Qysh u bë që punëtori i Kuvendit të zgjidhet anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës? - NACIONALE

Qysh u bë që punëtori i Kuvendit të zgjidhet anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës?

2 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Në Kuvendin e Kosovës me 74 vota u zgjodh një anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Visar Krasniqi u zgjodh anëtar i Këshillit Prokurorial si anëtar joprokuror, por nga shoqëria civile. Krasniqi, del se s’është fare anëtar i shoqërisë civile. Madje Visar Krasniqi del se punon në Kuvend. Jo vetëm kaq, Krasniqi punon pikërisht në Komisionin për Legjislacion, aty ku edhe u vlerësua si i pari në listë.

Sipas pikëve të Komisionit, Visar Krasniqi doli i pari me 66 pikë të grumbulluara, ndërsa kandidati Memli Ymeri i dyti me 48 pikë të grumbulluara. Ndërsa në Kuvendin e Kosovës ai u “mbivotua”. Pra, mori vota më shumë se sa që ka edhe vet mazhoranca (74).

Pse është problematike kandidatura e Krasniqit?

Në ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës në nenin 8 paragrafi 5 ku flitet për papajtueshmërinë e të qenit anëtar i Këshillit thuhet: “personi që punon për administratën, përfshirë personat që kryejnë detyra në Qeverinë apo në organet administrative, institucionet të themeluara me Kushtetutë apo të krijuara përmes legjislacionit” .

Pra, s’mund të bëhet anëtar dikush që punon në organet administrative ose institucionet e themeluara me ligj e Kushtetutë.

Tjetra, Visar Krasniqi pikët i mori, bash nga kolegët e tij. Ai punon në Kuvendin e Kosovës si staf mbështetës i Komisionit për Legjislacion dhe Mandate. Aty ku doli më i votuari.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar një ditë më parë, me Krasniqin. I pyetur se a e thotë ligji se nuk mund të bëhet anëtar dikush që punon në Kuvend, ai përgjijet.

Po, kështu është si po thua ti, por ka edhe ligje të tjera. Psh, Ligji për zyrtar publik e parasheh mundësinë që kur zgjidhesh në një pozitë që është e papajtueshme, duhet me u pezullu funksionin. Nëse më zgjedh Kuvendi unë e pezulloj funksionin në Komision.”

Ai tutje ka thënë se nuk ka pasur interesim nga Shoqëria Civile për këtë pozitë.

Nuk ka pasur interesim nga shoqëria civile për këtë funksion. Nuk po kanë interes, as nga shoqëria civile e as nga anëtarët e tjerë joprokuror.” – kishte thënë ai.

I pyetur se a nuk i duket konflikt interesi, se ai pikët i mori nga kolegët e tij ku punon në të njejtin Komision si staf, Krasniqi është përgjigjur se “nuk ka marrë pjesë gjatë punimeve për intervistim të kandidatëve”.

Pse është i rëndësishëm anëtari në Këshill Prokurorial?

Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial. Kushtetuesja ka konstatuar se ligji, me të cilin VV-ja mburrej se po e reformon prokurorinë, duhet të bije në tërësi.

Shumë e nervozuar me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese ishte shprehur ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Në konferencë për media, ajo ka thënë se vendimi i Kushtetueses është absurd dhe i papranueshëm.

Por, ajo që ra në sy, ishte tendenca e ministres (nuk është e para), që vendimin e Gjykatës Kushtetuese ta sulmoi me opinionet pozitive të Komisionit të Venecias.

“Gjykatës Kushtetuese nuk i kanë mjaftuar vlerësimet profesionale nga Komisioni i Venecias. Ky injorim i opinioneve është goditje e madhe për Republikën e Kosovës dhe për rrugën që kemi para vetës”- ishte shprehur Haxhiu.

Krejt kjo nervozë, e ky tentim për Ligjin Prokurorial i Kosovës, nga njohësit është parë si tentim për t’a kapur këshillin, rrjedhimisht pozicionin drejtues të Prokurorëve.

Meqenëse me ligj s’e ndryshuan dot përbërjen e Këshillit, zgjedhja e anëtarëve sidomos joprokuror është njëra nga mundësitë e pushtetit për t’a shtrirë ndikimin aty.

Lajme të ngjashme