Punimet nisën në vitin 2021, Radojiçiq qëndroi dy muaj aty: Çka thanë dëshmitarët për vilën në Ujman?
Dosja e aktakuzës ndaj 45 të dyshuarve, në krye me Milan Radojiçiq, për organizimin e sulmit të Bajsnkës, sjell detaje të reja edhe nga ndërtimi i vilës në Ujman, e cila tashmë është sekuestruar. Disa nga dëshmitarët e marrë në pyetje, kanë deklaruar se punimet kanë nisur rreth vitit 2021.
Në lidhje me vilën që u sekuestrua pas sulmit të Bajnskës, në opinionin publik janë ngritur shumë pikëpyetje, duke parë se e njëjta është ndërtuar gjatë viteve 2021 e 2022.
Njëri nga dëshmitarët që ka punuar në objektin e vilës, ka treguar se punimet fillestare nisën në vitin 2021:
“Dëshmi apo prova të cilat vërtetojnë se i pandehuri Milan ishte pronar faktik i “RAD D.O.O.” janë deklarata e dëshmitarit (A.R) , i cili ishte marrë në pyetje me datë 16.02.2024, ku ka deklaruar se në fillim të vitit 2020 ishte punësuar si murator te kompania RAD, nga kjo kompani kishte qenë i angazhuar që të punoj tek Vila e Radoićićit dhe shton se punët të cilat i ka kryer në këtë vilë kane qenë puna e vrazhdë e objektit sikurse muret, shkallët, ku ishte i angazhuar që nga punimet fillestare në këtë vilë që kishin filluar në vitin 2021, ndërsa e vërteton se përgjegjës për ndërtimin e kësaj vile ka qenë Filip Avramovic”.

Dëshmitari tjetër, ka treguar se si në maj të vitit 2021, kishte takuar Milan Radojiçiq duke i kërkuar që ta punësojë në vilë:
“Më datë 21.05.2024, në DHKEK-NJIHF është marrë përsëri në pyetje në cilësi të dëshmitarit M.S, në prezencë të përkthyeses së licencuar Valdete Kalaja, i cili ka deklaruar se së bashku me shokun e tij Darko kishin dëgjuar se është duke u ndërtuar një objekt, kishin shkuar për të kërkuar punë si punëtor fizik, herën e fundit që kishin shkuar ishte muaji Maj i vitit 2021 dhe e kishin takuar Milan Radoićić, fillimisht ishin përshëndetur me Milanin dhe kishin kërkuar punë si punëtor fizik, mirëpo Milani ju kishte thënë se nuk ka nevojë për punëtor fizik por vetëm për 4 punëtor roje pasi që objekti kishte nevojë për roje”.

Sipas dëshmive në dosjen e aktakuzës, të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, njëri nga dëshmitarët ka treguar se kryekrimineli Milan Radojiçiq gjatë vitit 2021 kishte qëndruar për dy muaj në këtë vilë dhe se kishte shkuar me dy vetura me targa të Beogradit.
“Më tej, dëshmitari ka deklaruar se në fillim nuk i ka njohur Bojan Jaksicin dhe Milan Radoićićin, por i kujtohet që Milani një herë kishte qëndruar 2 muaj në këtë vilë në vitin 2021, kishte ardhur me dy vetura (Skoda) të zeza me targa të Beogradit, si dhe vinte Ema me një grua nga Milano. Në pyetjen sa ishte numri i punëtorëve në vilë, dëshmitari ka deklaruar se ishin 4 rojtar ( unë, M.S, A.D dhe R.B), pastaj dy punëtorë për mirëmbajtjen e objektit (S.R dhe I.S), aty janë gjithashtu gratë e tyre që punon si pastruese, që do të thotë se në vilë gjithsej 8 punëtorë kanë punuar”.

Rreth vilës gjatë marrjes në pyetje, ka folur edhe Ema Radojiçiq, ish-bashkëshortja e Milan Radojiçiq. E njëjta, ka deklaruar se vila është ndërtuar “pas koronavirusit”.
“Po ashtu, ka deklaruar se e di që Milani e ka ndërtuar Vilën tek Liqeni i Ujmanit, pas koronavirusit, nuk e di kush kanë qenë punëkryesit dhe nuk e di sa ka investuar në atë vilë. Më tej ka shtuar se Milani e ka përdorur vilën, ka shkuar me fëmijët ndoshta dhjetë herë dhe zakonisht kur Milani nuk ishte atje, ndërsa ka deklaruar se nuk e di sa është pasuria e ish bashkëshortit të saj – Milanit”.
Të gjitha lajmet në lidhje me ngritjen e aktakuzës, mund t’i lexoni në KËTË LINK.