"Qetësi para stuhisë" - Krejt çka duhet të dini për gjykimin që pritet të fillojë ndaj krerëve të UÇK-së
Ka përfunduar edhe konferenca e fundit statusore para nisjes së gjykimit në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Gjykimi pritet të fillojë më 3 prill, përderisa konferenca e sotme statusore është shoqëruar me përplasje lidhur me kohëzgjatjen e gjykimit.
Më 3 prill kur edhe do të fillojë gjykimi, Prokuroria do të ketë deri në pesë orë për deklaratat hapëse.
Ndërsa, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi do t’i ketë tri orë për fjalën e saj hyrëse, ekipi i Kadri Veselit 45 minuta, mbrojtja e Rexhep Selimit një orë, ndërsa ajo e Krasniqit një orë e gjysmë.
Kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith ka kërkuar nga palët të respektojnë kohën, derisa ka theksuar se mbrojtësit duhet të përqendrohen në çështje që lidhen me akuzat dhe të njëjtit të shmangin deklaratat të natyrës politike.
6 vjet e gjysmë, shtabi i përgjithshëm, komunikatat e UÇK-së
Qysh në nisje të gjykimit kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se 6 vjet e gjysmë për dëshmitarët e Prokurorisë është kohë tepër e madhe.
“Është e tepërt koha që është kërkuar vetëm nga ZPS-ja për ta paraqitur rastin e saj. Edhe mbrojtja duhet të reduktojë kohën për të marrë në pyetje dëshmitarët. Vetëm me dëshmitarët e Prokurorisë me këtë ritëm duhen 6 vjet e gjysmë për t’i përfunduar”, ka thënë Smith, raporton Nacionale.
Megjithatë, përfaqësues të Prokurorisë së Specializuar kanë thënë se janë duke bërë analizat e tyre për ta zvogëluar kohën e marrjes në pyetje.
Gjatë seancës, Prokuroria ka folur lidhur me disa prova që i ka sekuestruar në shtëpitë e të akuzuarve. Aty kanë përmendur konkretisht komunikatat e UÇK-së.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, deklaroi se Prokuroria e ka gabuar tërësisht mënyrën e organizimit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.
“Më lejoni të theksoj një pjesë: në përpjekje për të kryer barrën e provës ZPS-ja e ka keqkuptuar dhe keqparaqitur rolin e Shtabit të Përgjithshëm në UÇK duke e përshkruar gabimisht si organizatë nga lart poshtë, që kontrollohej nga ana operacionale nga shtabi. Nuk shtrohet vetëm çfarë themi ne: dy trupe gjykuese të Tribunalit janë mbështetur në të njëjtat prova, që shtabi i përgjithshëm përbëhej nga një grup i shpërndarë, që nuk e njihnin njëri-tjetrin. Dhe jo domosdoshmërisht e dinin se cilët ishin anëtarët e tjerë. Që nuk komunikonin për të njëjtat arsye. Takoheshin rrallë mes vete. Citon paragrafët e vendimit të Limajt dhe Haradinajt. Hierarkia e UÇK-së nuk njihej”, tha Emmerson, raporton Nacionale.
Një nga anëtarët e trupit gjykues i ka pyetur avokatët lidhur me ndalimin arbitrar dhe mënyrën se si mbrojtja po dëshiron ta orientojë rastin e saj si vetëmbrojtje.
“A është synimi i ZPS-së që të tregojë se UÇK-ja nuk ka pasur autoritet të ndalojë persona, sepse atëherë kanë qenë në fuqi ligjet jugosllave. A kanë pasur të drejtë sipas ligjit ndërkombëtar, edhe këtë nuk e kanë treguar? Cilat janë garancitë që një aktor joshtetëror duhej të jap njerëzve që i mban në paraburgim? UÇK-ja në kohën e ngjarjeve që flitet këtu, kundërshtonte një shtet. A i ka dhënë Ligji serb UÇK-së të drejta për të ndaluar? Ti mban përgjegjësi nëse dikush e ka vrarë dikënd pa dijeninë tënde”, deklaroi avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq.
Këtu u përfshi edhe Ben Emmerson, avokati i Kadri Veselit.
“Nuk ka dyshim se ekzistenca e UÇK-së gjatë vitit 1998-1999 si një grumbullim njerëzish që thjeshtë luftonin në kuptimin e gjerë, kishte për qëllim të mbronin vendin dhe qytetarët e tyre kundër Serbisë. Ne pajtohemi me atë që tha Misetiq për ndalimin. Do të argumentojmë se nuk është shkelje e të drejtës humanitare ndërkombëtare apo krim që gjykohet në këtë juridiksion përnjë grup joshtetëror të armatosur që të ndalojë dikënd që ka qenë luftëtar armik, që ka qenë civil që merret pjesë në luftime, ose është një person bashkëpunëtor që dyshohet se jep informacion armikut. Këto nuk janë krime që njihen nga e drejta ndërkombëtare”, deklaroi Ben Emmerson.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020. Në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm. Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetisht
Gjykata Speciale ka publikuar ditë më parë emrat e disa prej viktimave, për të cilat Nacionale ka raportuar se janë përdorur edhe në Tribunalin e Hagës në rastin e Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt. Numri total i viktimave ka kaluar në 150, përderisa qindra të tjerë janë refuzuar.
Ditë më parë është bërë publike edhe dosja paraprake e Kadri Veselit. Gjykimi sipas parashikimeve, të paktën do të zgjasë 5 vjet. E gjithë kjo varet nga mënyra se si do të shkojë intervistimi i dëshmitarëve.
Krerët e UÇK-së që nga arrestimi janë në paraburgim, dhe atyre u janë refuzuar të gjitha kërkesat për mbrojtje në liri. Trupi gjykues kishte konstatuar se Prokuroria nuk i ka nxjerrë në kohë provat shfajësuese për krerët e UÇK-së.
Prokuroria ka më shumë se 300 dëshmitarë, prej të cilëve do të ketë edhe ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që do të flasin për strukturën dhe organizimin e UÇK-së.


