Vendimi i parë i Gjykatës Supreme në Hagë: Kadri Veselit i refuzohet lirimi nga paraburgimi - NACIONALE

Vendimi i parë i Gjykatës Supreme në Hagë: Kadri Veselit i refuzohet lirimi nga paraburgimi

1 vit më parë

nga Besian Beha

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim. Pas vendimit në shkallën e parë dhe Gjykatës së Apelit, ankesën e mbrojtjes së Veselit për lirim nga arresti e ka refuzuar edhe Gjykata Supreme. Ky njëherësh, ishte vendimi i parë i një paneli të Gjykatës Supreme në Hagë, për mbrojtje të ligjshmërisë.

Në vendimin e Gjykatës Supreme të cilin e ka parë gazeta Nacionale, thuhet se mbrojtja e Veselit nuk ka arritur të evidentojë ndonjë shkelje ligjore në vazhdimin e masës së paraburgimit.

Vendimi është nënshkruar nga kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova, e cila njëherësh ishte kryesuese e panelit të Gjykatës Supreme.

“Paneli i Gjykatës Supreme e hedh poshtë në tërësi ankesën”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Trëndafilova.

“Paneli rikujton se pala që kërkon mbrojtje të ligjshmërisë duhet të pretendojë një shkelje të procedurave të përcaktuara me këtë ligj dhe rregullave në pajtim me nenin 48(7)(b) të Ligjit. Me fjalë të tjera, një palë nuk mund, në kontekstin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, t'i referohet vetëm shkeljes së KNJ-së ose Kushtetutës, përveç nëse të drejtat e tilla të parashikuara në të nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në Ligjin dhe/ose Rregulloren”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara.

“Paneli thekson se z. Veseli nuk ka evidentuar ndonjë shkelje thelbësore të një procedure specifike në Ligj apo Rregullore, përveç referimit të përgjithshëm të së drejtës në procedurë të garantuar në nenin 5(3) dhe (4) të KNJ.75 Siç u përmend më lart,76 Paneli në mënyrë të veçantë do ta trajtojë këtë bazë të kërkesës duke qenë se kjo është hera e parë që parashtrohet një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe ka të bëjë me paraburgimin e një të akuzuari. 48. Paneli më tej rikujton se kur vendos për një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, ai nuk vepron si shkallë e dytë e shqyrtimit që adreson gjetjet faktike të Kolegjit të Gjykatës së Apelit. Përkundrazi, një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë është një mjet i jashtëzakonshëm i kufizuar në shkeljet e pretenduara ligjore. Mospajtimi i thjeshtë me vlerësimet faktike të një paneli nuk mund të përbëjnë bazën për një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë”, thuhet më tutje në vendimin e Supremes.

Paneli i Supremes ka hedhur poshtë edhe ankesën e Veselit në lidhje me garancitë nga Policia e Kosovës, që ta monitorojë arrestin shtëpiak.

“Paneli thekson se neni 41(12) i Ligjit i jep gjyqtarit të procedurës paraprake diskrecionin për të vendosur çfarëdo kushti që ai i konsideron të nevojshëm në lidhje me arrestin e mundshëm shtëpiak. Paneli vëren se Kolegji i Gjykatës së Apelit në vendimin e dytë të Apelit, ia ktheu çështjen gjyqtarit të procedurës paraprake për të vlerësuar nëse Policia e Kosovës mund të zbatonte kushte shtesë. Kolegji i Gjykatës së Apelit vazhdoi të shpjegonte se më tej informacionet e marra nga Policia e Kosovës do t'i jepnin gjyqtarit të procedurës paraprake ‘një bazë faktike më të plotë dhe më solide për të vlerësuar realizueshmërinë e kushteve të tilla, pa e parashikuar sigurisht rezultatin e përcaktimit përfundimtar për këto çështje’”, thuhet më tutje në vendim.

“Paneli konsideron se z. Veseli dështoi të identifikojë procedurat specifike të përcaktuara në Ligj apo Rregullore apo të shpjegojë se si vendimi i Kolegjit të Gjykatës së Apelit përbën shkelje thelbësore të tij. Për më tepër, Kolegji i Gjykatës së Apelit i mori parasysh argumentet e z. Veseli lidhur me qëllimin e përcaktimit proprio motu të gjyqtarit të procedurës paraprake për masat shtesë që mund të shqiptoheshin si pjesë e një arresti të mundshëm shtëpiak dhe i refuzoi ato.112 Mospajtimi i z. Veseli me konstatimin e Kolegjit të Gjykatës së Apelit për mënyrën se si gjyqtari i procurës paraprake mund proprio motu të vendosë për masa shtesë nuk përbën shkelje thelbësore të procedurave në kuptim të nenit 48(7)(b) të Ligjit”, thuhet në vendim.

Çfarë thuhej në ankesën e Veselit?

Në muajin korrik, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ishte ankuar në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë, në lidhje me lirimin nga paraburgimi.

Në një ankesë të Ben Emmerson për mbrojtje të ligjshmërisë drejtuar në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara, thuhet se me këto vendime, janë shkelur të drejtat e njeriut.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë ndaluar 100% të të gjithë të akuzuarve në paraburgim. Për një institucion që supozohet se u përmbahet standardeve më të larta të të drejtave të njeriut, kjo praktikë nuk është thjesht e mjerueshme. Është alarmante. Paraburgimi duhet të jetë përjashtim e jo rregull. Megjithatë, praktika e Gjykatës Speciale tregon krejt të kundërtën. Nëse vendimi lihet në fuqi, një praktikë e tillë do të arrijë një hap më tej, duke e bërë paraburgimin rregull absolut, pa përjashtim”, thuhet në ankesën e avokatit të Kadri Veselit në Supreme, raporton Nacionale.

6 pika të ankesës i ka renditur Emmerson në këtë parashtrim. Aty avokati i Veselit përmend edhe Nazim Bllacën, masën joproporcionale të mbajtjes në paraubrgim, rreziqet e ashtuquajtura që i ka evidentuar gjykata për ndërhyrje, e deri te gabimet në vlerësim të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Njëra ndër pikat kryesore sipas avokatit Emmerson, është vonesa që ka bërë Gjykata e Apelit në Speciale, për të vendosur në lidhje me mbajtjen në paraburgim.

“Në çështjen në fjalë, mbrojtja paraqiti ankesën e saj më 3 dhjetor 2021. Kolegji i Gjykatës së Apelit mori vendimin për të kundërshtuar pothuajse katër muaj më vonë, 31 mars 2022. Duke marrë parasysh praktikën gjyqësore në GJNJ, një vonesë e tillë për të nxjerrë një vendim në mënyrë të qartë, shkel nenin 5, përveç rasteve kur autoritetet japin prova bindëse që mund ta justifikojnë vonesën. Mbrojtja pohon se në këtë rast, në asnjë rrethanë nuk ka qenë e mundur të justifikohet vonesa”, ka theksuar Ben Emmerson.

Një pikë e rëndësishme është edhe përmendja e emrit të Nazim Bllacës. Avokati i Kadri Veselit, ka theksuar se Kolegji i Apelit nuk ka marrë parasysh asnjë provë në këtë rast, kur është argumentuar se Veseli mund të ndikojë në drejtësi. Sipas Emmerson, Bllaca kurrë nuk ka qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës.

Lajme të ngjashme