27 palestinezë u vranë derisa po prisnin për ndihma në Gaza, gjashtë të tjerë nga uria ose kequshqyerja
Së paku 27 njerëz u vranë nga forcat izraelite derisa po mundoheshin të merrnin ndihma, ndërsa gjashtë të tjerë vdiqën nga uria ose kequshqyerja në Gaza të dielën, thanë zyrtarët palestinezë.
Dëshmitarët thanë se forcat izraelite qëlluan me armë në drejtim të turmave të njerëzve të uritur që po mundoheshin të merrnin ndihma ushqimore në një pikë të shpërndarjes që menaxhohet nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) që përkrahet nga ShBA-ja në jug të enklavës, raporton gazeta “The Guardian”.
“Unë nuk munda të ndalesha e të ndihmoja për shkak të plumbave” – i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” Yousef Abed, pasi kishte parë të paktën tre njerëz me gjakderdhje në tokë, derisa forcat izraelite po hapnin zjarr.
Vrasjet e së dielës ishin më të fundit në një varg të shtënash vdekjeprurëse në drejtim të njerëzve të uritur. Të paktën 1.400 njerëz janë vrarë derisa kanë qenë duke kërkuar ndihma nga 27 maji, shumica afër qendrave të GHF-së, ndërsa të tjerë janë vrarë përgjatë rrugëve të autokolonave të ndihmave, tha të premten OKB-ja. GHF-ja thotë se përdor vetëm sprej piperi ose të shtëna paralajmëruese për ta kontrolluar turmën.
Gjithsej 119 njerëz u vranë në Gaza nga të shtënat me armë ose sulmet e tjera izraelite gjatë 24 orëve të kaluara, përfshirë ata që po kërkonin ndihma, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga Hamasi.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se ushtria izraelite e shënjestroi selinë e saj në Khan Younis të dielën, duke vrarë një pjesëtar të stafit e duke plagosur tre të tjerë. Në një vide të bërë nga një punonjës shihej objekti i përfshirë nga flaka pas sulmit.
Një sulm tjetër izraelit goditi një shkollë në Khan Younis, të cilën personat e zhvendosur po e shfrytëzonin si strehimore. Të paktën dy njerëz u vranë atje.
Gjashtë njerëz kanë vdekur nga uria ose kequshqyerja në 24 orët e fundit, thanë zyrtarët shëndetësorë, duke e çuar në 175 numrin e përgjithshëm – 93 prej tyre fëmijë. Ritmi i vdekjeve nga uria u përshpejtua në korrik, kur më shumë njerëz vdiqën nga uria se në 20 muajt paraprakë së bashku./Nacionale