Qeveria publikon rregulloret për rrezikun në punë: Çka do të thotë kjo për Policinë?
Policia e Kosovës mbetet ndër institucionet me besueshmërinë më të lartë në vend. Jo rrallë herë, puna e tyre karakterizohet me rrezikshmëri e kushte specifike të punës.
Paga jo të mira, e kushte të papërshatshme të punës kanë qenë vetëm disa nga ankesat e vazhdueshme të tyre. Ligji i Ri i Pagave u prit me padurim nga ta. Përveç pagës bazë, aty pritej të rregulloheshin edhe kushtet e punës, që kanë të bëjnë me rrezikshmërinë në punë, e specifika të tjera.
Tash kur jemi në javën e parë të hyrjes në fuqi të Ligjit të Ri, duket se zhgënjimi e ka kapluar këtë institucion. Së paku kështu mund të lexohet, iniciativa e Sindikatës së Policisë për ta dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese përmes Avokatit të Popullit.
Në fakt, Sindikata vendosi ta dërgoj Ligjin te Avokati i Popullit ende pa dalë rregullorja, ku pritej të adresoheshin kushtet specifike të punës së tyre. Kjo rregullore doli në Gazetën Zyrtare, të hënën e 6 shkurtit, një muaj pas ligjit, ashtu siç parashihet me ligj.
Shtesa për kushte specifike të punës – çka (s) u rregullua?
Me Ligjin e Ri të Pagave e me rregulloret për shtesat që u publikuan këtë të hënë, del të jetë e pakënaqur Sindikata e Policëve të Kosovës.
Pikërisht për këto arsye edhe është dërguar një kërkesë të Avokati i Popullit nga Sindikata, në mënyrë që ligji të shkoj në filtrate e Gjykatës Kushtetuese.
Nacionale ka biseduar me Kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, z. Imer Zeqiri, për ta pyetur për këto rregullore, konkretisht se sa i përmbushin ose jo kushtet të cilat tash e sa kohë i kërkon kjo Sindikatë.
“Unë jam informuar në lidhje me këtë rregullore. Pikërisht për rrezikshmërinë e për kushtet specifike në punë, ne e kemi dorëzuar një kërkesë te Avokati i Popullit, që ky ligj të shkoj në Kushtetuese. Ligji i pagave e ka paraparë vetëm 1% të buxhetit të pagave për shtesat. Ne e kemi përllogaritur se sa deri më tani është paguar rrezikshmëria për Policinë e Kosovës, dhe ajo është jashtëzakonisht modeste. Me informacionet që i kemi ne, me këtë ligjin e ri, i bie që për një pjesë të Policisë, mos të paguhen fare shtesa për rrezikshmëri.”- ka thënë Zeqiri.

Tutje ai ka shfaqur pakënaqësinë e tij dhe SIndikatës edhe me shtesat e tjera të parapara me këto rregullore, siç janë ndrrimet e natës, puna gjatë festive, e jashtë orarit të punës.
Zeqiri ka thënë se buxheti i ndarë për këto shtesa, është i pamjaftueshëm.
“Ne jemi të pakënaqur edhe me shtesat e tjera që i prekë pjesarët e Policisë së Kosovës, psh. Ndrrimet e natës, puna gjatë festiave, puna gjatë ditëve të vikendit, si dhe orët shtesë jashtë orarit të punës, për të gjitha këto është ndarë buxhet jashtëzakonisht i vogël.”, deklaroi ai.
Sa para do të marë polici i lartë për rrezikshmërinë në punë? Po ata të Njesisë ROSU?
Këto përgjigje janë pritur sidomos me publikimin e këtyre akteve nënligjore nga ana e Qeverisë, por aty shpjegohen vetëm procedurat, që duhet të ndiqen deri të konkretizohen materialisht këto shtesa. Pra, diçka konkrete nuk ka.
Çka thuhet në rregullore?
Në rregullore janë specifikuar kategoritë të cilat mund të përfitojnë nga këto shtesa, mirëpo ende mbetet mister shtesa konkrete për pozitat konkrete, krejt kjo pasi në rregullore thuhet se secili institucion që vlerëson se ka zyrtarë publikë që plotësojnë kriteret për të përfituar nga kjo shtesë, duhet të dorëzojnë një kërkesë te Komisioni përkatatës.
“Secili institucion që vlerëson se ka zyrtarë publikë dhe të punësuar të tjerë që plotësojnë kriteret për të përfituar këtë shtesë dorëzon kërkesën për miratim të shtesës për pozitat përkatëse tek Komisioni sipas paragrafit 2 të këtij neni.” - thuhet në rregullore.
Tutje aty përmenden specifikat që duhet të plotësohen për tu llogaritur si zyrtarë publik që kanë kushte specifike të punës dhe që ua rrezikojnë jeten apo shëndetin.
“Shtesa për kushte specifike të punës është shtesë mujore që përfitohet nga zyrtarët publik dhe të punësuarit e tjerë që janë të ekspozuar ndaj rrezikshmërisë së shtuar në vendin e punës ose kanë kushte specifike të punës që ua rrezikojnë jetën dhe/apo shëndetin.
“Kategoria e pozitave që janë të ekspozuara ndaj rrezikshmërisë në vendin e punës ose kanë kushte specifike të punës që ua rrezikojnë në mënyrë të shtuar jetën, për të përfituar këtë shtesë mujore, duhet të plotësojnë kriteret si në vijim; hetimi në teren, ku për shkak të detyrës përballen në mënyrë të drejtpërdrejtë me rrezikshmërinë e jetës gjatë punës, kryerja e detyrave në operacione të rrezikshme, të cilët për shkak të detyrës përballen në mënyrë të drejtpërdrejtë me rrezikshmërinë e jetës gjatë punës.” – thuhet në rregullore.
A do të shkojë ky Ligj në Gjykatën Kushtetuese e të pezullohen edhe këto rregullore për kushtet në punë, apo Avokati i Popullit nuk do t’a marrë një hap të tillë, e Policia do të detyrohet që ta përgatisë listën me zyrtarët e saj që i ekspozohen rrezikut për jetën, mbetet të shihet.
Tashmë janë mbi 13 kërkesa pranë zyrës së Avokatit të Popullit, që ky Ligj të kaloj nëpër testin e kushtetutshmërisë.
