Plagët e luftës: Nacionale mëson se Hysni Gucati do të operohet sërish nesër - NACIONALE

Plagët e luftës: Nacionale mëson se Hysni Gucati do të operohet sërish nesër

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Hisni Gucati, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nesër do të operohet sërish si pasojë e problemeve në këmbë nga plagët e luftës. Nacionale ka mësuar nga burimet se Gucati nesër pritet t'i nënshtrohet një tjetër operimi në Kosovë.

Ai kishte bërë të ditur se nga përfundimi i luftës ka kryer mbi 28 operacione.

“Unë jam i plagosur në këmbë, pjesën e femurit siç e thotë mjekësia. Kam pasur 27 operacione, dhe kam pasur të operohem sërish, por fatkeqësisht erdha këtu në Hagë”, kishte thënë Gucati gjatë seancës në Hagë një vit më parë.

Gucati kishte treguar edhe për operacionet e para. “Ditën e parë në spitalin tonë të improvizuar në bjeshkë në Malet e Berishës, të dytin në spitalin ushtarak në Tiranë më 8 qershor, ku më kanë dërguar forcat angleze, të cilat kanë sjellë ndihmë, ushqim dhe mua e dy të tjerë të plagosur na kanë dërguar në Tiranë”, kishte thënë ai.

Së fundi, ai u operua në nëntor vitin e kaluar pas përkeqësimit të gjendjes në mesnatë.

Gucati ishte liruar me kusht javë më parë nga Gjykata Speciale.

Pse u dënuan Gucati dhe Haradinaj?

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë akuzuar për në total 6 pika: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare, pengim i personave në mënyrë të organizuar, frikësim gjatë procedurave penale, hakmarrje, shkelje të fshehtësisë së procedurës, e zbulim të dokumenteve konfidenciale.

Gucati e Haradinaj janë gjetur fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës, përveç pikës 4 ku akuzoheshin për hakmarrje.

“Paketat e sekuestruara bartnin sërë informacionesh të ndjeshme që iu kishin dorëzuar autoriteteve serbe, që përmbanin emra dëshmitarësh, përgjigje të Prokurorisë Serbe për krime të luftës”, thuhet në vendim.

Në lidhje me veprën penale të zbulimit të paautorizuar të informacioneve në procedurën zyrtare, trupi gjykues i ka shpallur fajtorë dy të akuzuarit. Këtë e ka arsyetuar kryegjyqtari Charles Smith.

“Trupi gjykues është i bindur se të akuzuarit zbuluan informacionin e mbrojtur sipas Kodit Penal të Kosovës, duke ekspozuar material për gazetarët, e duke i lejuar ata me kamera të filmonin. Dëshira për kryerjen e veprës penale vërehej edhe në deklaratat e tyre se do të publikojnë secilin document që e pranojnë”, kishte thënë gjyqtari Smith.

Të fajshëm Gucati e Haradinaj u shpallën edhe për frikësim gjatë procedurave penale.

“Trupi gjykues konstaton se të akuzuarit kanë zbuluar të dhënat personale të dëshmitarëve, dhe zbuluan informacion të mbrojtur. Madje Haradinaj përmendi emrat e së paku 5 dëshmitarëve. Si pasojë e veprave nga të akuzuarit, u shkaktuan pasoja të rënda, pasi dy dëshmitarë u zhvendosën, dhe një tjetër u bë objekt i menaxhimit të riskut.”

“Në paraqitjet publike të akuzuarit tërhoqën vëmendje për numrin e madh të dëshmitarëve, dhe i bënë publikë edhe një pjesë të emrave. Ata bënë deklarata të vazhdueshme se kjo gjykatë nuk është e aftë të garantojë sigurinë e dëshmitarëve. Autoritetet në Kosovë dhe në Hagë janë përpjekur për vite me radhë që ta shmangin klimën e frikësimit të dëshmitarëve. ZPS-ja ka vërtetuar përtej dyshimit të bazuar edhe këtë pikë të aktakuzës.”

Për veprën penale të hakmarrjes, dy të akuzuarit nuk u gjetën fajtorë.

“ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se të akuzuarit kishin për synim hakmarrjen. Trupi Gjykues konstaton se ZPS-ja nuk e ka vërtetuar veprën penale të hakmarrjes.”

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u gjetën fajtorë edhe për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare, dhe pengimin e personave me veprime të përbashkëta.

Lajme të ngjashme