Vendos Gjykata Speciale: Gucati e Haradinaj mbesin në paraburgim deri në vendimin e Apelit - NACIONALE

Vendos Gjykata Speciale: Gucati e Haradinaj mbesin në paraburgim deri në vendimin e Apelit

10 muaj më parë

nga Besian Beha

Ish-udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, do të mbesin në paraburgim derisa Gjykata e Apelit të vendos në lidhje me ankesat e tyre. Kështu ka vendosur Gjykata e Apelit në Speciale, pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Gucati e Haradinaj tashmë janë ankuar në lidhje me dënimin nga Gjykata Speciale, me nga 4 vjet e gjysmë për dy të akuzuarit.

E përgjatë kohës që e presin vendimin e Gjykatës së Apelit në Hagë, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj do të mbesin në paraburgim, raporton gazeta Nacionale.

Në vendimin e Kolegjit të Apelit të kryesuar nga gjyqtari Michele Pichard, thuhet se pas dënimit me nga 4 vjet e gjysmë, nuk ka nevojë për kërkesa të tjera lidhur me lirimin nga paraburgimi.

“Paneli konsideron se për dallim nga faza e dënimit në shkallën e parë, kur gjyqtarit ose trupi gjykues i kërkohet të bëj rishikimin dy-mujor të paraburgimit, kjo nuk kërkohet më gjatë procedurës së apelit, pra pas dënimit”, thuhet në një pjesë të vendimit të Gjykatës së Apelit.

Sipas Gjykatës së Apelit, dallon koha kur të dyshuarit janë në shqyrtimin e shkallës së parë, dhe më pas kur ata dënohen.

“Dallimi ndërmjet fazave para dhe pas dënimit në lidhje me paraburgimin është në përputhje me nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (“KEDNJ”). Sipas sipas nenit 5(1)(a) të KEDNJ-së, askush nuk mund të privohet nga liria, përveç, ndër të tjera, në rastin e ndalimit të ligjshëm të një personi pas dënimit nga një gjykatë kompetente. Kjo duhet kuptuar si dënim nga një gjykatë e shkallës së parë, pasi në atë kohë përfundon mbrojtja sipas nenit 5(1)(c) dhe (3) të KEDNJ. Një mbrojtje e tillë e përfshin rishikimin e rregullt të paraburgimit, dhe kërkon lirimin e përkohshëm të të akuzuarit, pasi ndalimi i tij pushon së qenuri i arsyeshëm. Kjo pasi para dënimit në shkallën e parë, ekziston një supozim në favor të lirimit”, thuhet në vendim.

Megjithatë, avokati i Hysni Gucatit kishte gjetur se nuk ka nevojë për një vendim, pasi ata nuk kanë bërë kërkesë për lirim nga paraburgimi.

“Mbrojtja e Gucatit përgjigjet se, duke qenë se aktualisht nuk ka asnjë kërkesë as në Trupin Gjykues, as në Gjykatën e Apelit për një urdhër që kërkon lirimin e të akuzuarit, ai nuk ka asnjë përgjigje thelbësore në lidhje me kërkesën, e cila as nuk kërkon dhe as nuk kërkon ndonjë urdhër apo lehtësim”, thuhet në parashtrimin e avokatit të Gucatit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte vlerësuar se kjo është e nevojshme duke pasur parasysh kohëzgjatjen e dënimit.

Në fund Gjykata e Apelit vendos: “Për këto arsye, Kolegji i Gjykatës së Apelit: SHPALL kërkesën të diskutueshme; dhe Konfirmon se të Akuzuarit do të qëndrojnë në paraburgim në pritje të ankesave të tyre, përveç nëse Paneli urdhëron diçka tjetër”.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj ishin dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale, si të akuzuar për pengim të drejtësisë, zbulim të fshehtësive e tentim-frikësimi të dëshmitarëve.

Ankesat në Gjykatën e Apelit

Ndaj këtij vendimi ishin ankuar në Gjykatën e Apelit të Speciales,avokatët e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Në tri pika kryesore e ka mbështetur ankesën e tij në Gjykatën e Apelit të Speciales, avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman. Ai ka vlerësuar se në dënimin prej 4 vjetësh e gjysmë për klientin e tij, trupi gjykues pati gabime ligjore që kanë zhvleftësuar faktet, gabime ligjore në procedurë dhe gabime faktike të rëndësishme sipas tij, për shpalljen e dënimit.

Në ankesën gati 20 faqe që ai e ka drejtuar në Gjykatën e Apelit, Cadman flet për gjykim që nuk ishte i pavarur dhe komplet i përcaktuar nga kërkesat e Prokurorisë së Specializuar.

“Trupi gjykues gaboi duke dështuar në respektimin e parimeve bazë të një gjykimit të pavarur dhe të paanshëm duke demonstruar një pozicion tepër të njëanshëm në favor të Prokurorisë gjatë gjithë zhvillimit të procedurës duke përfshirë: pranimin dhe vlerësimin e provave të ZPS-së, fushëveprimin e marrjes në pyetje të dëshmitarëve të prokurorisë, fushëveprimi i marrjes në pyetje të tërthortë të dëshmitarëve të mbrojtjes, censurimi i referimit të zyrtarëve serbë në seancat publike, dështimi për ta ruajtur barazinë e armëve, dështimi për të parandaluar dhe sanksionuar sjelljet e komentet e pahijshme të ZPS-së gjatë seancave, dështimi për të mbështetur prezumimin e pafajësisë”, thuhet në pikat e para të ankesës, raporton gazeta Nacionale.

Ankesë në Gjykatën e Apelit të Speciales ka dorëzuar edhe avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Rees. Qysh në nisje të parashtrimit të tij, Rees thotë se ka evidentuar shkelje të shumta në aktgjykimin e shkallës së parë. Rees ka kërkuar që për të gjitha pikat e dënimit, Gucati të shpallet i pafajshëm, ose Apeli ta ndryshojë vendimin me dënim shumë më të ulët se 4 vjet e gjysmë.

“Trupi gjykues ka konstatuar gabimisht dhe nuk kishte marrë asnjë provë për të shënuar trajtimin e panevojshëm si konfidencial informacionet që kanë lidhje me këto procese që përbën barrë të provës, në rrethana kur përmbajtja e dokumenteve nuk u ekspozua e as nuk u zbulua poltësisht. Nuk u mor parasysh as dëshmitarja e cila kishte shënuar panevojshëm si konfidenciale këto dokumente”, thuhet në ankesën e avokatit të Gucatit.

Lajme të ngjashme