Operacioni “Goditja”: 77 revolte të konfiskuara, më shumë se 200 të arrestuar
Policia e Kosovës ka prezantuar statistikat për operacionin “Goditja”, që nisi të zbatohet pas vrasjeve radhazi nëpër vende të ndryshme të Kosovës.
Si rezultat i këtij operacioni, ka pasur mbi 14 mijë patrullime. Mbi 12 mijë e 500 pika kontrolli, janë kontrolluar mbi 72 mijë vetura e 966 lokale.
Numri i personave të arrestuar është 234, janë konfiskuar 77 revole, 13 armë të gjata e mbi 2 mijë e 300 fishekë.
Njoftimi:
Zbatimi i Urdhrit Operativ “GODITJA’ gjatë një muaji
Prishtinë, më 7 shtator 2023
Policia e Kosovës me qëllim të shtimit të masave të sigurisë në pjesët urbane të vendit, në pjesët ku ka prezencë më të madhe të qytetarëve (lokale hoteliere, bare nate, kafiteri etj), ka hartuar dhe zbatuar një urdhër operativ (UO “GODITJA”).
Detyrat që parashiheshin të realizoheshin në zbatim të urdhrit në fjalë janë shtimi i patrullimeve policore, kontrollimi i veturave, lokaleve e personave me qëllim që të gjinden, konfiskohen e procedohen rastet kur ka armëmbajtje pa leje, prishje të rendit e qetësisë publike dhe iniciohen raste tjera penale, përfshirë arrestimin e personave të përfshirë në raste penale.
Që nga 8 gushti 2023, kur ka filluar së zbatuari urdhri në fjalë, e deri më 6 shtator 2023 (një muaj), nga zyrtarë policorë të angazhuar në zbatim të ‘GODITJËS’, janë shënuar aktivitete si më poshtë:
• Numri i patrullimeve në zona urbane: 14417 patrullime,
• Numri i pikave të kontrollit të automjeteve: 12511, prej tyre 3274 me radar ose alkool-test,
• Numri i veturave të kontrolluara: 72386 vetura,
• Numri i lokaleve të kontrolluara: 966 lokale,
• Numri i personave të arrestuar: 234 persona,
• Numri i armëve të zjarrit të konfiskuara: 77 revole, 13 armë të gjata,
• Numri i municionit të konfiskuar: 2376 copë fishekë kalibrash të ndryshëm.
Policia edhe në ditët në vazhdim do të vazhdojë me aktivitete me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, inicimin e rasteve kriminale, arrestimin e personave që bien ndesh me ligjet e vendit.