Skandal: Punëtori i Kuvendit votohet nga “kolegët” për anëtar në Këshillin Prokurorial - NACIONALE

Skandal: Punëtori i Kuvendit votohet nga “kolegët” për anëtar në Këshillin Prokurorial

2 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Nesër në Kuvendin e Kosovës pritet të votohet një anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ai supozohet të jetë nga shoqëria civile. Njëri nga kandidatët që pritet të dalë në votim, e që ka marrë më së shumti pikë, del se s’është fare anëtar i shoqërisë civile. Madje Visar Krasniqi del se punon në Kuvend. Jo vetëm kaq, Krasniqi punon pikërisht në Komisionin për Legjislacion, aty ku edhe u vlerësua si i pari në listë.

Komisioni Vlerësues i formuar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit kishte intervistuar më 2 shkurt kandidatët nga shoqëria civile, Memli Ymeri dhe Visar Krasniqi, të cilët janë në garë për t’u zgjedhur anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Sipas pikëve të Komisionit, Visar Krasniqi prin i pari me 66 pikë të grumbulluara, ndërsa kandidati Memli Ymeri i dyti me 48 pikë të grumbulluara. Të dy kandidatët do t’i rekomandohen Kuvendit të Republikës së Kosovës për votim, në seancën e së enjtes.

Pse është problematike kandidatura e Krasniqit?

Në ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës në nenin 8 paragrafi 5 ku flitet për papajtueshmërinë e të qenit anëtar i Këshillit thuhet: “personi që punon për administratën, përfshirë personat që kryejnë detyra në Qeverinë apo në organet administrative, institucionet të themeluara me Kushtetutë apo të krijuara përmes legjislacionit” .

Pra, s’mund të bëhet anëtar dikush që punon në organet administrative ose institucionet e themeluara me Kushtetutë.

Tjetra, Visar Krasniqi pikët i mori, bash nga kolegët e tij. Ai edhe sot (e mërkurë) punon në Kuvendin e Kosovës si staf mbështetës i Komisionit për Legjislacion dhe Mandate. Aty ku doli më i votuari.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me Krasniqin. I pyetur se a e thotë ligji se nuk mund të bëhet anëtar dikush që punon në Kuvend, ai përgjijet.

Po, kështu është si po thua ti, por ka edhe ligje të tjera. Psh, Ligji për zyrtar publik e parasheh mundësinë që kur zgjidhesh në një pozitë që është e papajtueshme, duhet me u pezullu funksionin. Nëse më zgjedh Kuvendi unë e pezulloj funksionin në Komision.”

Ai tutje ka thënë se nuk ka pasur interesim nga Shoqëria Civile për këtë pozitë.

Nuk ka pasur interesim nga shoqëria civile për këtë funksion. Nuk po kanë interes, as nga shoqëria civile e as nga anëtarët e tjerë joprokuror.” – ka thënë ai.

I pyetur se a nuk i duket konflikt interesi, se ai pikët i mori nga kolegët e tij ku punon në të njejtin Komision si staf, Krasniqi është përgjigjur se “nuk ka marrë pjesë gjatë punimeve për intervistim të kandidatëve”.

Pse është i rëndësishëm anëtari në Këshill Prokurorial?

Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial. Kushtetuesja ka konstatuar se ligji, me të cilin VV-ja mburrej se po e reformon prokurorinë, duhet të bije në tërësi.

Shumë e nervozuar me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese ishte shprehur ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Në konferencë për media, ajo ka thënë se vendimi i Kushtetueses është absurd dhe i papranueshëm.

Por, ajo që ra në sy, ishte tendenca e ministres (nuk është e para), që vendimin e Gjykatës Kushtetuese ta sulmoi me opinionet pozitive të Komisionit të Venecias.

“Gjykatës Kushtetuese nuk i kanë mjaftuar vlerësimet profesionale nga Komisioni i Venecias. Ky injorim i opinioneve është goditje e madhe për Republikën e Kosovës dhe për rrugën që kemi para vetës”- ishte shprehur Haxhiu.

Krejt kjo nervozë, e ky tentim për Ligjin Prokurorial i Kosovës, nga njohësit është parë si tentim për t’a kapur këshillin, rrjedhimisht pozicionin drejtues të Prokurorëve.

Lajme të ngjashme