Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Javën e kaluar, përfundoi dëshminë dëshmitari i 88-të në gjykim ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori Filipo De Miniçis, dëshmitari dyshohet se ishte arrestuar nga anëtarët e UÇK-së dhe ishte dërguar në Fabrikën e Metalit në Kukës dhe do të japë dëshmi sa i takon vdekjes së një personi atje.
Kujtojmë se Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle, ka thënë se Prokuroria pritet t’i thërrasë të gjithë dëshmitarët e saj ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, deri në prillin e vitit të ardhshëm.
Doyle ka thënë për Ekonomia Online se në rastin kundrejt Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, deri më tani 85 dëshmitarë kanë dëshmuar, ose në sallën e gjyqit ose përmes një video-lidhjeje, dhe 69 të tjerë me formë shkrimi.
“Në rastin kundrejt Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Prokuroria është duke paraqitur e saj rast e duke thirrur dëshmitarët e saj. Prokuroria ka thënë se synojnë t’i thërrasin dëshmitarët e tyre deri në prill të vitit 2025. Pra, ne jemi në mes të këtij procesi. 85 dëshmitarë kanë dëshmuar, ose në sallën e gjyqit ose përmes një video-lidhjeje , dhe 69 të tjerë kanë dëshmuar vetëm në një me formë shkrimi. Kështu që, pasi Prokuroria të përfundojë paraqitjen e rastit të saj, Mbrojtja do ta këtë mundësinë për të kundërshtuar rastin. Presim që dikur vitin e ardhshëm, Mbrojtja të fillojë t’i thërrasë dëshmitarët e saj”.