S’ka pajisje për bartjen e kufomave e kundërmim: IML-ja dënohet me 6 mijë euro shkaku i kushteve të mjerueshme të punës - NACIONALE

S’ka pajisje për bartjen e kufomave e kundërmim: IML-ja dënohet me 6 mijë euro shkaku i kushteve të mjerueshme të punës

1 javë më parë

nga Besian Beha

Me 6 mijë euro gjobë është dënuar Instituti i Mjekësisë Ligjore si pasojë e kushteve të mjerueshme të punës në hapësirat e IML-së, që janë konstatuar nga Inspektorati i Punës. Nacionale ka siguruar gjetjet dhe vendimet, dhe sjell detaje.

Hapësirat e morgut s’kanë ventilim e janë pa ajrosje. Kufomat barten fizikisht pasi nuk ka pajisje për bartjen e tyre. Veturat për bartjen e kufomave nuk janë të izoluara, e si pasojë kundërmimi është i tmerrshëm. Këto janë vetëm disa nga gjetjet e Inspektoratit të Punës brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Për pasojë, Inspektorati e ka dënuar IML-në me gjashtë mijë euro gjobë. Gjoba e dytë brenda pak muajsh për këtë institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Gazeta Nacionale e ka siguruar raportin zyrtar të hartuar nga Inspektorati i Punës, dhe vendimin për gjobitjen me gjashtë mijë euro.

Raporti me gjetje ku tregohen kushtet e mjerueshme të punës në Institutin e Mjekësisë Ligjore, është hartuar në prill të këtij viti nga Inspektorati i Punës. Aty tregohet se në IML mungojnë duke nisur nga daljet emergjente, mungesa e ventilimit, mungesa e pajisjeve për bartjen e kufomave e deri te veturat për bartjen e kufomave që janë pa izolim e si pasojë shoferët përballen me kundërmim të tmerrshëm.

“Mungojnë pajisje për detektimin dhe sinjalizimin e situatave të zjarrit, mungon mirëmbajtja e rregullt e aparateve për fikjen e zjarrit, hidrantët të instaluara janë jashtë funksionit. Dyert e daljeve emergjente janë të mbyllura dhe pa qasje. Në hapësirat e morgut nuk ka ventilim adekuat ku vazhdimisht kundërmon. Ne pjesën e Ekzaminimeve klinike dalja/dera është e bllokuar qëllimshëm, nuk ka ventilim as ne salla të ekzaminimit dhe në zhveshtore”, thuhet në raportin e Inspektoratit të Punës.

“Hapësirat e laboratorëve janë pa ventilim adekuat dhe me qasje në aparatin e rëntgenit. Hapësira ku është i vendosur pajisje që gjeneron rreze Rëntgen nuk ka izolim adekuat, nuk posedon Licencë, dera në dhomën e rëntgenit nuk është adekuate, dera është e thjeshtë nga druri ku gjatë operimit me pajisjen me rëntgen rrezet depërtojnë jashtë dhomës dhe gjate operimit i tërë stafi i ekspozohet rrezatimit jonizues. Enët që përmbajnë kemikate janë të vendosura në mënyrë jo të sigurte në sallat e autopsisë, Salla e Antropologjisë i ekspozohet rrezatimit jonizues dhe zyrtarët të cilët punojnë në atë sallë nuk janë të pajisur me dozimetra për matjen e ekspozimit të rrezatimit jonizues”, bëhet e ditur më tutje në këtë raport që e ka siguruar Nacionale.

Ata që po e kanë më së vështiri, del të jenë zyrtarët e terrenit të cilët nuk kanë as veshmbathje adekuate. Bartjen e kufomave e kryejnë fizikisht, kurse hiç më mirë nuk janë as shoferët.

“Zyrtaret e terrenit të cilët ballafaqohen me raste te terreneve të vështira, kufomave të dekompozuara, teren me zjarre etj., nuk kanë pajisje adekuate dhe veshmbathje adekuate për këto situata, siç janë Hetuesit Mjekësor të Vdekjes dhe Asistentet e Morgut, Mungojnë pajisjet për bartjen e kufomave adekuate dhe sipas standardeve, zyrtaret i bartin rastet në mënyre fizike gjatë gjithë kohës deri në IML, edhe në ngarkime e shkarkime të rasteve bëhet tërësisht në mënyrë fizike”, thuhet në raport.

“Vetura për dalje në teren dhe bartjen e kufomave që në këtë veture udhëtojnë Asistenti i Morgut dhe Hetuesi mjekësor i vdekjes, nuk është konform standardeve të kërkuara, Vendqëndrimi i shoferit dhe pasagjerit, nuk është i izoluar në mënyrë përshtatshme që të ndalojë kundërmimin e rasteve të dekompozuara, e në veturat në rastet tona ka vetëm një ndarje fizike me llamarinë në mënyrë të pa përshtatshme. Hapësirat në veturat ku barten kufomat, nuk ka ajrosje adekuate dhe nuk ka izolim konform rregullave dhe sigurisë në punë”, theksohet në raportin e Inspektoratit të Punës.

Ky raport siç ka mësuar Nacionale i është dorëzuar Institutit të Mjekësisë Ligjore por edhe Ministrisë së Drejtësisë.

Bazuar në të gjitha këto gjetje, Inspektorati i Punës e ka dënuar Institutin e Mjekësisë Ligjore me gjashtë mijë euro. Kjo pasi nuk ka pasur asnjë dëshmi se Mjekësia Ligjore ka filluar punën për t’i përmirësuar këto kushte.

IML-ja ishte përgjigjur me një ankesë, por që pavarësisht pritjes nuk kanë dëshmuar se kanë ndërmarrë ndonjë veprim për përmirësimin e situatës.

Deri me datë 07.07.2023, dita kur edhe është nxjerr ky vendim, IML apo zyrtarët e IML-ës, nuk janë përgjigjur në kërkesën e dërguar, si dhe nuk kanë sjell dëshmi me të cilat do të dëshmonin se kanë filluar procedurat për eliminimin e pa rregullsive të cekura në Raportin Zyrtar 01/08-37/2023, të cilat pa rregulluesi edhe janë pranuar nga IML”, thuhet në vendim për dënimin e IML-së.

Për këtë raport është në dijeni edhe Minstria e Drejtësisë, e cila në një përgjigje për Nacionalen ka bërë të ditur se rasti është në procedurë ankimore. Ata kanë thënë se deri kur të përfundon gjithë procedura, ata nuk do të ndërmarrin asnjë masë.

“IML ka dorëzuar ankesë në IP ndaj këtij vendimi dhe derisa të mos përfundojnë të gjitha procedurat ankimore, MD nuk do te marrë asnjë masë. IML është duke kaluar nëpër një fazë tranzitore të riorganizimit të brendshëm dhe është duke u ballafaquar me sfida në këtë proces. Ne jemi të bindur se me vendosjen dhe shtrirjen plotë të strukturës organizative në IML, do të kemi një Institut funksional sipas standardeve ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Në dhjetorin e vitit 2022, Instituti i Mjekësisë Ligjore ishte dënuar me 3 mijë euro gjobë, po nga Inspektorati i Punës. Kjo pasi kishte konstatuar se ka shkelje të Ligjit për Sigurinë në Punë, duke mos vlerësuar rrezikshmërinë në hapësirat e IML-së për punëtorët.

Lajme të ngjashme