Prit e përcill: Kryetarja e Speciales dhe kryeprokurorja e Hagës dhjetëra takime me politikanë, diplomatë e ambasadorë - NACIONALE

Prit e përcill: Kryetarja e Speciales dhe kryeprokurorja e Hagës dhjetëra takime me politikanë, diplomatë e ambasadorë

2 javë më parë

nga Besian Beha

Dhjetëra takime me diplomatë, ambasadorë e politikanë, kanë pasur veç brenda vitit 2024 kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova dhe kryeprokurorja e Hagës, Kimberly West.

Kjo është bërë publike në Raportin e Punës për vitin e kaluar, ku janë paraqitur të gjitha aktivitetet dhe takimet që kanë pasur, si dhe temat që janë diskutuar.

“Gjatë vitit 2024, Kryetarja Trendafilova vazhdoi të informonte publikun dhe palët e interesuara për aktivitetet e DHSK-së. Për këtë qëllim, Kryetarja u takua në Hagë dhe në Bruksel me përfaqësues të Bashkimit Evropian (BE), të shteteve anëtare të BE-së, të shteteve të treta kontribuuese, të shtetit pritës dhe të Kosovës. Gjithashtu, kur ishte e nevojshme për DHSK-në, Kryetarja ishte në kontakt me Kryetarin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Gjeneralmajor Xhovani Pietro Barbano”, thuhet qysh në hyrje të raportit, ku flitet për marrëdhëniet me jashtë, raporton Nacionale.

Takimet e tilla ishin kritikuar në Kosovë nga shoqëria civile e avokatë, duke theksuar se takimet e krerëve të drejtësisë me politikanë, janë të panevojshme.

Në nëntor, kryetarja e Gjykatës Speciale kishte vizituar Brukselin, ku pati disa takime.

“Më 27 nëntor 2024, Kryetarja vizitoi Brukselin, ku pati takime me disa ambasadorë të Komitetit Politik dhe të Sigurisë dhe me Zyrën e Drejtorit Administrativ për Evropën dhe Azinë Qendrore të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, z. Mati Masikas, komandantin e Operacioneve Civile, z. Stefano Tomat dhe anëtarë të Komitetit për Aspektet Civile të Administrimit të Krizave për të diskutuar çështje të rëndësishme për DHSK-në, duke përfshirë edhe nevojën e ngutshme për përfundimin e zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe”, thuhet në Raportin Vjetor 2024.

Takimet me politikanë e ambasadorë apo diplomatë, zakonisht përmbyllen në fundin e vitit, me raportimin vjetor. Zhvillim i cili gjithashtu ishte kritikuar ndër vite në Kosovë.

“Më 8 dhjetor 2024, në kuadrin e raportimit vjetor, tre drejtueset përditësuan shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet e treta kontribuuese me bazë në Hagë mbi veprimtarinë e DHSK-së dhe ZPS-së”, thuhet në raport më tutje.

Bartësit e Dhomave të Specializuara të Hagës u takuan edhe me ministra.

“Kryetarja dhe Administratorja mirëpritën gjithashtu në DHSK edhe ambasadorë, autoritete ndërkombëtare dhe shtetërore, përshirë edhe një numër të madh ambasadorësh të BE-së në Holandë; ambasadorin holandez për Organizatat Ndërkombëtare; Ministren Gjermane të Shtetit, Sh. e S. Katja Keul bashkë me delegacionin që e shoqëronte; Sh. e T. Erik Nusbaumer, kryetar i Këshillit Kombëtar Zviceran dhe delegacionin që e shoqëronte; një delegacion tjetër gjerman, një delegacion nga Filipinet; Kryesinë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare; një delegacion juristësh nga Armenia, dhe një delegacion gjykatësish nga Ukraina”, thuhet më tutje në raport.

Në shumë prej këtyre takimeve, kryetarja e Gjykatës dhe kryeprokurorja, ishin bashkë. Pavarësisht detyrave të ndara që kanë.

“Gjatë vitit 2024, ZPS-ja mori pjesë në disa takime diplomatike për përditësimin e shteteve anëtare të BE-së dhe shteteve të treta kontribuuese mbi punën e ZPS-së, sfidat me të cilat përballej ZPS-ja dhe mënyrat me të cilat mund të ndihmonte bashkësia ndërkombëtare në përshpejtimin e punës së ZPS-së. Së bashku me kryetaren e DHSK-së Ekaterina Trendafilova dhe Administratoren Fidelma Donlon, Prokurorja e Specializuar Kimbërli Uest foli para diplomatëve të shteteve anëtare të BE-së dhe shteteve të treta kontribuuese në dhjetor 2024 në Hagë. Zëvendësprokurori i Specializuar Vard Ferdinandse foli para këshilltarëve ligjorë të vendeve anëtare të BE-së në Hagë në shtator 2024”, thuhet në Raportin e Punës.

Në një pjesë të raportit, është bërë publik edhe fjalimi i kryeprokurores së Hagës.

Me vijimin e punës së mëtejshme, ZPS-ja do të vazhdojë të marrë tejet seriozisht frikësimin, hakmarrjet ndaj dëshmitarëve dhe pengimin e drejtësisë. Gjithashtu, ajo do vazhdojë të ndjekë penalisht këdo që luan një rol në to, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët apo ofrojnë mbështetje financiare ose tjera për këto shkelje penale. Dëshiroj të falënderoj të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), ndër të cilët edhe shtetin pritës, Holandën, si dhe Norvegjinë, Zvicrën dhe Shtetet e Bashkuara si shtete kontribuuese të treta, që vazhduan të ofrojnë burimet dhe mbështetjen e nevojshme në fushën e sundimit të ligjit që kanë bërë të mundur kryerjen e punës sonë”, citohet të ketë thënë ajo.

Takime të shpeshta, janë edhe me udhëheqësit e EULEX-it, të cilëve së fundmi iu vazhdua mandati.

“Më 19 mars 2024, Kryetarja, Administratorja dhe Prokurorja e Specializuar u takuan në mjediset e DHSK-së dhe ZPS-së me znj. Emili Rakhorst, zëvendëse e shefit të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Më 12 prill 2024, Kryetarja, Administratorja dhe Prokurorja e Specializuar mirëpritën në gjykatë shefin e EULEX-it dhe autoritetin emërues, gjeneralmajor Xhovani Pietro Barbano. Gjatë vizitës u diskutua për veprimtaritë gjyqësore aktuale të DHSK-së dhe ZPS-së dhe për mbështetjen që jep EULEX-i në këtë drejtim. Më 4 shtator 2024, një përfaqësues i Kryetares, Administratores dhe Prokurores së Specializuar u takua në mjediset e DHSK-së me znj. Emili Rakhorst, zëvendëse e shefit të EULEX-it”, theksohet në raportin e punës.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, disa herë ishte pyetur për këto takime me politikanë e diplomatë, por kishte thënë se janë vetëm takime informuese, të cilat nuk ndikojnë në punën e tyre.

Lajme të ngjashme