Prindërit e serbëve të vrarë në rastin 'Panda' në Pejë: Vuçiqi ta thotë të vërtetën
Prindërit e gjashtë djembe që ishin vrarë në kafenenë “Panda” në Pejë më 1998 kanë pritur për gjashtë vjet drejtësi, pasi më 2013 Aleksandër Vuçiq kishte deklaruar se masakra ndaj tyre nuk ishte kryer nga shqiptarët.
“Që nga 5 shtatori i vitit 2017, më shumë se dhjetë herë i kemi shkuar në zyrë Presidentit të Serbisë, duke kërkuar që të flasim me të, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Po ashtu, kemi kërkuar nga Prokuroria që ai të merret në pyetje për shkak të informacionit që e ndau publikisht për krimin në rastin Panda,” tha për agjencinë e lajmeve Beta, Ljubomir Ristiqi, babai i Svetisllavit që ishte vrarë si 18 vjeçar.
Edhe pas 24 vitesh, prindërit e fëmijëve të vrarë vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë. Ata nuk kanë dyshime se masakra në rastin Panda ishte vendim i marrë që në majë të hierkarkisë shtetërore.
“Z. President, ju e dini dhe ne e dimë se vrasja e bijve tanë në kafeterinë “Panda” në Pejë ishte çështje shtetërore që u vendos në majë të shtetit. Është terrorizëm shtetëror par excellence. Ne theksojmë që ka të tjera arsye për kërkesën tonë, e të cilat do t’i paraqesim gjatë bisedës me juve, në mënyrë që autoritetet të përndjekin rastin,” – lexoi njëri letrën dërguar presidentit të Serbisë më 6 qershor të këtij viti.
Llazar Obradoviqi, i biri i të cilit Ivani (15 vjeçar) vdiq para syve të tij, i tha Beta-s se nuk kishte të vërtetë tjetër se ajo që krimi në “Panda” ishte kryer nga shteti.
“Kemi folur me qindra shërbyes civilë, në polici e në trupa tjerë shtetërorë, dhe askush nuk na tha asnjëherë që krimi ishte kryer nga shqiptarët, por përkundrazi, nga serbët,” – tha Obradoviq.
Ai shtoi se prindërit po prisnin nga presidenti i Serbisë që t’i informonte ata mbi krejt atë çka dinte për këtë rast.
Më 14 dhjetor të vitit 1998, dy persona të maskuar kishin vrarë Ivan Obradoviqin (15), Vukota Gvozdenoviqin (16), Svetisllav Ristiqin (18) dhe Zoran Stanojeviqin (18) me armë automatike në kafeterinë ‘Panda’ në Pejë.
Deri më 28 dhjetor 2013, familjet e të vrarëve kishin qenë të bindur se krimi ishte kryer nga anëtarë të UÇK-së. Por, në atë datë Aleksandër Vuçiq kishte thënë këto fjalë: “Krimi në ‘Panda’ nuk është kryer nga shqiptarët, siç kishin besuar deri tash. Publiku do të jetë i tmerruar kur ta zbulojë të vërtetën.”
Më vonë, ai kishte thënë që është gati krejt i sigurt për atë që kishte ndodhur në atë rast por se nuk kishte “prova” dhe se autoritetet hetuese në Serbi s’mund të ishin krenare për mënyrën se si kishin kryer hetimet.

