Pas vendimit ndaj Salih Mustafës, sa mund të jetë dënimi më i lartë në Gjykatën Speciale? - NACIONALE

Pas vendimit ndaj Salih Mustafës, sa mund të jetë dënimi më i lartë në Gjykatën Speciale?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nga 26, në 22. Më pas në 15 vjet burg. Këto kanë qenë dënimet që ka shqiptuar Gjykata Speciale ndaj Salih Mustafës.

Së fundmi, pas një vendimi të Gjykatës Supreme, Apeli u obligua ta ul dënimin e Calit në 15 vjet. Megjithatë, përveç si një dënim për rastin specifik, ky rast po komentohet edhe si precedent lidhur me rastet e tjera potenciale që mund të jenë dënime në Hagë.

Sipas vendimit të Apelit, Gjykata Supreme në Hagë, pra shkalla më e lartë e Gjykatës së rregullt, ka konstatuar se Specialja mund të shqiptojë dënime prej 5 deri në 25 vjet burg. Megjithatë, dënimet më të ulëta gjithnjë duhet të merren parasysh.

“Sa i përket ligjit të Kosovës që është i zbatueshëm për përcaktimin e shkallës më të butë të dënimit, Kolegji i Gjykatës Supreme shqyrtoi kodet përkatëse penale të Kosovës të cilat i konsideroi se korrespondonin "më së afërmi" me krimet e luftës sipas të drejtës zakonore ndërkombëtare, siç parashihet në nenin 14. (1)(c) të Ligjit,27 dhe përfundimisht arriti në përfundimin se “diapazoni më i butë i dënimit që duhet të merret parasysh në rastin e z. Mustafa në përputhje me nenin 44(2)(b) të Ligjit dhe nenin 146(1) lidhur me nenin 42(1) të [Kodit Penal të Republikës së Kosovës 2019] është me burgim nga pesë deri në 25 vjet”, thuhet në nisje të vendimit të Apelit.

Apeli e konfirmoi se në fillim kishin vlerësuar edhe dënimin me burg të përjetshëm, por që pas vendimit të Supremes ky fakt nuk mund të merret parasysh.

“Duke iu kthyer diapazonit të zbatueshëm të dënimeve, Kolegji i Apelit rikujton se në gjetjet e tij të mëparshme për dënimin e Mustafës, ai e konsideroi burgimin e përjetshëm si dënimin maksimal të burgimit që mund të shqiptojë dhe analizoi jurisprudencën ndërkombëtare dhe atë të Kosovës, si dhe rrethanat specifike të rastit të Mustafës nga këtë perspektivë. Në dritën e udhëzimeve të Kolegjit të Gjykatës Supreme, Kolegji i Apelit tani do të marrë parasysh dhe do të udhëhiqet nga diapazoni i dënimeve prej pesë deri në 25 vjet burgim, siç është identifikuar nga Kolegji i Gjykatës Supreme”, thuhet më tutje në vendim.

Megjithatë, Apeli ka vlerësuar se në gjykatat ndërkombëtare, nuk merren paraysh dënimet nga gjykatat e tjera.

“Kolegji i Apelit thekson se jurisprudenca e analizuar nuk përfshin asnjë rast krejtësisht analoge për shkak të numrit të variablave që kanë të bëjnë me dënimin dhe rikujton se përgjegjësia e tij parësore është të përshtasë dënimin për t'iu përshtatur rrethanave specifike të rastit të Mustafës. Megjithatë, me sa më sipër, Kolegji i Apelit pajtohet me vërejtjen e Kolegjit të Gjykatës Supreme se në rastet e analizuara janë shqiptuar dënime dukshëm më pak se 22 vjet”, thuhet më tutje.

Sipas vendimit të Apelit, dënimi në shkallën e parë ka qenë komplet jo i arsyeshëm, dhe jashtë proporcionit.

“Kolegji i Apelit mbetet i mendimit se Trupi Gjykues doli jashtë kufijve të tij diskrecional duke shqiptuar dënime ndaj Mustafës të cilat janë jashtë proporcionit të arsyeshëm me një varg dënimesh të shqiptuara në rrethana të ngjashme për vepra të ngjashme. Kolegji i Apelit ka arritur në këtë përfundim duke ndjekur udhëzimet e Kolegjit të Gjykatës Supreme dhe në dritën e rregullit 163 të Rregullores, 60 diapazoni më i butë i dënimeve që duhet të merret parasysh në përputhje me parimin kushtetues të lex mitior dhe nenin 44(2)( b) të Ligjit (i cili, në rastin më të lartë, parashikon 25 vjet burgim), rrethanat specifike të çështjes së Mustafës,dhe vijën e dënimit të shqiptuar në rastet që ka analizuar”, thuhet më tutje.

“Pas përcaktimit të këtyre dënimeve individuale, Kolegji i Apelit konstaton më tej se dënimi i vetëm prej 22 vitesh burgim i shqiptuar nga Kolegji i Apelit është jashtë proporcionit të arsyeshëm në dritën e diapazonit të dënimit të identifikuar, jurisprudencës së analizuar dhe rrethanave specifike të rastit të Mustafës. Rrjedhimisht, Paneli konsideron se një dënim i vetëm prej 15 vitesh burgim, me kreditim për kohën e vuajtur që nga arrestimi i tij më 24 shtator 2020, pasqyron tërësinë e sjelljes kriminale të Mustafës në këtë rast”, përfundon vendimi i Gjykatës së Apelit.

Megjithatë, edhe për dënimin 5 deri në 25 vjet, në Kosovë ka kritika. Kjo pasi në Kosovë asnjë dënim për krime lufte nuk ka qenë mbi 15 vjet.

Kjo bazuar në praktikat ndërkombëtare, merret parasysh ligji më i favorshëm për të akuzuarin. Gjatë tërë kohës në Kosovë, janë marrë parasysh nenet e Kodit Penal të Ish-Jugosllavisë, i cili ka qenë në fuqi kur janë kryer veprat penale. Si rezultat, me këtë kod, nuk mund të kishte dënim mbi 15 vjet për krime të luftës.

Lajme të ngjashme