Shumë dyshime për avancimet në Shërbimin Korrektues: Detaje nga disa konkurse e vendime
Shumë dyshime e pakënaqësi janë shpërfaqur së fundmi lidhur me procedurat e avancimit në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Disa për pak kohë janë avancuar nga zyrtari korrektues në mbikëqyrës e mbikëqyrës të lartë, përderisa të tjerët ndër vite nuk janë avancuar asnjëherë. Dyshime ka që edhe personat e dënuar më parë për shkelje përgjatë kryerjes së detyrave në burgjet e Kosovës, janë avancuar për shkak të lidhjeve të tyre. Nacionale sjell detaje.
Në janarin e vitit 2022 Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte organizuar përgatitjen e testit me shkrim për zyrtarët korrektues që do të pranoheshin në punë. Të përzgjedhurit kanë nisur punën. Megjithatë, dyshimet se në këtë proces mund të ketë pasur ndikime janë shpërfaqur tek një vit pas.
Burime të ndryshme nga brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës i kanë thënë gazetës Nacionale se zyrtarët korrektues të ShKK-së që ishin emëruar si mbikëqyrës në këtë test të janarit 2022, janë avancuar menjëherë në grada të ndryshme.
Nacionale ka siguruar listat me emrat e zyrtarëve korrektues që ishin caktuar aso kohe për të vëzhguar gjithë procedurën e testit me shkrim. Lista ishte hartuar nga Besar Gashi, aktualisht zëvendësues i zv/drejtorit për siguri dhe operativë në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Nacionale kishte raportuar ditë më parë për avancimet e Gashit brenda vitit, ku nga gardian ishte bërë zëvendësdrejtor.

Me qëllim të ruajtjes së identitetit të zyrtarëve, Nacionale nuk do t’i publikojë listat e zyrtarëve korrektues që ishin caktuar për monitorim të testit. Megjithatë, në konkurset që ishin pak muaj më pas, shumë prej zyrtarëve korrektues që ishin monitorues të testit në atë konkurs, u avancuan më pas pozitat “Mbikëqyrës” dhe “Mbikëqyrës i lartë”.
Sinjalizues të ndryshëm brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës i kanë thënë Nacionales se brenda zyrtarëve korrektues ka pakënaqësi, pasi ky avancim ishte bërë kryesisht në baza të lidhjeve shoqërore e personale. Sipas tyre kjo dëshmohet me faktin se në listat e zyrtarëve korrektues që kanë monitoruar testin, janë emrat e disa personave që më vonë u avancuan në mbikëqyrës.
Në listat që ishin publikuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për këto pozita, mund të shihen emrat e zyrtarëve që ishin avancuar.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka mohuar të gjitha pretendimet se ka pasur ndikim ndërmjet monitorimit të testit në njërën anë, e avacnimit të këtyre zyrtarëve disa muaj më vonë.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës është Agjenci Ekzekutive e Sigurisë dhe është e pavarur në kryerjen e funksionit të vet në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe aktet nënligjore, andaj në referim të kërkesës ju informojmë se procedura e rekrutimit për zyrtar korrektues në vitin 2022 ka qenë procedurë e rregullt dhe kushdo që ka pasur pretendime për parregullsi eventuale i kanë adresuar ankesat e tyre tek institucionet kompetente, si në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës dhe Gjykatën Kompetente. Procesi i gradimit dhe procesi i mbikëqyrjes së testit me shkrim nuk kanë asnjë ndërlidhje.”, thuhet në përgjigjen e ShKK-së për gazetën Nacionale.
Testi me shkrim ishte mbajtur në janar, e avancimet ishin kryer në qershor të vitit 2022. Gazeta Nacionale ka raportuar edhe më herët për dyshimet rreth avancimeve në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Avancimet e dyshimta
Në mesin e avancimit të fundit në qershor të vitit 2022, kishte edhe disa zyrtarë ndaj të cilëve ka pasur të hapura disa procedura disiplinore për shkelje gjatë kryerjes së detyrave. Madje, edhe aktakuza edhe dënime.
Zyrtari korrektues me inicialet S.H ishte avancuar si mbikëqyrës. I njëjti disa vite më parë ishte dënuar me burg me kusht nga Gjykata në Prizren pasi ishte vërtetuar se ka lejuar kontrabandën dhe dukuritë e tjera joligjore brenda burgut. I njëjti tash është në gradën “Mbikëqyrës”.

Ngjashëm aktakuzë për veprime të tilla ka pasur edhe zyrtari tjetër me inicialet K.L. Ai kishte pasur aktakuzë nën dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Edhe ky në konkursin e fundit është avancuar në pozitën “Mbikëqyrës i lartë”.
Emrat e disa prej këtyre personave figurojnë edhe në një raport të brendshëm hetimi që ishte bërë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës. Sipas raportit, “keqpërdorimet më të mëdha në këtë institucion bëheshin nga stafi i këtij institucioni”. E aty, figuronin edhe emrat e S.H dhe B.H që ishin avancuar në konkursin e fundit.
Sinjalizuesit kanë thënë për gazetën Nacionale se ka disa zyrtarë të tillë që edhe pse kanë qenë me procedura e vërejtje disa herë, janë avancuar në grada të ndryshme. Disa burime kanë pretenduar se kjo ka ndodhur shkaku i lidhjeve që kanë me udhëheqësit e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Megjithatë, ShKK në një përgjigje për gazetën Nacionale, ka theksuar se të gjitha avancimet janë bërë në lidhje me Udhëzimin Administrativ.

“Procedura e Gradimit për zyrtar është bërë sipas dispozitave të UDHËZIMIT ADMINISTRATIV MD-NR. 02/20221 PËR GRADAT E ZYRTARËVE KORREKTUES, KONTROLLIMI I SË KALUARËS SË TYRE, PERIUDHA PROVUESE DHE PROMOVIMI. Kandidatët të cilët kanë aplikuar në procedurën e Gradimit, përveç kushteve të përgjithshme që parashihen me legjislacionin në fuqi i kanë plotësuar edhe kriteret e veçanta të përcaktuara në UA për Gradat e Zyrtarëve Korrektues”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Nacionale ditë më parë ka raportuar për avancimin e shpeshtë të Besar Gashit në Shërbimin Korrektues, i cili nga pozita e gardianit u emërua së fundmi zëvendësues i zv/drejtorit të përgjithshëm për Siguri dhe Operativë. Një nga funksione më të rëndësishme në ShKK.
Nacionale do të sjell ditëve në vazhdim të tjera publikime lidhur me avancimet dhe dyshimet për ndikim në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
