Zyrtari i afërt me VV-në bëhet zv/drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Pejë
Kritika të shumta ka pasur pushteti i Vetëvendosjes tash e dy vjet lidhur me avancimin dhe rehatimin e miltantëve të partisë nëpër funksione të larta në institucione publike. Përjashtim nuk po bën as Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Fadil Mahaj për një kohë të gjatë kishte punuar si zyrtar ligjor në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ai njihet për afërsinë e tij me Vetëvendosjen dhe degën e kësaj partie në Istog, ku nuk kishte hezituar të publikonte edhe fotografi. Të njëjtat ai i kishte fshirë më pas.

Nacionale kishte mësuar fillimisht se Mahaj nga zyrtari ligjor, për një kohë ishte caktuar për të kryer detyrën e zv/udhëheqësit të Njësisë për Vizita në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë.
Këtë Nacionales ia kishte konfirmuar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Megjithatë, ShKK-ja kishte bërë të ditur se me kalimin e kohës kjo pozitë ishte mbuluar nga një person tjetër, i zgjedhur me konkurs.
“Lidhur me pyetje e juaja, ju konfirmojmë se z. Fadil Mahaj, për një kohë të caktuar ka qenë Zëvendësues i Udhëheqësit të Njësisë për Vizita në Qendrën Korrektuese të Dubravës, i cili vendim tani më nuk është në fuqi pasi që Njësia e Burimeve Njerëzore ka zhvilluar procedurë të rregullt të gradimit, pra përmes procedurave të konkursit është mbuluar kjo pozitë”, thuhej në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës për Nacionalen.

Megjithatë, Mahaj me kalimin e kohës mori një funksion edhe më të rëndësishëm. Ai u caktua si zëvendësues i drejtorit në Qendrën e Paraburgimit në Pejë. Edhe kjo u konfirmua nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, por të cilët thanë se këto emërime nuk duhet të nënkuptohen si avancime, pasi janë të përkohshme.
“Ju lutem keni parasyshë se caktimi i përkohshëm i zyrtarëve në ndonjë pozicion tjetër të punës nuk nënkupton avancimin apo gradimin, pasi që procedura e rekrutimit për Avancim/Gradim zhvillohet në përputhje me planin vjetor të personelit, bazuar në ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi. Ju njoftojmë se Z. Mahaj është emëruar përkohësisht në pozitën zëvendësues i drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Pejë”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës për Nacionalen.

Fadil Mahaj duket të jetë mjaft i afërt me personalitetet më të larta të Vetëvendosjes dhe pushtetit aktual. Ai kishte postuar fotografi me Albin Kurtin, Glauk Konjufcën, Agron Avdiajn që ishte kandidat i VV-së për kryetar të Istogut.
Megjithatë, këto fotografi nuk mund të gjenden më në rrjetin e tij social pasi janë fshirë. Nuk dihet nëse afërisa e Mahajt me VV-në i ka shërbyer edhe për këto avancime, megjithatë ka pasur kritika vazhdimisht nga opozita se edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pasur tendencë të kapet nga pushteti.
Dyshimet për dallavere në Shërbimin Korrektues të Kosovës
Nacionale kishte raportuar për dyshimet për dallavere në Shërbimin Korrektues të Kosovës. P.sh Besar Gashi nga pozita e gardianit ishte avancuar në zëvendësues të zv/drejtorit për siguri dhe operativë, një nga funksionet më të rëndësishme.
Në janarin e vitit 2022 Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte organizuar përgatitjen e testit me shkrim për zyrtarët korrektues që do të pranoheshin në punë. Të përzgjedhurit kanë nisur punën. Megjithatë, dyshimet se në këtë proces mund të ketë pasur ndikime janë shpërfaqur tek një vit pas.

Burime të ndryshme nga brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës i kanë thënë gazetës Nacionale se zyrtarët korrektues të ShKK-së që ishin emëruar si mbikëqyrës në këtë test të janarit 2022, janë avancuar menjëherë në grada të ndryshme.
Nacionale ka siguruar listat me emrat e zyrtarëve korrektues që ishin caktuar aso kohe për të vëzhguar gjithë procedurën e testit me shkrim. Lista ishte hartuar nga Besar Gashi, aktualisht zëvendësues i zv/drejtorit për siguri dhe operativë në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Nacionale kishte raportuar ditë më parë për avancimet e Gashit brenda vitit, ku nga gardian ishte bërë zëvendësdrejtor.
Me qëllim të ruajtjes së identitetit të zyrtarëve, Nacionale nuk do t’i publikojë listat e zyrtarëve korrektues që ishin caktuar për monitorim të testit. Megjithatë, në konkurset që ishin pak muaj më pas, shumë prej zyrtarëve korrektues që ishin monitorues të testit në atë konkurs, u avancuan më pas pozitat “Mbikëqyrës” dhe “Mbikëqyrës i lartë”.
Sinjalizues të ndryshëm brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës i kanë thënë Nacionales se brenda zyrtarëve korrektues ka pakënaqësi, pasi ky avancim ishte bërë kryesisht në baza të lidhjeve shoqërore e personale. Sipas tyre kjo dëshmohet me faktin se në listat e zyrtarëve korrektues që kanë monitoruar testin, janë emrat e disa personave që më vonë u avancuan në mbikëqyrës.
Në listat që ishin publikuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për këto pozita, mund të shihen emrat e zyrtarëve që ishin avancuar.
Në mesin e avancimit të fundit në qershor të vitit 2022, kishte edhe disa zyrtarë ndaj të cilëve ka pasur të hapura disa procedura disiplinore për shkelje gjatë kryerjes së detyrave. Madje, edhe aktakuza edhe dënime.

