Prokuroria fton konferencë për media për rastin e Liridona Ademajt, pritet njoftimi për ngritjen e aktakuzës - NACIONALE

Prokuroria fton konferencë për media për rastin e Liridona Ademajt, pritet njoftimi për ngritjen e aktakuzës

4 javë më parë

nga Besian Beha

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ftuar konferencë për media për ditën e mërkurë.

Ajo ka bërë të ditur se rasti ndërlidhet me vrasjen e Liridona Ademajt.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, ju fton të merrni pjesë në konferencën për media për rastin e Liridona Ademajt, e cila do të mbahet me datë 15.01.2025 me fillim nga ora 10:00, në objektin e Prokurorisë Themelore Prishtinë, Salla e Konferencave, Kati 0”, thuhet në njoftim.

Nacionale ka mësuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzën ndaj të dyshuarve për rastin e Liridona Ademajt.

Liridona Ademaj ishte vrarë në nëntorin e vitit 2023, dhe deri më tash ka pasur kritika për vonesën në ngritjen e aktakuzës.

Rastin e vrasjes së Liridona Ademajt e ka hetuar prokurorja serbe, Javorka Perlinçeviq.

Në një përgjigje për Nacionalen javë më aprë, Prokuroria vetëm ka thënë se hetimet po vazhdojnë, e nuk mund të ofrojnë më shumë detaje.

“Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, ju njoftojmë se çështja penale të cilës i referoheni është akoma në fazën e hetimeve nga ana e prokurorit të çështjes dhe pasi që hetimet lidhur me këtë çështje janë në vazhdim e sipër, nuk është e mundur të ofrohen më shumë informata lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

ipas Kodit të Procedurës Penale ku flitet për afatet e hetimit, nëse një hetim ka filluar, ai duhet të përfundojë brenda 2 vitesh.

Nacionale kohë më parë kishte raportuar se prokurorja Javorka Perlinçeviq është ajo që po merret me rastin.

Lidhur me mungesën e aktakuzës për këtë rast ka reaguar edhe juristja e medias, Flutura Kusari.

“Nje vit nga vrasja e Liridona Ademajt. Prokuroria ende nuk ka ngrite aktakuze. Perse? Ndarja e drejtesise sa me pare dhe ne menyre sa me profesionale eshte i vetmi ngushellim per familjen e saj”, ka shkruar Kusari.

Në 1-vjetorin e vrasjes së Liridona Ademajt, në rrjete sociale ka shkruar edhe vëllai i saj, Leonardi.

“Do të kujtojmë gjithmonë me mallë, si një motër e mrekullueshme, një vajzë e bukur, një Nënë fantastike, e një grua e fortë. Të moren nga ne në moshën me të mire, e në mënyren me dinake. Ende e mbaj mend sa e dhimbshme ishte ajo natë, sa më ishin lodhur sytë dhe zemra. Më kujtohet ende se si për pak sa nuk më merrej fryma ndërsa po qaja,dhe se si po përpiqesha të ndaloja zhurmën që mund të bëja. Nuk do ta harrojmë kurrë sa e vështirë ishte për ne, nuk do ta harrojmë kurrë atë dhimbje”, ka shkruar Leonard Ademaj.

Më 24 tetor, Gjykata Themelore e Prishtinës ua kishte vazhduar tret ë dyshuarve paraburgimin.

“Ju njoftojmë se me datë 24.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P dhe K.K. Të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj për secilin, e cila masë do ju zgjasë deri me datë 24.12.2024”, ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

Gjykata Themelore në Prishtinë kohë më parë, kishte zbardhur disa detaje nga rasti.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhej në njoftim.

Ende nuk dihen motivet dhe pistat e sakta që ka hetuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Lajme të ngjashme