Prej komandantëve e deri te policët e inspektorët: Çka thuhet në aktakuzën në mungesë ndaj 21 serbëve, për masakrën e Reçakut?
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut.
Aktakuza është ngritur në mungesë, ndaj udhëheqësve të komandave, inspektorëve, policëve e personave të tjerë me pushtet në Serbi.
Duke qenë se ishte e pamundur kapja e tyre, aktakuza ështëë ngritur në mungesë.
Në aktakuzën që e ka siguruar Nacionale, zbulohen funksionet që ka pasur secili prej të akuzuarve, në kryerjen e një prej masakrave më të mëdha në Kosovë.
“Në periudhën kohore 1998 - 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Reçak, Komuna e Shtimes, me dashje, në bashkëkryerje, individualisht dhe në përgjegjësinë komanduese, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘’243 të Mekanizuar ’’, Armatës së –III- e quajtur ‘’Korpusi i Prishtinës’’ dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme e njohur si ‘’MUP’’, në të cilën bënin pjesë: Njësitë e Veçanta të Policisë të njohura si ‘’PJP’’, Njësitë Speciale Antiterroriste të njohura si ‘’SAJ’’, Njësitë e Divizionit për Siguri Shtetërore të njohura si ‘’RDB’’, Njësitë e Divizioni për Siguri Publike të njohura si ‘’RJB’’ dhe Njësitë Rezervë, të pandehurit, secili në cilësinë e: (1) O.S. - Shef i Administratës së MUP-it dhe Ndihmës Ministër i R. Serbisë, (2) R. M. - Ndihmës Ministër i Punëve te Brendshme - Divizioni i i Sigurimit të Shtetit (RDB), (3) K.J. - Komandant i Brigadës 243 të Mekanizuar të Armatës së III-të të Korpusit të Prishtinës, (4) G. R. - Ndihmës Komandant i Shtabit të Përgjithshëm për Operacione Speciale për Kosovë, (5) Ž.T. – Komandant i Njësive Speciale Antiterroriste SAJ, (6) B. J. - Kryeshef i Sekretariatit për Punë të Brendshme në Ferizaj, (7) M. L. – Komandant i Njësive të Veçanta të Policisë së Serbisë i PJP, (8) R. M. – Komandant i Stacionit Policor në Ferizaj, (9) D. DJ. - Komandant i Stacionit Policor në Shtime; (10) B. M. - Zëvendës Komandant i Stacionit Policor në Shtime, (11) D. J. - Polic dhe Inspektor i hetimeve në Stacionin Policor në Ferizaj, (12) M. Š. - Polic dhe Inspektor i hetimeve në Stacionin Policor në Ferizaj; (13) D. A. - Polic dhe Inspektor i hetimeve në Stacionin Policor në Ferizaj; (14) S. V. - Polic dhe Inspektor i hetimeve në Stacionin Policor në Ferizaj; (15) B. M. - Polic dhe Inspektor i hetimeve në Stacionin Policor në Shtime; (16) Z. S. - Polic dhe Inspektor i hetimeve në Stacionin Policor në Shtime; (17) M. J. - Pjesëtar i PJP-së, (18) G. P. - Pjesëtar i PJP-së, (19) D. N. - Pjesëtar i PJP-së; (20) Č. A. - Pjesëtar rezervë i policisë në Stacionin Policor në Shtime; (21) Z. J.- Pjesëtar rezervë i policisë në Stacionin Policore Shtime”, thuhet në aktakuzë.
Pika e parë e aktakuzës, ndërlidhet me veprën penale të vrasjeve që janë kryer në Reçak të Shtimes.
“Vrasjet: me datë 15 janar 1999, në fshatin Reçak, Komuna e Shtimes, të pandehurit e lartcekur në cilësinë e pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuan në vrasjen e dyzet e dy (42) civilëve të fshatit Reçak, emrat e të cilëve gjenden në SHTOJCEN -1- të kësaj aktakuze, rreth orës 06:00 të mëngjesit e rrethuan fshatin Reçak, fillimisht e granatuan nga distanca prej disa vendeve të njohura si: „Pishat“, „Gështenjat“, „Çesta“ dhe “Guri i Shpum” pastaj me automjete të blinduara, hynë në fshat dhe filluan të kontrollonin shtëpi për shtëpi?”, thuhet më tutje në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Më pas, përmenden me emër e mbiemër të gjithë të vrarët në këtë masakër, si pasojë e këtij aksioni nga Serbia.
“Në oborrin e shtëpisë së Rashit Rashitit fillimisht e vrasin Banush Kamerin të cilit pastaj edhe ia presin kokën, në vendin e quajtur ‘’Vrella’’ i vrasin Haki Metushi, Sabri Syla dhe Arif Metushi, në oborrin e shtëpisë së tij e vrasin Ahmet Mustafën dhe fqinjin e tij Hajriz Jakupi, në afërsi të shtëpisë së Zuk Mustafës i vrasin: Skender Halili, Hanumshahe Mujota, vazhdojnë në drejtim të lagjes ‘’Beqaj’, dhe derisa disa civilë po largoheshin në drejtim të malit, u del në pritë policia serbe e cila pa paralajmërim shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre duke i vranë: Halim Beqiri, Riza Beqiri dhe Zenel Beqiri, kurse mbetën të plagosur Aziz Beqiri, Zuhra Beqiri dhe Fetije Beqiri, në vazhdim të operacionit të tyre policor dhe ushtarak hynë në Lagjen ‘’Emini’’ e cila gjendej në pjesën perëndimore të fshatit ku me armë zjarri në oborrin e tij e plagosën në këmbë Ismet Eminin dhe e vranë vëllaun e tij Ajet Emini që të dytë civilë”, thuhet më tutje.
“Më pas në vendin e quajtur ‘’Çeshma’’ i vranë civilët Bajram Mehmeti, vajzën e tij Hanumshahe Mehmeti ndërsa të plagosur mbetën: Elhami Mehmeti, Makfirete Hajrizi, Florije Hajrizi dhe Hasan Bilalli, në një pjesë tjetër të fshatit nga largësia prej shtëpisë së Ragip Bajramit dhe shitores së Lutës (siç e quajnë fshatarët) gjuajnë me armë të kalibrave të ndryshëm në drejtim të vendit ku ishin strehuar civilët dhe në këtë moment e vrasin plakun Nazmi Imeri, në mënyrë mizore duke i thyer kafkën, siç përshkruhet në raportin e autopsisë, më pas një tjetër grup i forcave serbe shkuan në shtëpinë e Sadik Osmanit dhe aty i gjetën të strehuar rreth 70 banorë civilë të fshatit, fillimisht i ndanë burrat nga gratë, pastaj burrat i torturuan në oborr të shtëpisë dhe pas marrjes së një urdhri me radiolidhje nga udhëheqësit e këtij operacioni, forca policore i morën burrat i nxjerrin nga oborri një nga një dhe në kolonë për një i nisin në drejtim të malit për tek ”Kodra e Bebushit” kurse policia paraprakisht e kishte rrethuar rrugicën në të dy anët duke pritur ardhjen e civilëve dhe në momentin që civilët arrijnë në këtë lokacion duke ecur në kolonë, papritmas nga të dy anët e rrugicës fillojnë të shtëna me armë automatike nga të gjitha anët – pa ndërprerë, për disa minuta, duke i ekzekutuar njëzet e katër (24) persona në mënyrë mizore”, thuhet në aktakuzë.
21 personat, akuzohen edhe për tortura e trajtim çnjerëzor.
“Tortura dhe trajtimi çnjerëzor ndaj popullsisë civile: me datë 15 janar 1999, në fshatin Reçak, të pandehurit e lartcekur në cilësinë e pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuan në trajtimin çnjerëzor të rreth 30 civilëve të fshatit Reçak, emrat e të cilëve gjenden në Aneksin –II- të kësaj aktakuze, ashtu që derisa po ekzekutonin një plan operacional të përshkruar në pikën 1 të këtij dispozitivi, gjatë kontrollit shtëpi për shtëpi vërejtën që në shtëpinë e Sadik Osmanit, në të paktën dy vende, ishin strehuar rreth 70-të banorë civilë shqiptarë, ashtu që në shtëpi ishin strehuar rreth 30 gra dhe fëmijë, ndërsa në vendin e quajtur ‘’Ahuri i bagëtive’’ ishin strehuar mbi 30 burra, fillimisht forcat serbe nga largësia prej shtëpisë së Ragip Bajramit gjuajtën me armë të kalibrave të ndryshme në drejtim të vendit ku ishin strehuar civilët dhe në këtë moment e vrasin plakun Nazmi Imeri, më pastaj e rrethojnë shtëpinë e Sadikut dhe rreth 30-40 policë hynë në oborr të shtëpisë, që të gjithë të armatosur, pastaj nën kërcënimin e armëve i detyruan të gjithë burrat të dalin nga vendstrehimi dhe të vendosën në oborr, ndërsa gratë dhe fëmijët i mbyllën me çelës në bodrum, më pastaj pasi i kanë legjitimuar burrat, i kanë shtrirë për toke dhe filluan t´i rrahin në mënyrë çnjerëzore duke përdorur kondakët e armëve, shqelma, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta, pastaj të dëmtuarit e dëgjuan një komunikim në radiolidhjen e njërit prej policëve që ishte prezent, dhe pas këtij komunikimi policia serbe i morën të dëmtuarit dhe i vendosën në kolonë dhe i detyruan që të shkojnë në drejtim të zonës malore të njohur me emrin ”Kodra e Bebushit”, me ç‘rast, disa prej tyre i ekzekutojnë, në formën dhe mënyrën siç përshkruhet në pikën 1 të këtij dispozitivi”, thuhet në aktakuzë.
Gjithashtu, ky grup akuzohet edhe për shkatërrim të pasurisë e dëbim të popullësisë civile.
Ndaj tyre, pritet nisja e gjykimit në mungesë, dhe në momentin që kapen të akuzuarit, arrestohen.