Shkarkimi i U.D Kryeprokurorit dhe hallakama në mbledhje: Çka ndodhi?
Besim Kelmendi, U.D i Kryeprokurorit, është shkarkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Me 5 vota për, anëtarët thanë se ai u shkarkua. Por në anën tjetër, shoqëria civile e anëtarët e tjerë të KPK-së, po theksojnë se nuk ka pasur kuorum.
Por, çka ndodhi?
Shkarkimi erdhi një ditë pasi Besim Kelmendi u intervistua si dëshmitar për masakrën e Reçakut. Kjo shkaktoi reagime të mëdha në Kosovë. Megjithatë, Kelmendi mohoi akuzat.
Zv/kryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli, në mbledhjen e sotme propozoi shkarkimin e Kelmendit.
“Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit lidhur me pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, që është pozicionuar me një grup të caktuar të anëtarëve të KPK-së dhe nuk përfaqëson unitetin e Këshillit Prokurorial për çka është zotuar, si dhe duke pasur parasysh edhe kërkesat e ndryshme të cilat janë publike, tashmë që Këshilli Prokurorial të propozojë shkarkimin e u.d Kryeprokurorit të Shtetit, kërkoj që kjo pikë e rendit të ditës sot të futet në takimin e Këshillit Prokurorial si pikë e rendit të ditës me propozim për shkarkimin e tij”, tha Grantolli, raportoi sot Betimi për Drejtësi.
Megjithatë, disa prej anëtarëve kundërshtuan ashpër, duke përfshirë edhe vetë Besim Kelmendin.
“Sepse njerëzit të cilët janë duke planifikuar gjithë këtë lojë, janë pjesë e gjithë një plani. Ky është plan, sepse dëshirojnë ta kenë njeriun që kanë interes të pastër. Dëshirojnë me pas një njeri i cili dje gjatë seancës dëgjimore ku jam dëgju si dëshmitar, ka qenë prezent jo njëherë, por dy herë- për me shiku a jam unë ai që po po flas e për çka po flas. Ju lutem, çdo gjë për këtë plan të tmerrshëm të një grupi për një interes të një individi të cilin e kam përkrah vazhdimisht, është mëse e turpshme dhe joligjore”, tha Kelmendi.
Pasi u larguan disa prej anëtarëve, KPK-ja e hodhi në votim, dhe me 5 vota për u konstatua shkarkimi i tij, duke emëruar Agron Qalajn si U.D Kryeprokuror.
Megjithatë, anëtarët që e lëshuan mbledhjen, dolën në konferencë për media, dhe thanë se vendimi ishte i jashtëligjshëm.
Visar Krasniqi- anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ka thënë se nuk ka pasur njoftim për vazhdimin e mbledhjes në të cilën u shkarkua Besim Kelmendi nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Kosovës.
“Kjo situatë dëshmon se largimi i pesë anëtarëve nuk ka qenë bojkot apo sabotim por një ndërhyrje e domosdoshme për të mbrojtur ligjin dhe për të parandaluar një vendim të paligjshëm që do t’i shkaktonte dëm serioz sistemit prokruroial. Andaj përmes kësaj konference ftojmë institucionet relevante të vlerësojnë shkeljet e kryera sot nga pesë anëtarët e KPK. Ftojmë AKI-në për të vlerësuar situatën dhe ruajtën e sigurisë juridike në vend, institucion ky që tashmë KPK e ka larguar nga aktet normative të komunikimit me të. Po ashtu ftojmë Policinë e Kosovës që të kujdeset për nivelin e sigurisë për anëtarët që jemi këtu”, tha ai.
Teksa tha se Kelmendi do të vazhdoj mandatin, ai tha se shkarkimi i tij është tendencë për të marrë kompetencat në kundërshtim me ligjin.
“Kryeprokurori i shëtit zoti Besim Kelmendi vazhdon detyrën. Përderisa nuk ekziston një vendim i ligjshëm, UD i kryeprokruorit të Shtetit, besim Kelmendi vazhdon mandatin në përputhje me ligjet në Kosovë sepse vendimi i sotëm është pa efekt juridik. Vendimi i sotëm është i papranueshëm, i paligjshëm dhe është tentativë e qartë për marrje të kompetencave në kundërshtim me ligjin. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes së ligjshmërisë”, deklaroi ai.
Edhe disa organizata të shoqërisë civile kanë dalur me komunikata, duke theksuar se vendimi ka qenë i jashtëligjshëm pasi nuk ka pasur kuorum.
Një reagim e pati edhe U.D ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu.
“Kjo situatë, e cila po shfaqet hapur përmes kërkesave të ndërsjella për shkarkime, tregon qartë se KPK ka një problem thelbësor të funksionimit: një përbërje e fragmentuar, e përçarë, e cila nuk arrin të vendosë mbi bazën e profesionalizmit dhe integritetit, por sipas linjave të brendshme të influencës. Drejtësia nuk mund të ecë përpara nëse organi që garanton pavarësinë dhe llogaridhënien e prokurorëve vetë funksionon me logjikën e grupeve dhe të dominimit të brendshëm. Shkarkimi i kundërligjshëm i u.d. Kryeprokurorit, Besim Kelmendi, është shkelje flagrante e ligjit nga ata të cilët duhet të jenë zbatuesit më të përpiktë të tij. Kosova ka nevojë për institucione të drejtësisë që punojnë për qytetarët, jo për grupime brenda zyrave. Zhvillimet e fundit ngrisin alarmin për vazhdim të reformës së thellë për përgjegjësi dhe transparencë në çdo nivel të sistemit të drejtësisë”, tha Sallahu.
BE-ja e kritikoi këtë vendim, duke thënë se i pengon reformat në drejtësi.