Pas 15 dëshmitarëve të parë, Gjykata Speciale shkon në pushim deri në gjysmë të gushtit - NACIONALE

Pas 15 dëshmitarëve të parë, Gjykata Speciale shkon në pushim deri në gjysmë të gushtit

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Dhomat e Specializuara të Hagës do të shkojnë në pushimet e verës. Kjo pas dëgjimit të 15 dëshmitarëve të parë në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmitari i 15-të ka pretenduar se pjesëtarë të UÇK-së ia kishin kidnapuar vëllain, për të cilin nuk dihet që nga koha e luftës.

Megjithatë, në ditën e parë të marrjes në pyetje ai shumë deklarata nuk i ka kujtuar, dhe ka thënë që vuan nga diabeti.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe në fillim të seancës ka deklaruar se deri te ky vendim kanë ardhur si rezultat i situatës së djeshme.

Në seancën e së mërkurës dëshmitari në fjalë shpesh herë nuk i ka kuptuar pyetjet që i ka parashtruar ZPS, rreth disa dokumenteve.

Madje, ai ka thënë se ka probleme pasi sipas tij vuan edhe nga diabeti.

“Sa i takon kundërpyetjeve të këtij dëshmitari ne u konsultuam me njëri tjetrin dhe bashkë me kolegët në këtë pikë asnjë nga ekipet e mbrojtjes nuk do t’i bëjë pyetje këtij dëshmitari. Më duhet tu them që ky vendim u morë si rezultat e situatës së djeshme pasi pamë dëshmitarin”, ka deklaruar avokati Kehoe.

Por, për dallim nga mbrojtja, trupi gjykues ka pasur disa pyetje për dëshmitarin i cili pretendon se vëllai i tij ishte ndaluar nga anëtarë të UÇK-së në vitin 1998, në Drenoc.

Prokuroria dje ka lexuar një deklaratë përmbledhëse të këtij dëshmitari.

Në këtë përmbledhje është thënë se në korrik të vitit 1998, dëshmitari me familjen e tij po ktheheshin në shpi nga një ngjarje familjare dhe se gjatë rrugës u ndaluan nga anëtarë të UÇK-së, afër Drenocit.

Tutje thuhet se, ushtarët kishin urdhëruar që njëri prej anëtarëve të familjes të dal nga vetura dhe se dëshmitari kishte parë se anëtari i familjes u nxor nga vetura dhe u fut në një veturë tjerë.

Më tej thuhet se pas tri orësh, UÇK kishte urdhëruar dëshmitarin dhe anëtarët tjerë të vazhdojnë rrugën por anëtari i familjes (vëllai i dëshmitarit) ishte mbajtur nga anëtarët e UÇK-së.

Po ashtu është thënë se gjatë ditëve në vijim, familjarë dhe kushërirë kishin shkuar në Drenoc për të rënë në kontakt me anëtarin e familjes së tyre por se askush se kishte parë atë dhe se kufoma e tij asnjëherë nuk u gjet.

Me përfundimin e kësaj dëshmie, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se procesi gjyqësor do të vazhdojë nga data 14 gusht.

E ish-krerët e UÇK-së seancën gjyqësore e kanë ndjekur nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Deri më tani në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve kanë dëshmuar pesëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, pothuajse të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Dëshmia publike dhe pa masa mbrojtëse ka ardhur vetëm nga ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa si dhe një oficer i ushtrisë britanike i cili ka shërbyer gjatë luftës në Kosovë, në kuadër të misionit të OSBE-së

Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Lajme të ngjashme