“50 a 60 njerëz veç në një rrugë”: Dëshmitarët e përshkruajnë vrasjen e civilëve në al-Fashir të Sudanit - NACIONALE

“50 a 60 njerëz veç në një rrugë”: Dëshmitarët e përshkruajnë vrasjen e civilëve në al-Fashir të Sudanit

3 javë më parë

nga NACIONALE

Civilët në qytetin al-Fashir u qëlluan me armë rrugëve, u vunë në shënjestër nga sulmet me dronë dhe u shtypën me kamionë, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” dëshmitarët e ditëve të para të marrjes së këtij vendbanimi nën kontroll nga forca paramilitare RSF (Forcat e Mbështetjes së Shpejtë), duke ofruar një pamje të kapjes së dhunshme të njërit prej qyteteve më të mëdha të Sudanit.

Pa dihet se çfarë ka ndodhur brenda qytetit që është shkëputur nga rrjeti i telekomunikimit që nga fillimi i ofensivës së RSF-së. Agjencia “Reuters” bisedoi me disa njerëz që kishin ikur për në qytetin al-Dabba, më shumë se 1.000 kilometra larg, në veri të Sudanit, si dhe me një tjetër që ishte vendosur në qytezën Tawila.

Një dëshmitar tha se ai ndodhej në një grup njerëzish që po mundoheshin të iknin nga bombardimet intensive, kur kamionët e RSF-së i rrethuan dhe civilët filluan të sulmoheshin me zjarr mitralozash dhe të shtypeshin me automjete.

“Të rinj, të moshuar, fëmijë, i shkelën [me automjete]” – tha dëshmitari, i cili nuk deshi ta tregonte emrin për shkak të frikës nga hakmarrja, duke folur përmes telefonit nga qyteza Tawila. Sipas tij, disa civilë u rrëmbyen nga luftëtarët e RSF-së.

Kur iu kërkua koment, një udhëheqës i RSF-së i tha agjencisë “Reuters” se ishin duke u zhvilluar hetime dhe kushdo që zbulohet se ka kryer abuzime do të mbahet përgjegjës, por se raportimet për shkelje në al-Fashir janë ekzagjeruar nga ushtria dhe aleatët e saj.

Vrasja e njerëzve vazhdoi edhe në ditën e dytë të ofensivës së RSF-së, tha një dëshmitar tjetër me emrin Mubarak, i cili tani po qëndron në al-Dabba. Ai tha se luftëtarët e RSF-së bastisën shtëpi në zona banimi, pasi e kishin kapur bazën e ushtrisë një ditë më parë.

“50 ose 60 njerëz në një rrugë të vetme… ata i vranë bam, bam, bam! Pastaj shkonin në rrugën tjetër dhe prapë bam, bam, bam. Kjo është masakra që unë e pashë përballë meje” – tha Mubaraku. Sipas tij, shumë njerëz, shpesh të lënduar ose të moshuar, nuk u larguan nga qyteti dhe u vranë në shtëpitë e tyre.

Luftëtarë lokalë të rezistencës, kryesisht të rinj të armatosur, ndodheshin rrugëve duke luftuar kundër ofensivës së RSF-së, ndërsa pjesëtarët e ushtrisë dhe luftëtarët aleatë ishin në baza ose duke u tërhequr.

Një dëshmitar tjetër me emrin Abdallah, i cili bisedoi me agjencinë “Reuters” në al-Dabba, tha se ka parë edhe civilë që po iknin e që po viheshin në shënjestër nga dronët. Ai tha se pa 40 trupa të vdekur në tokë në një zonë në al-Fashir.

Agjencia “Reuters” nuk arriti që t’i verifikonte në mënyrë të pavarur rrëfimet e tyre, edhe pse to gjerësisht përputhen me raporte të zyrtarëve të ndihmave, OKB-së dhe videove të vërtetuara në rrjete sociale./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme