“Thonjtë, ngjyra e flokëve, vathët, mjekra e bluza që zbulojnë barkun”: Çfarë përmban Kodi i Veshjes për gjykata?
Thonjë të pastër dhe të madhësisë normale. Bluza që nuk zbulojnë barkun, funde që nuk kalojnë sipër gjurit. Ndalohen vathët në pjesët e fytyrës dhe trupit.
Këto janë vetëm disa nga obligimet që duhet t’i zbatojnë punëtorët e gjykatave nëpër Kosovë, me Kodin e Veshjes dhe Paraqitjes në Vendin e Punës në Sistem Gjyqësor.
Ky Kod i hartuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka qenë për ditë me radhë në konsultime publike, dhe tash është në procedurat e mëtutjeshme në KGJK.
“Ky kod ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe standardet për veshjen dhe paraqitjen personale të të gjithë të punësuarve në sistemin gjyqësor të Kosovës, përfshirë veshjen zyrtare, protokollare, solemne dhe të zakonshme, parimet e përgjithshme për higjienën personale dhe paraqitjen e përgjithshme, si dhe përcaktimin e masave disiplinore për mosrespektimin e këtyre rregullave”, thuhet qysh në fillim të këtij kodi, raporton Nacionale.
Në nenin 4 të Kodit me titull: “Parimet e përgjithshme të veshjes”, janë të përcaktuara në mënyrë konkrete të gjitha detajet për veshje dhe pamje fizike që punëtorët e gjykatave janë të obliguar t’i zbatojnë. Në mesin e tyre janë të përmendura veshje pa mbishkrime, pa shkëlqim, pa xixa, bluza që nuk zbulojnë barkun, ndalohen gjithashtu “piercing” apo vathët në pjesë të dukshme të fytyrës.
“Personat e përfshirë në këtë kod duhet të respektojnë parimet e përgjithshme të veshjes që përfshijnë, por nuk kufizohen në: veshje të pastra, pa njolla, pa vrima ose grisje, të mbajtur në gjendje të mirë, dhe në përputhje me përmasat trupore; veshje që nuk kanë fotografi, mbishkrime, shkëlqim, xixa, dekoltetë e theksuara, bluzat me rripa, bluzat që zbulojnë barkun, funde që nuk kalojnë sipër gjurit por nën gjunjë, funde pa hapje ose prerje, pantallonat e shkurtra me gjatësi nën gjunjë, veshje sportive, veshje me mesazh vulgariteti”, thuhet në këtë kod.
“Veshjet duhet të mos jenë transparente dhe të zbulojnë të brendshmet, rripat apo dantellat; ndalohen kapelat ( përveç rasteve të veçanta që lidhen me aspektin shëndetësor), syzet e diellit, dhe aksesorë të ngjashëm në ambientet e punës; ndalohen kufjet gjatë komunikimit direkt me palët dhe stafin gjatë orarit të punës; ndalohen të gjitha llojet piercing në pjesët e dukshme të fytyrës dhe trupit, përveç vathëve të zakonshëm me madhësi normale; ndalohen sandalet, shapkët, dhe ecja zbathur në ambientet e punës; këmishët dhe bluzat duhet të mbulojnë pjesën më të madhe të kraharorit dhe gjoksit, në të gjitha rastet këmisha duhet të ketë mëngë të gjata; çantat të jenë serioze, të përshtatshme për punë dhe të mos jenë ekstravagante”, thuhet më tutje në këtë Kod të hartuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Neni 5 i këtij kodi, parasheh parime të tjera strikte për dukjen brenda gjykatave. Në mesin e tyre janë thonjtë, që sipas kodit, duhet të jenë të pastër dhe me madhësi normale. Mustaqet, zylyfet dhe mjektrat, duhet të jenë të pastra dhe të prera mire. Grimi duhet të jetë natyral.
“Personat e përfshirë në këtë kod duhet të sigurojnë që: veshja të jetë e rehatshme dhe e rregullt, duke përçuar një imazh serioziteti dhe elegance, në përputhje me rregullat e përcaktuara në kod; të mirëmbajnë higjienën personale; flokët të jenë të mirëmbajtur, dhe të mos jenë të ngjyrosur me ngjyra ekstravagante; thonjtë të jenë të pastër dhe me madhësi normale; mustaqet, zylyfet, llojet e ndryshme të mjekrave, të jenë të pastra dhe të prera mirë; aksesorët të mos jenë tepër të mëdhenj, me ngjyra ose forma të ekzagjeruara, apo me shenja diskriminuese; grimi të jetë natyral”, thuhet në kodin e KGJK-së i cili pritet të miratohet pas konsultimeve publike.
Përveç këtyre, Kodi jep shpjegime se çka do të thotë veshja protokollare për femra, meshkuj dhe veshja zyrtare gjithashtu.
“Veshje protokollare për femra - kostum ngjyrë të zezë, hiri, apo kaltër e errët, këmishë të bardhë apo të kaltër, këpucë, fustan me gjatësi nën gjunjë dhe çorape klasike me ngjyrat: e zezë apo kafe e errët; Veshje protokollare për meshkuj - kostum ngjyrë të zezë, hiri apo e kaltër e errët, këmishë të bardhë apo të kaltër me mëngë të gjata, kravatë, këpucë dhe çorape klasike me ngjyrat: e zezë apo kafe e errët”, thuhet në Kod.
“Veshje zyrtare për femra - pantallona, fund kostumi me gjatësi nën gjunjë apo të ngjashme, këmishë apo të ngjashme, xhaketë kostumi apo të ngjashme, fustan, këpucë të sheshta ose me takë jo më të lartë se gjashtë (6) cm, dhe jo me maje të theksuara dhe çorape njëngjyrëshe pa dizajn; Veshje zyrtare për meshkuj - pantallona kostumi apo të ngjashme, rrip, këmishë, kravatë, xhaketë kostumi apo të ngjashme, këpucë të lustruara dhe çorape të gjata njëngjyrëshe pa dizajn”, thuhet më tutje.
Por, çfarë veshje duhet të kenë personat që iu nënshtrohen konkurseve të KGJK-së?
“Kandidatët të cilët i nënshtrohen procedurave të rekrutimit në sistem gjyqësor, duke përfshirë pjesëmarrje në teste, intervista apo ngjarje të ndryshme të organizuara nga Këshilli apo gjykatat, duhet të kenë veshje të rehatshme dhe të rregullt që përçojnë imazh serioziteti, në pajtim me rregullat e përcaktuara në këtë kod”, thuhet aty.
Ky kod do të jetë në konsultime publike deri me datën 23 gusht të këtij viti.