107 tonë ndihma humanitare u hodhën të mërkurën nga ajri në Gaza, thotë ushtria izraelite
Aeroplanë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Gjermania, Belgjika dhe Franca hodhën nga ajri 107 paleta me ndihma humanitare të mërkurën në Rripin e Gazës, tha ushtria izraelite.
Secila paletë përmban rreth 1 ton ushqim, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Nga 26 korriku, gati 900 pako me ndihma humanitare janë hedhur nga ajri në Rripin e Gazës nga nëntë shtete, përfshirë Izraelin, sipas ushtrisë izraelite.
Pakot e hedhura nga ajri nga ushtria izraelite janë ofruar nga grupet ndërkombëtare të ndihmave.
Javëve të fundit është raportuar për përkeqësim të krizës ushqimore në enklavë dhe për të vdekur nga uria e kequshqyerja.
Kjo situatë ka nxitur disa shtete perëndimore që ta shtojnë presionin ndaj Izraelit për ta lejuar hyrjen e sasive më të mëdha të ndihmave në Gazën e shkatërruar.
Franca, Britania dhe Kanadaja kanë paralajmëruar se do të njohin një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.