Për disa viktima në rastin e krerëve të UÇK-së, u gjykuan Haradinaj e Limaj në Tribunalin e Hagës
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë sot ka publikuar emrat e një pjese të viktimave në rastin e krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale. Rreth 70 prej këtyre viktimave janë publikuar me emër dhe mbiemër, në aktakuzën me më pak redaktime që është publike në faqen e Dhomave të Specializuara.
Megjithatë, një pjesë e këtyre viktimave të pretenduara, nuk është hera e parë që përmenden në rastet ku akuzohen pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Emin Emini, Ibush Hamza, Hyzri Hajrizi, Shaban Hoti, Safet Hysenaj, Bashkim Rashiti, Lutfi Xhemshiti, Shyqyri Zymeri dhe Hasan Hoxha janë viktimat që Prokuroria i ka paraqitur për rajonin e Drenasit. Këta 9 viktima, pretendohet se janë vrarë në Malet e Berishës.
Në aktgjykimin e Limajt dhe të tjerëve në Tribunalin e Hagës, nuk ishte gjetur fajtor Limaj dhe Isak Musliu. Kjo pasi nuk kishte prova se të dy ishin përgjegjës për ndonjë veprim, apo në kuadër të zinxhirit komandues për kryerjen e këtyre krimeve.
“Dhoma u bind se nëntë nga të burgosurit e kamp-burgut të Llapushnikut (Emin Emini, Ibush Hamza, Hyzri Harjizi, Shaban Hoti, Hasan Hoxha, Safet Hysenaj, Bashkim Rashiti, Lutfi Xhemshiti dhe Shyqyri Zymer) u ekzekutuan në Berishë. Dhoma konstatoi se, përderisa ishte e qartë se Limaj dhe Musliu ishin nganjëherë pasues të atyre që kishin lidhje me aktakuzën në pozita komanduese në UÇK, dhe se Limaj më vonë u bë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, Prokuroria nuk kishte vërtetuar përfundimisht se ose kishte mbajtur pozita komanduese në lidhje me kamp-burgun e Llapushnikut në maj deri në korrik 1998”, thuhet në aktgjykim, transmeton gazeta Nacionale.
“Megjithatë, në një shqyrtim përfundimtar të provave, Dhoma konstatoi se nuk ishte vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm nga Prokuroria se Limaj kishte ndonjë rol në kamp-burgun, ose në ekzekutimet në malet e Berishës, ose se ai kishte çdo përgjegjësi penale për ndonjë nga veprat për të cilat ai akuzohej. Në lidhje me Musliun, Dhoma konstatoi se kishte pak prova për të identifikuar Musliun se kishte ndonjë lloj përfshirje në kamp-burg. Provat e paraqitura nuk arritën të vërtetonin se Musliu kishte ndonjë përfshirje në ngjarjet e akuzuara, ose në drejtimin e kampit të burgut, ose se ai ishte në ndonjë bazë tjetër penalisht përgjegjës për ndonjë nga veprat për të cilat ai akuzohej në aktakuzë. Për këto arsye, Dhoma Gjyqësore i shpalli Limajn dhe Musliun të pafajshëm”, thuhet në këtë vendim të Tribunalit të Hagës.
Pak a shumë për ngjarjen e njëjtë, tash akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
“Më 26 korrik 1998 ose rreth kësaj date, kur forcat serbe filluan një ofensivë, disa pjesëtarë të UÇK-së morën afërsisht 30 të burgosur nga Llapushniku/Lapushniku në malet e afërta të Berishës/Beriša dhe i ndanë në dy grupe. Njëri grup u zgjidh dhe u lirua, të arrestuarit e grupit tjetër u qëlluan dhe u vranë. Trupat e të arrestuarve Emin EMINI, Ibush HAMZA, Hyzri HAJRIZI, Shaban HOTI, Safet HYSENAJ, Bashkim RASHITI, Lufti XHEMSHITI, Shyqyri ZYMERI dhe Hasan HOXHA më pas u zhvarrosën dhe u nxorrën nga malet e Berishës”, thuhet në një pjesë të aktakuzës nga Gjykata Speciale.
Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë do të fillojë më 3 prill.
Rasti i Ramush Haradinajt
Jo vetëm Fatmir Limaj. Edhe Ramush Haradinaj ishte akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. Madje, disa nga viktimat që përmendeshin në rastin e Haradinajt, sot janë zbuluar sërish se do të përdoren nga Prokuroria e Specializuar e Hagës.
Skënder Kuqi, Pal Krasniqi dhe Nenad Remistar përmenden si viktima të UÇK-së në aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Të tre ishin përmendur gjithashtu në aktakuzën e Tribunalit të Hagës ku Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj e Idriz Balaj ishin shpallur të pafajshëm.
“Të nesërmen, më 14 apo 15 korrik 1998, ose rreth këtyre datave, në objektin e UÇK-së në Jabllanicë u soll Pal Krasniqi, shqiptar kosovar i besimit katolik, i cili ishte nisur prej shtëpisë së tij në Pejë për t’u anëtarësuar në UÇK. Ai u mbajt në të njëjtën dhomë me Skënder Kuqin. Disa orë më pas, Lahi Brahimaj solli në objektin e UÇK-së në Jabllanicë, Dëshmitarin 3, shqiptar kosovar, i cili u mbajt në të njëjtën dhomë me Skënder Kuqin dhe Pal Krasniqin. Që të tre u rrahën vazhdimisht në objektin e UÇK-së në Jabllanicë”, thuhet në pjesën e parë të aktgjykimit të Tribunalit të Hagës.
Megjithastë, Haradinaj e Lahi Brahimaj nuk ishin gjetur përgjegjës për kryerjen e këtij krimi të pretenduar.
“Më 15 apo 16 korrik 1998 ose rreth këtyre datave, pas përpjekjes së tij të pasuksesshme për t’u arratisur nga objekti i UÇK-së në Jabllanicë, Skënder Kuqi u rrah shumë keq dhe më pas u çua në spital ku edhe vdiq. Dhoma është bindur se vdekja e Skënder Kuqit ishte pasojë e (komplikimeve) të lëndimeve të shkaktuara nga rrahjet që pësoi në objektin e UÇK-së në Jabllanicë. Akuza për vrasjen e Skënder Kuqit është vërtetuar”, thuhet më tutje.
“Pal Krasniqi pësoi rrahje të rënda dhe të vazhdueshme në objektin e UÇK-së në Jabllanicë. Dëshmitari 6 e pa për herë të fundit në objektin e UÇK-së në Jabllanicë, më 25 korrik 1998. Kufoma e tij u gjet në shtator 1998, në kanalin e liqenit të Radoniqit me lëndime në kokë, trup dhe duar, të shkaktuara nga armë zjarri. Prokuroria nuk paraqiti asnjë provë lidhur me rrethanat e vdekjes së tij. Në rrethana të tilla, Dhoma nuk mund të konkludojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se është vërtetuar akuza e vrasjes së Pal Krasniqit”, bëhet e ditur në aktgjykim, transmeton Nacionale.
Të njëjtit viktima përmenden edhe në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.
“Skënder KUQI u arrestua nga disa pjesëtarë të UÇK-së më 10 ose 11 korrik 1998 ose rreth kësaj date dhe u mbajt në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë/Jablanica. Ai u rrah rëndë nga pjesëtarët e UÇK-së ndërsa ishte në paraburgim dhe, si rezultat, vdiq në një spital fushor të UÇK-së në Irzniq rreth mesit të korrikut 1998. Nenad REMIŠTAR u mbajt në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë rreth datës 13 qershor 1998. Ai ishte rrahur rëndë nga pjesëtarë të caktuar të UÇK-së gjatë kohës që ishte në paraburgim dhe për herë të fundit ishte parë në paraburgim të UÇK-së. Eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë. Pal KRASNIQI u mbajt në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë rreth datës 11 korrik 1998. Ai ishte rrahur rëndë derisa ishte në paraburgim dhe për herë të fundit ishte parë në paraburgim të UÇK-së në gjendje të dobësuar në fund të korrikut 1998”, thuhet në aktakuzën e Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së.
Një pjesë e viktimave të pretenduara janë shqiptarë, kurse shumica serbë.
