Prokuroria Speciale: Ridvan Muharremi u intervistua në cilësinë e të pandehurit
Prokuroria Speciale e Kosovës ka dalur me njoftim pas intervistimit të Ridvan Muharremit.
Nga kjo prokurori kanë bërë të ditur se Ridi është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për një rast penal.
E kujtojmë, se rasti në fjalë është skandali me rezervat shtetërore.
“Pas interesimit për të marr informacion nga një numër i madh i gazetarëve, Prokuroria Speciale informon se sot, Ridvan Muharremi, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. I njëjti është duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurit për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, thuhet në njoftim.
Që në mëngjes, Nacionale raportoi se Ridvan Muharremi, i njohur si “Ridi” dhe pronar i kompanisë “Bukë e Zemër”, është duke u intervistuar nga Prokuroria Speciale në lidhje me çështjen e rezervave shtetërore.
Tashmë intervistimi ka përfunduar. Siç raporton ekipi i Nacionales, ai është larguar nga objekti i Prokurorisë Speciale, ndërsa nuk ka pranuar të deklarohet për media.
Për media nuk është deklaruar as avokati i Muharremit, Muhamet Halimi
Lajmin e ka konfirmuar për Nacionalen, avokati i Ridit, Mahmut Halimi.
“Po, për rastin e rezervës. Në cilësinë e të dyshuarit është, tash te këqyrim çka po thotë Prokurori”, tha Halimi.
Muharremi njihet si pronar i restorantit "Bukë e Zemër", dhe gjithashtu i afërt me kryeministrin Kurti. Madje, lokalin e Ridit, Kurti e kishte vizituar edhe me emisarin Miroslav Lajçak.
Nacionale kishte raportuar për një sasi të madhe të grurit, vajit e sheqerit, që ishte paguar për rezervë shtetërore, por mall i cili nuk kishte ardhur asnjëherë.
Pavarësisht se rezerva kishte qenë temë e klasifikuar si sekret, me të ishte marrë edhe pronari i Bukë e Zemër, Ridvan Muharremi.
Për këtë temë, muaj më parë ishte intervistuar edhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari.
“Rozeta Hajdari, Ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore. Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale ka shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje”- thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, pas përfundimit të deklaratës në Prokurorinë Speciale të Kosovës, kishte thënë se nuk është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës për keqpërdorimin e rezervave shtetërore, por për legjislacionin në fuqi për rezervat shtetërore.
“Kjo kërkon qartësi në legjislacionin në fuqi që është Ligji për Rezervën Shtetërore, Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe ligjet tjera, prandaj derisa t’i marrim qartësitë përkatëse, ne do të bëjmë kërkesën dhe të vijmë t’ju japim përgjigjet që kanë nevojë t’i marrin”, u shpreh ajo.
Pas raportimit të Nacionales, ishin arrestuar tre të dyshuar: Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.
Më pas, ata ishin liruar nga paraburgimi me vendim të Gjykatës së Apelit.
Avokati i Ridvan Muharremit, e kishte akuzuar direkt ministren Rozeta Hajdari, duke thënë se ajo e kishte angazhuar klientin e tij në rastin e rezervave.
“E ka angazhuar Ministria. Drejtpërdrejt ministrja Hajdari. E ka njohur si persona afarist, që ka traditë të gjatë, ka rreth të gjerë të miqve të vetë. Janë mysafir të cilët shkojnë në Restaurantin e tij. Ka një restaurant modest ku shërbehen ushqime tradicionale. Sjellje e shkëlqyer, pritje, nuk ka shkuar vetëm Kurti e ministrat. Por plot ambasadorë”, deklaroi avokati Halimi.
Në konferencë për media, ministrja e Industrisë, Ndërmmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ishte pyetur për afaristin Ridvan Muharremi, i cili është pronari i restorantit “Bukë e Zemër” dhe i njëjti është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.
Hajdari ka deklaruar se Muharremi nuk është në ndonjë kontraktim të kontratave për rezerva shtetërore.
Ajo tutje ka thënë se vetë i ka nënshkruar kontratat për rezerva shtetërore që janë sekret.
“Unë s’kam asnjë informacion që personi në fjalë është në ndonjë kontraktim të kontratave për rezerva shtetërore. Unë vetë si ministre i kam nënshkruar kontratat për rezervat shtetërore që janë si sekret. Përndryshe ministria ka nënshkruar shumë operator, por jo vetëm një.” - ka thënë Hajdari.