Pas 24 orësh qëndrimi në EULEX, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu u nisën në Hagë: Çka dihet deri më tash?
Ditën e djeshme u arrestuan. U dërguan në zyret e EULEX-it në Fushë Kosovë, e aty u mbajtën për 24 orë.
As avokatët e as familjarët nuk e lejuan të kenë asnjë kontakt.
Në këtë formë u mbajtën të arrestuar Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu.
Të njëjtit u ndaluan ditën e djeshme nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, si të dyshuar për pengim të drejtësisë.
Pas 24 orë mbajtje në EULEX, të tre u nisën dhe u dërguan në Hagë.
Prezent afër zyreve të EULEX-it ishte Fahri Fazliu, djali i Fadil Fazliut. Ai tha se nuk është lejuar të ketë asnjë kontakt me prindin e tij.
“Mirëmëngjesi bablok jem a je çu a ke pushu? Qëndro i fortë siç dite me qëndru i fortë e stoik edhe kur t’i vrau Serbia dy vëllezërit e tu, Heronjtë e Kombit, Fahri e Bahri Fazliu. Liri të shpejtë për gjithë çlirimtarët!”, ka shkruar ai.
Një reagim e ka pasur edhe Valon Murati, teksa ka publikuar pamjet e nisjes për në Hagë.
“Në Kosovën e lirë duke i çu në Hagë, në gjykim, duke i përshëndet pa i takuar, shtyllat e lirisë së Kosovës. Ballëlartë Fadil Fazliu siç ishe përherë!”, ka shkruar ai.
Ditën e djeshme Prokuroria e Hagës konfirmoi se kanë ndërmarrë disa operacione, megjithatë asnjë detaj tjetër nuk u dha.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftim.
Këto zhvillime nxitën shumë reagime ditën e djeshme. Bastisje pati edhe në shtëpinë e Hajredin Kuçit.
Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Artan Behrami, ka reaguar pas arrestimeve të fundit nga Gjykata Speciale.
Ai ka thënë se ky është fundi i drejtësisë ndërkombëtare, teksa arrestimin e ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakaj, është i paprecedent.
“Në Hagë tashmë është institucioni i Presidentit, Kryeministrit, Kryeparlamentarit, Ministrit të Drejtësisë, AKI-së.” – ka shkruar ai.
Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj aksionit të fundit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ku janë arrestuar disa persona.
Ai ka bërë me dije se ky aksion po zhvillohet një ditë pasi Hashim Thaçi u ngrit në këmbë kundër padrejtësisë në Hagë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Behramaj ka shkruar se Prokuroria e Gjykatës Speciale është shndërruar në Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale.
“Një ditë pasi Hashim Thaçi u ngrit në këmbë kundër padrejtësisë në Hagë, menjëherë në Prishtinë filloi arrestimet Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ky është një persekutim klasik ndaj njerëzve që në formë direkte apo indirekte kanë lidhje me UÇK-në dhe krerët e saj në Hagë. Bashkim Smakaj është ish-ushtar i UÇK-së dhe një hero i heshtur i shtetit të Kosovës. Sot, Prokuroria e Gjykatës Speciale është shndërruar në Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale dhe jo të arrestuarit e saj në Hagë!” ka shkruar Behramaj.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar pas aksionit të sotëm të Gjykatës Speciale.
Ai ka bërë me dije se kjo gjykate po e vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Klinaku ka përmendur emrat që janë arrestuar sot nga kjo gjykate.
“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë. Në media u dha lajmi për arrestimin e Isni Kilajt e Bashkim Smakajt, por sipas informatave që po më vijnë është arrestuar edhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu”, ka shkruar Klinaku.