Thaçi thotë se vazhdon të besojë në procesin e Gjykatës Speciale
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vazhdon të besojë në Gjykatën Speciale.
Në adresimin e tij para trupit gjykues, në ditën e dytë të gjykimit, ai ka thënë se çdo herë ka qenë i gatshëm të ballafaqohet me dritësinë.
“Unë jam intervistuar nga të gjitha mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare, qoftë në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit. Çdo bashkëpunim me të gjithë këta aktorë ndërkombëtarë, ka qenë në interes të drejtësisë dhe plotësisht transparent qoftë në Prishtinë qoftë në Hagë. Gjithçka që thuhet tjetër, është e paqëndrueshme. Ky është çmimi i lirisë, unë besoj në paqe, pajtim, të vërtetën dhe drejtësi. Besoj se ky procesi do të jetë i drejt, transparent dhe i shpejtë”, ka thënë Thaçi.
Ajo ka thënë se sakrifica ia ka vlejtur, meqenëse pretendimet senatorit Marty për trafikim të organeve kanë rënë.
“Ne besuam në veten tonë për të qenë të lirë. Të gjithë e dinim se pa ndihmën e ndërkombëtarë e të Amerikës, nuk do të mund të ishim kurrë të lirë e të pavarur. Ne në Kosovë gjithmonë kemi mbështetur drejtësinë, e drejtësinë ndërkombëtare në veçanti. Kur raporti i Dick Martyt para 13 vitesh mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafik organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafik organesh, dhe se shpija e verdhë nuk kanë ekzistuar kurrë”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se pret që në fund të procesit të dal i pafajshëm.
“E dijmë se edhe unë edhe UÇK-ja edhe populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur. Unë pres të shfajësohem nga çdo akuzë tjetër ndaj meje në përfundim të këtij procesi”, ka thënë Thaçi.