Skandal: Gjyqtari i Speciales thotë se Prokuroria nuk ka obligim t’i pyes dëshmitarët për krimet serbe në Kosovë
Gjykimi në Dhomat e Specializuara të Hagës në rastin e krerëve të UÇK-së, është intensifikura dukshëm. Ditëve të fundit, pjesa më e madhe e seancave kanë qenë të hapura, e si rezultat, interesimi është shtuar.
Gjatë javës së kaluar kur në Hagë po intervistohej ish-pjesëtari i UÇK-së, Skënder Zhitia, një moment interesant ndodhi gjatë seancës. Megjithatë, i njëjti nuk u vërejt e as nuk u raportua deri më tash. Gjyqtari i Gjykatës Speciale që do të duhej të ishte balancues mes mbrojtjes e Prokurorisë, sërish ia mbajti anën këtyre të fundit. Sipas tij, ZPS-ja nuk e ka për obligim të interesohet për krimet serbe në Kosovë.
SI NDODHI?
Kur avokatja e Jakup Krasniqit po i bënte pyetje dëshmitarit Zhitia për librat që ka shkruar, ajo u interesua për një libër të Skënder Zhitisë, ku evidentoheshin krimet serbe në Kosovë me dekada përpara.
Avokatja e Krasniqit ishte e interesuar të dijë nëse Prokuroria e Specializuar e kishte pyetur dëshmitarin për këtë libër, apo vetëm për ato që ndërlidheshin me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Kur keni renditur punimet tuaja, ju thatë se keni përfunduar një hulumtimi për politikat serbe nga viti 1834-1999. A ju kujtohet?”, pyeti avokatja e Krasniqit.
Përgjigja e dëshmitarit Zhitia ishte e gjatë, duke treguar se ai punim përmbante të gjitha informacionet e statistikat për gjenocidin e Serbisë në Kosovë ndër dekada.
“Është e botuar, i kam përfshirë të gjitha planet, elaboratet serbe, dokumentin Naçertania ku planifikohet dëbimi i shqiptarëve nga trojet shqiptare e deri te plani Patkoi në vitin 1999. Janë të përfshira të gjitha projektet, politikat serbe. Është i botuar në revista ndërkombëtare, në gjuhën angleze, dhe janë të gjitha dëbimet nga territoret në atë kohë të banuara me shqiptarë, shifrat e shqiptarëve të vrarë, dëmet e luftës, përfshi edhe 10-vjetorin e fundit të shekullit XX pas suprimimit të autonomisë, deri në planin Patkoi. Këtë mund ta gjeni është i botuar me statistika se çfarë gjenocidi ka ushtruar Serbia në Kosovë. Prandaj, zonja avokate, UÇK-ja organizatë politike e ushtarake, është projekti më i suksesshëm shqiptar në shekullin 20, jo vetëm që ka organizuar luftë të drejtë, por luftë të domosdoshme për ekzistimin e popullit shqiptar. Me luftën e vetë të drejtë ka arritur me bë aleatë forcën e NATO-s. UÇK-ja me këtë luftë e ka bërë epokën e vet, populli shqiptar mburret me UÇK-në dhe ata djem që e kanë themeluar UÇK-në. Emblemë që do të rrezatojë gjithmonë”, deklaroi dëshmitari Zhitia.
Megjithatë, ky përshkrim nuk i pëlqeu fort kryegjyqtarit Charles Smith.
“Faleminderit dëshmitar. Dëshmitar…Ju lutem që të përgjigjeni vetëm pyetjet që të drejtohen”, tha Smith para një jave.
Avokatja e Krasniqit vazhdoi të insistojë nëse Prokuroria e ka pyetur për këtë punim, në kuadrin e provave shfajësuese.
“Ajo që doja të dija prej jush është kjo: gjatë intervistës, prokuroria iu kërkoi kopje të këtij punimi”, tha avokatja.
“Jo”, ishte përgjigja e dëshmitarit.
“Nuk iu pyeti për përmbajtjen apo përfundimet e këtij punimi?”, pyeti sërish avokatja.
“Jo”, u përgjigj sërish Skënder Zhitia.
Këtu ndërhyu ashpër gjyqtari i Speciales, Charles Smith. Ai e pati një pyetje.
“Më falni, një çast. Qëndrimi juaj është se Prokuroria kishte për detyrim ta pyeste, këtë po përpiqeni ta thoni?”, u shpreh gjyqtari Smith.
Avokatja ia ktheu prerazi se Prokuroria e ka për detyrim të bëjë pyetje për provat shfajësuese.
“Të nderuar gjykatës, Prokuroria ka detyrimin të hetojë të gjitha informacionet fajësuese dhe shfajësuese në mënyrë të barabartë. Dhe kur ka informacione që janë relevante për kontekstin tone, nuk dua ta shtjellojë shumë se dëshmitari është këtu, unë mendoj që Prokuroria e ka pasur për detyrim”, tha avokatja.
Reagimi i gjyqtarit Smith ishte befasues. Ai u shpreh decitvisht se Prokuroria nuk e pati kurrfarë obligimi të bëjë pyetje për këtë temë.
“Nuk ka pasur kurrfarë detyrimi për këtë gjë. Vazhdoni ju lutem”, tha ai!
Raste të tilla ku gjyqtarët bëjnë pyetje e deklarata tendencioze, Nacionale ka publikuar edhe më herët.
Momentin mund ta ndiqni prej minutës 45 deri në 50: