Supremja s’e pranon avokaten e Jakup Krasniqit si mbrojtëse të ‘Calit’, cakton avokat kujdestar
Paneli i Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) nxori dy vendime lidhur me kërkesën e mundshme për mbrojtjen e ligjshmërisë në çështjen Salih Mustafa.
Në vendimin e parë, i cili u publikua të enjten, thuhet se Paneli përcaktoi se Venkateswari Alagendra nuk e kishte njoftuar Trupin Gjykues II (në të cilin njëri prej të akuzuarve është Jakup Krasniqi dhe të cilin ajo gjithashtu e përfaqëson) lidhur me synimin e saj që të përfaqësojë Mustafën, siç kërkohet me nenin 28(4)(1)(b) të Kodit të Etikës Profesionale, në mënyrë që të pranonte vendimin e Trupit Gjykues nëse ekziston ndonjë konflikt interesi.
“Rrjedhimisht, Paneli deklaroi se emërimi i Alagendras si avokate e re e Mustafës nuk ka efekt juridik dhe urdhëroi Administratoren që të caktojë mbrojtësin kujdestar për të përfaqësuar Mustafën derisa të zgjidhet çështja”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Po ashtu, në vendimin e dytë, thuhet se Paneli hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Mustafës lidhur me zgjatjen e afatit për të dorëzuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë pasi Venkateswari Alagendra për momentin nuk ka legjitimitet për të dorëzuar ndonjë kërkesë në emër të Mustafës, përfshirë kërkesën për zgjatjen e afatit.
“Paneli gjithashtu vuri në dukje se, edhe nëse Alagendra do ta gëzonte këtë legjitimitet, afatet kohore të parashikuara në Ligj (kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë duhet të dorëzohen brenda tre muajve nga aktgjykimi i formës së prerë) nuk mund të ndryshohen me Rregulloren e Punës dhe të Provave”, u tha në këtë njoftim.