Vrasja në Bon Vivant, Andi Pajaziti shpallet i pafajshëm – dënohet veç për armëmbajtje pa leje
Andi Pajaziti, i akuzuar për vrasjen në Bon Vivant, është shpallur i pafajshëm për vrasjen e një personi në muajin gusht të vitit 2023. Pajazit është shpallur fajtor vetëm për armëmbajtje pa leje dhe është dënuar me dy vite burgim.
Në seancë gjyqtari Eroll Gashi ka konstatuar se ai ka bërë mbrojtje të nevojshme.
Ngjarja në Bon Vivant kishte ngjallur shumë reagime në publik, ndërsa Dukagjin Likaj, i përfshirë në këtë rast, vazhdon të jetë në arrati.
Gjatë gjykimit, siç kishte raportuar Nacionale në vazhdimësi, ka pasur reagime e tensione në mes të familjarëve të Ramadanit dhe Pajazitit.
Gjykimi i Andi Pajaziti
Sjellim ndër mend që Pajaziti është akuzuar për vrasjen e Kastriot Ramadanit, i cili mbeti i vdekur në lokalin Bon Vivant.
Duke folur në Gjykatë, Pajaziti e tregoi se si kishte ndodhur rasit.
“Na ka thënë ‘A doni me prit pak në këmbë, deri t’ua gjej një tavolinë, se ka shumë kallabllak?’. Duke pritë në këmbë për një çast, më afrohet Dukagjin Lekaj dhe përshëndetemi dhe më thotë ‘Hajde, te tavolina jem, pije një pije se kam me të vet diçka’. Unë pranova, pasi që të njëjtin e njoh diku rreth 10 vjet dhe nuk kam pasë diçka të keqe asnjëherë me të. Dhe, shkoj se mendova që është duke më thirrë për një veturë, që më pati ofruar me ma shit dy ditë përpara. Dhe, pasi që shkojmë në tavolinë, te tavolina e tij, rrugës Dukagjini më prekte nëpër kuka. Por, në atë moment mua nuk më bëri përshtypje pse po më prek. Por, pasi që ka ndodhur ngjarja, duke e analizuar rashë në përfundim se ai më ka prek me këqyr a e kam armën, apo jo me vete. Unë armën e kisha përpara e ai s’ka mujtë me vërejt a e kisha armën, apo jo?” – deklaroi Pajaziti në Gjykatë ditë më parë.
Sipas prokurorisë, Pajaziti ishte sulmuar, ndëras pas këtij sulmi i akuzuari e kishte nxjerrur armën nga brezi nga ana e djathtë. Tutje, siç thotë Prokuroria në aktakuzë, Pajaziti shtiu me armë “pa fajin e tij, pa menduar për pasojat”, me ç’rast e goditi tashmë të ndjerin Ramadani.
Tutje, në dosjen e Prokurorisë thuhet se armën e kishte nxjerrë edhe Dukagjin Likaj, i cili vazhdon të jetë në arrati. Gjatë kësaj kohe ia kishte mbajtur dorën sigurimi Hisni Gecaj, kurse arma ishte e drejtuar në drejtim të të akuzuarit Pajaziti.