“Po bëni pyetje sygjestive...është e pasaktë” – Si u përplas avokati Emmerson me gjyqtarin e Speciales në seancë?
Disa pyetje që njëri nga gjyqtarët ia ka bërë dëshmitarit Sadik Halitjaha gjatë ditës së djeshme, ka shkaktuar përplasje të ashpër në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Pothuajse për dy ditë me radhë kanë qenë gjyqtarët ata që e kanë marrë në pyetje ish-eprorin e UÇK-së në zonën e Pashtrikut, Sadik Halitjaha.
Megjithatë, kur gjyqtari zviceran Metro po e pyeste Halitjahën për një rregullore të UÇK-së, aty ndërhyri avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.
Emmerson e akuzoi gjyqtarin se po bën pyetje sygjestive, raporton Nacionale.
“Ai ka përdorur fjalën rregullore, ka thënë që nuk janë përdorur asnjëherë. Do të ishte e dobishme për dëshmitarin që pyetjet të mos ia bëni sygjestive dhe ti kërkoni atij që të komentojë”, tha Emmerson.
Këtu reagoi gjyqtari Metro.
“Mbani komentet për më vonë”, ia ktheu gjyqtari zviceran.
Avokati Emmerson përsëriti kundërshtimin e tij.
“Unë po ngre kundërshtim dhe kam të drejtë”, tha avokati i Veselit.
“Po nuk thatë kundërshtim?”, ia ktheu sërish gjyqtari.
Emmerson insistoi se pyetja e gjyqtarit ishte përfaqësim i pasaktë.
“Është sygjestive dhe është përfaqësim i pasaktë i dëshmisë së tij”, deklaroi avokati britanik.
Këtu ndërhyri kryetari i trupit gjykues, Charles Smith. Ai ia rrëzoi kundërshtimin Emmersonit.
“Do të keni mundësinë tuaj për të bërë pyetje. Kundërshtimi juaj rrëzohet”, tha Charles Smith.
Kjo nuk është hera e parë që Ben Emmerson kapet me gjyqtarët në seancë. Kohë më parë ai kërkoi sqarime se deri në cilën masë mund të kundërshtojnë pyetjet e gjyqtarëve, duke vlerësuar se disa nga pyetjet janë sygjetstive.
Çfarë tha Halitjaha?
Ish-eprori i UÇK-së, Sadik Halitjaha, për gati 10 ditë është marrë në pyetje në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Gjatë ditës së djeshme ai tregoi pse i ka mbetur hatri ndaj ish-presidentit Thaçi.
“Kam pritë me e taku shumë herë dhe jo një herë, por asnjëherë nuk kam arrit ta takojë. Këta që bëhen të mëdhaj, që bahen ministra, kryeministra, presidentja mbajnë shumë telefona, 2-3 telefona, shumë shoqërues, 2-3 shoqërues. I thu njërit ta takojë thotë ‘po po i them’, i thu tjetrit ‘po, po i them’ dhe kështu që nuk i thotë hiç apo edhe i thotë nuk kam kohë ta takoj. Asnjëherë qasje nuk kam pas dhe për atë nuk jam mirënjohës fare, jam shumë i hidhëruar pse nuk me ka taku asnjëherë”, tha dëshmitari Halitjaha.
Halitjaha ka thënë se s’ka dijeni të ketë pasur qendra ndalimi në Kleçkë.
“Nuk ka pas objekt ndalim njerëzish apo që u quajt burg”, tha dëshmitari Halitjaha, duke shprehur habi pasi tha se nuk është në dijeni për një gjë të tillë.
Ai tha se nuk e di që kishte burg, dhe u shpreh i indinjuar që tani po e kupton këtë gjë.
“Për me qenë drejtor i burgut duhet me pas burg , për me qenë drejtor i burgut duhet me pas staf, gardianë, ata që e majnë burgun, gjykatë që i burgos njerëzit, nuk kanë ekzistu këto struktura. Ndoshta paska pas ai ndonjë ahër të lopëve të vetin a ndonjë bodrum ku i ka mshel njerëzit, unë nuk e di dhe se kuptoj. Unë jam shumë i indinjuar që tash po e kuptoj këtë”, tha Halitjaha.
