Vaji në tepsi, korrupsioni, arratisjet: Tri deklaratat qesharake të Blerim Sallahut ndër vite - NACIONALE

Vaji në tepsi, korrupsioni, arratisjet: Tri deklaratat qesharake të Blerim Sallahut ndër vite

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zv/ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, më shumë se për punën e tij kohëve të fundit, është bërë i njohur për disa deklarata të çuditshme.

Nëpër intervista të ndryshme e nëpër konferenca, ai ka zënë vend në të gjitha mediat me deklarime që u kthyen në super të komentuara më pas.

E para dhe më e famshmja ishte ajo për shpërndarjen e vajit në tepsi. Teksa tentonte ta paraqiste qeverinë Kurti si tejet efikase, ai tha se punët po kryhen me shpejtësinë e shpërndarjes së vajit në tepsi.

“Po ju them këtu me përgjegjësi që niveli i shpejtësisë së punës së Ministrisë së Drejtësisë dhe cilësisë, gjithashtu, mund të krahasohet me nivelin e shpejtësisë të shpërndarjes së vajit në tepsi”, thoshte ai në emisionin “Context” të ATV-së.

Megjithatë, me deklaratën e tij nuk u pajtua me këtë konstatim.

“Ka qenë temë diskutimi në kabinet dhe kemi qeshur shumë. Ka qenë temë diskutimi mes meje dhe zëvendësit se a shkon vaji lehtë në tepsi apo vështirë. Unë e di që shkon vështirë, veç kur është tepsia e nxehtë shkon lehtë. I thosha në rregull ke dashtë me shpjegu sa shpejt po punojmë, mirëpo për bindjen time veç nëse është e nxehtë shkon shpejtë. Kemi qeshur shumë, por sigurisht se mundohemi të përdorim edhe forma të tilla me i tregu popullit për formën tonë. Nëse kështu na kupton populli pse mos ta përdorim. Edhe burrat duhet me përgatit”, tha Haxhiu në ATV.

Një deklaratë qesharake e zv/ministrit të “vajit në tepsi” ishte ajo kur brenda pak ditësh nga burgjet e Kosovës, u arratisën tre persona. Megjithatë, Sallahu vendosi t’i quante largime.

“Duhet theksuar se largimi nga njësitë e qendrave korrektuese të tipit të hapur ka pasur edhe në të kaluarën, dhe mund të ketë edhe në vazhdimësi sepse këto institucione nuk iu nënshtrohen kontrollit dhe masave të larta të sigurisë sepse qëllimi i tyre është realizimi i programeve avancuese ndaj të burgosurve që iu nënshtrohen rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri”, tha Sallahu.

E dje, Sallahu lëshoi një tjetër ‘perlë’. Ai tha se nuk nevojiten prova për personat e korruptuar, pasi kjo shihet nga mënyra e jetesës së këtyre personave.

“Nuk ka nevojë me pas prova. Këqyrja stilin e jetës, këqyrja jetën, këqyrja pasurinë që e ka pasur. Këqyrja nga viti 2010 deri në 2024-ën dhe e sheh. Me rrogë, s’ka shans m’i bë ti paret. Janë do logjika të thjeshta”, deklaroi ai në Dukagjin.

Ai madje, tha se për Byronë e Pasurisë së Pajustifikueshme, po kanë kërkesa nga vendet e rajonit. Pavarësisht se ky Ligj ishte shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.

“Po na shkrun Mali I Zi dhe Maqedonia qysh me bë sikurse ju. Jemi model. Të paktën në hartim në dimensionin që e kemi sot jemi model, ende se kemi fut në praktikë. Po na shkruajnë shumë shtete për këtë gjë”, tha ai.

Përveç këtyre, Sallahu në disa raste është pozicionuar me deklarata edhe kundër mediave e gazetarëve.

Lajme të ngjashme