Përfundon bastisja në banesën e heronjve Fazliu, avokati: Ishte e kotë dhe humbje kohe - NACIONALE

Përfundon bastisja në banesën e heronjve Fazliu, avokati: Ishte e kotë dhe humbje kohe

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar bastisja e njësive të EULEX-it në banesën e heronjve Fahri e Bahri Fazliu.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati Artan Qerkini, i cili ka thënë se kjo bastisje ka qenë e kotë dhe vetëm humbje kohe për Gjykatën Speciale.

“Dhomat e Specializuara sot kanë realizuar një bastisje në shtëpinë e heronjve Fahri Fazliu dhe Bahri Fazliu, dhe meqë rast janë munduar kinse të sekuestrojnë prova të cilat atyre iu nevojiten për procedura të mëtutjeshme, por jam i bindur se ata nuk kanë sekuestruar asnjë provë e vetme. Ka qenë bastisje e kotë dhe humbje kohe për të gjithë ata. Gjykata duhet të jetë më e kujdesshme në lëshimin e urdhrave për bastisje sepse cenohet privatësia, dhe sikur ndodhi në rastin konkret nuk kanë sekuestruar asnjë provë në Gjykatën Speciale”, ka thënë Qerkini para mediave.

Ai ka thënë se nuk i është bërë e ditur për cilin rast konkretisht janë marrë dokumente, por vetëm se i është thënë për procedura që po zhvillohen aktualisht në Hagë.

“Rasti nuk është bërë i ditur, vetëm është thënë se për nevojat e procedurave të cilat po zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara. Nuk kanë kërkuar asgjë specifike. Kanë marrë disa dokumente të cilat janë publike, nuk ka pasur nevojë fare të bastiset shtëpia për të ardhur te ato dokumente sepse janë publike. Bastisja ka qenë e kotë sepse ato dokumente kanë mundur të arrihen me një kërkim të thjeshtë në institucionet publike”, ka thënë Qerkini më tutje.

Avokati ka thënë se kanë shumë vërejtje lidhur me lëshimin e urdhrit për bastisje nga gjykata.

“Nuk kemi vërejtje në lidhje me trajtimin, por urdhri i bastisjes kemi shumë vërejtje, sepse me bastisje cenohet privatësia. Gjykata duhet të jetë shumë e sigurt se do të gjejë ndonjë prove kur urdhëron bastisje”, tha ai.

I pyetur nëse bastisja ndërlidhet me intervistimin e nipit të heronjve, Fahri Fazliu, avokati ka thënë se deri më tash nuk i është bërë e ditur.

“Unë thashë që në fazën e hetimit nuk mund të jepen informata. Nuk i kemi ato infromata, besoj në fazat e tjera do të na bëhet e ditur lidhur me cilën vepër dhe për cilët persona. Për shkak të sekretit hetimor nuk mund të bëj komente. Është një rregullore e cila nuk na lejon që në këtë fazë të jepim detaje për hetimet”, përfundoi Artan Qerkini.

Bastisja ka zgjatur për disa orë.

Klinaku: ZPS-ja në Hagë janë të poshtër

Bastisja e banesës së familjes së heronjve Fahri e Bahri Fazliut, ka nxitur reagime në vend.

Ushtruesi i detyrës se kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, për këtë bastisje ka fajësuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Në profilin e tij në “Facebook”, Klinaku ka shkruar se ZPS-ja është institucion i poshtër.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, në mungesë të fakteve, vazhdojnë me filmat e tyre. Që në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë filluar bastisjet e banesës së familjes së heronjve Fahri e Bahri Fazliu në ‘Kodrën e Diellit’ në Prishtinë. P.S ZPS janë të poshtër, meqenëse nuk ka shtet serioz”, ka shkruar Klinaku.

Lajme të ngjashme