Prej Tribunalit, GjND-së e deri te Gjykata Speciale: Historia e Kosovës dhe 17 Shkurtit më Hagën - NACIONALE

Prej Tribunalit, GjND-së e deri te Gjykata Speciale: Historia e Kosovës dhe 17 Shkurtit më Hagën

1 muaj më parë

nga Besian Beha

Në afërsi të objektit që dikur gjendej Tribunali i Hagës, sot është qetë. Për dallim nga Prishtina, ku pritet një prej protestave më të mëdha në mbështetje të krerëve të UÇK-së.

Flamujt e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara valojnë nga era që në këtë zonë, është e zakonshme. Aty duket flamuri kombëtar, por mungon ai i Kosovës.

Megjithatë, historia e flamurit, 17 Shkurtit dhe Kosovës me këtë objekt dhe Hagën në përgjethsi, është e gjatë, raporton Nacionale nga Haga.

Prej Tribunalit të Hagës u liruan dy prej komandatëve më të rëndësishëm të UÇK-së, Ramus Haradinaj e Fatmir Limaj. Megjithatë, ajo që ishte në krye të Prokurorisë së këtij Tribunali kur Haradinajt e Limajt iu ngritën aktakuzat, nuk e ndali ‘luftën’ me Kosovën.

Në vitin që Kosova shpalli pavarësinë, pra në 2008, Carla del Ponte do të publikonte një libër me akuza të rënda ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për trafikim organesh. Dhe kjo, nuk do të mbetej në heshtje.

Më 17 shkurt 2008, sikur sot 18 vjet më parë, Kosova do ta shpallte pavarësinë. E vetëm dy muaj më pas, në prill të atij viti, senatori rus në Këshillin e Evropës, Konstantin Kosachev, do të nxiste një hetim për akuzat e rënda të Carla del Pontes.

Haga, pavarësia dhe UÇK-ja, sërish do ta vazhdonin një ndërlidhje të përbashkët. Disa herë, edhe fatkeqe. Në korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që gjendet pak minuta larg Tribunalit në Hagë, do ta vuloste njëherë e përgjithmonë pavarësinë e Kosovës, dhe do të konstatonte se me këtë vendim, Kosova nuk e shkeli asnjë ligj ndërkombëtar.

Kjo, nuk u kapërdi në Beograd e Moskë. Hetimi i nisur nga Konstantin Kosachev dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kulmoi me raportin e Dick Martyt, senatorit zviceran, disa muaj pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Raporti i Martyt do të akuzonte UÇK-në për trafikim të organeve dhe kjo më pas, do t’i hapte rrugë asaj që sot njihet si Gjykata Speciale, objekti i së cilës, ndodhet në kryqendrën e drejtësisë, Hagë.

Këshilli i Evropës miratoi raportin e Martyt, dhe u krijua një Task-Forcë të cilën e kryesoi Clint Ëilliamson. Ky i fundit konsstatoi se nuk kishte asnjë provë për trafikim të organeve, por ka dëshmi për krime të tjera të pretenduara.

Kosova e gjendur para një presioni të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, miratoi ndryshimet kushtetuese dhe i hapi rrugë krijimit të Dhomave të Specializuara. Sërish në Hagë, në qytetin që e ndërlidh historinë e Kosovës në forma të ndryshme.

Kur Kosova po shënon përvjetorin e 18 të pavarësisë, vendi gjendet pak muaj para vendimit të madh për ish-krerët e UÇK-së. Si do të përfundojë historia e Hagës me Kosovën? Cili do të jetë vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin? Kjo do të shihet shumë shpejt.

Lajme të ngjashme