Shtatë vjet burg, për aksidentin me pesë viktima: Si e arsyetoi Gjykata vendimin? - NACIONALE

Shtatë vjet burg, për aksidentin me pesë viktima: Si e arsyetoi Gjykata vendimin?

9 muaj më parë

nga Besian Beha

Një familje u shua në vitin 2021, si pasojë e aksidentit të tmerrshëm në fshatin Koshare të Ferizajt. Në atë tragjedi, humbën jetën pesë anëtarë të familjes Ramadani. Xhevrije, Naim, Sabrije, Yll dhe Ibadete Ramadani.

Katër vjet pas këtij aksidenti, drejtësia ende është në udhëkryç për këtë rast. Disa aktgjykime, disa ekspertiza, disa tentime për ta manipuluar situatën e çka jo tjetër. Por, le t’i shkojmë me radhë.

I dyshuari që e shkaktoi aksidentin, Erton Musliu, u dënua me 8 vjet burg në vitin 2022. Apeli e ktheu rastin në rigjykim. Më 2024, shoferi që e shkaktoi aksidentin u dënua me shtatë vjet burg. Rasti sërish u kthye në rigjykim. E së fundmi, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar Erton Musliun sërish me shtatë vjet burg.

Pra, për aksidentin me pesë të vdekur, dënimi është shtatë vjet burg. Nacionale ka siguruar aktgjykimin e Gjykatës, dhe dokumente të tjera të rëndësishme të cilat e kanë përcjellur këtë proces gjyqësor tash e katër vjet.

Gjatë hulumtimit, janë pesë aspekte e dilema kryesore që duhet të sqarohen.

E para. Sipas aktgjykimit të Gjykatës, është e pakontestueshme se shkaktari i aksidentit ka qenë i riu Erton Musliu. Ai në momentet kritike ka qenë duke vozitur së paku 90km/h në zonën ku lejohet shpejtësi 50km/h. Si rezultat, shoferi ka humbur kontrollin në kthesë, ka dalur në shiritin e kundërt dhe e ka goditur veturën Golf 2 ku ishin pesë anëtarët e familjes Ramadani. Madje, sipas ekspertëve në aktgjykim, ata nuk kanë evidentuar se është funksionalizuar as sistemi i frenimit nga i akuzuari në momentin e aksidentit, përderisa sistemi i gazit ka qenë shtypur.

Çështja e shpejtësisë në momentin e aksidentit, edhe sot ka dilema. Eksperti Naser Lajqi në aktgjykim ka konstatuar se për ta humbur trajektoren e lëvizjes, shpejtësia duhet të jetë mbi 115km/h, çka kishte shtuar dyshimet se vetura Audi e të akuzuarit, kishte qenë në shpejtësi akoma më të madhe se 90km/h në momentin e ngjarjes. Kjo nuk u sqarua kurrë pasi sipas fjalës përfundimtare të mbrojtjes së familjes Ramadani, “Porsche Kosova” kishte refuzuar për ta dhënë kutinë e zezë, çka kishte nxitur dilema se po fshehën prova. Në aktgjykim, thuhet se kjo kompani ka konstatuar që shpejtësia ka qenë 81km/h, në kundërshtim me disa ekspertiza. Gjyqtarët kanë konstatuar se “Porche Kosova” nuk dha asnjë detaj se si ka arritur te ky konstatim. Edhe këtu, dilema.

I dënuari për këtë aksident, Erton Musliu lëvizjen e tij në krahun e kundërt e kishte arsyetuar me një pellg ujor që ishte krijuar në rrugë. Megjithatë, kjo doli se kishte qenë tentativë e tij për ta zbutur situatën. Sipas aktgjykimit, i akuzuari asnjëherë më herët nuk e kishte përmendur këtë pellg, por vetëm gjatë seancave, duke theksuar se ishte sajim. Kjo u vërtetua edhe me super-ekspertizë, ku sipas së cilës, bazuar në sasinë e reshjeve, ka qenë e pamundur që në atë rrugë të krijohet pellgu i ujit, të cilin i akuzuari e përmendi si arsyetim.

Çështja më e rëndësishme te kualifikimi i veprës penale. Familja Ramadani dhe mbrojtja e tyre kishte kërkuar që rasti të trajtohet ‘me dashje eventuale’, kurse mbrojtja e të akuzuarit insistonte në vepër të kryer ‘nga pakujdesia’. Pavarësisht se vetura ishte mbi 90k/h në orë në momentin e aksidentit, gjyqtarët me këtë aktgjykim, konstatuan se vepra është kryer nga pakujdesia e vetëdijshme. Sipas vendimit, Erton Musliu nuk ka pasur qëllim të shkaktojë pasojat me vdekjen e 5 personave, por ai ka qenë i vetëdijshëm se me veprimet që ka kryer, mund të ketë pasoja. Pavarësisht se në fillimet e procesit rasti ishte kualifikuar me dashje eventuale, në fund gjykata e vlerësoi nga pakujdesia e vetëdijshme. Si rezultat, i akuzuari u dënua me 7 vjet burg, për aksidentin me 5 viktima.

Erton Musliu kishte qenë edhe më herët i dënuar për veprën e njëjtë, pra për aksident në komunikacion. Në vitin 2018 ai duke shkelur rregullat e trafikut, nuk ishte ndalur në shenjën stop në një rrugë në Ferizaj, dhe e godet një veturë tjetër duke i shkaktuar lëndime shoferes. Si rezultat, Gjykata e kishte dënuar Erton Musliun me 200 euro gjobë. Pra, i akuzuari Musliu edhe më herët kishte qenë i dënuar për aksidente në trafik. Edhe pse Gjykata e përmendi si rrethanë rënduese, Musliu u dënua me 7 vjet burg.

Madje, në fjalën përfundimtare të mbrojtjes së familjes Ramadani, në këtë dokument, theksohet se Erton Musliu gjatë gjykimit, pavarësisht pasojave të mëdha dhe shuarjes së një familje të tërë, kishte shfaqur qëndrim shamngës dhe nuk e kishte pranuar përgjegjësinë.

Vepra penale për të cilën është gjykuar Musliu, parasheh dënime prej 3 deri në 12 vjet burg. Shoferi u dënua me shtatë vjet burg, dhe nëse llogaritet për jetët e humbura, i bie që ai nuk do të vuajë as 1 vit e gjysmë burgim për secilin prej viktimave. Në dënimin prej 7 vitesh atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, kohë të cilën e ka mbajtur për gati 3 vjet. Pra, të mbetura i ka edhe 4 vjet të tjera.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse Gjykata e Apelit sërish do të evidentojë ndonjë shkelje në këtë rast, dhe cili do të jetë vendimi përfundimtar.

Lajme të ngjashme