundohej t’i incizonte me telefonin e tij. Luizi u kishte shpjeguar se po bisedonte me një shok me video-thirrje, por u sulmua nga njëri prej kalimtarëve, duke pësuar mavijosje të rëndë në fytyrë.

Pesë minuta më vonë, sulmuesi ishte kthyer me disa të tjerë, të cilët e kishin marrë Luzin dhe e kishin grushtuar derisa kishte mbetur pa vetëdije. Ai ishte dërguar në spital, por kishte vdekur po atë mëngjes.

Në nëntor të vitit të kaluar, në fundin e procesit gjyqësor, një trup gjykues i kishte shpallur fajtorë katër burrat për vrasjen e të riut.

Të mërkurën, një gjykatë dënoi tre prej burrave – Diego Montanja, Alejandro Freire dhe Kaio Amaral – me 24, 20 vjet e gjysmë e 20 vjet burgim për rolet e tyre në vrasje. I katërti, Alejandro Miguez, i cili nuk e kishte goditur Luizin, u dënua me dhjetë vjet burgim si bashkëfajtor në vrasje.

Në komentet e saj gjatë shqiptimit të vendimit, gjykatësja Elena Fernanda Pastor Novo, i theksoi ashpërsinë e krimit dhe dhimbjen që ai ia kishte shkaktuar familjes së Luizit./Nacionale

Lajme të ngjashme