Objekti i Gjykatës në Kaçanik dyshohet se u dogj qëllimshëm: Dy persona të dyshuar
Gjykata Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje të reja për djegien e objektit të gjykatës në Kaçanik.
Në njoftim thuhet se janë djegur dy zyra.
“Ju informojmë se sot më 13 mars 2024, rreth orës 04:00 të mëngjesit, zjarri ka kapluar një pjesë e dy zyrave të katit të II-të të objektit të Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik”, thuhet në komunikatë.
“Ekipi i zjarrfikësve dhe policia kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes me çka është lokalizuar zjarri, janë ndërmarrë masat e nevojshme dhe zjarri është shuar si dhe kanë zhvilluar procedurat dhe marrjen e provave. Si pasojë e zjarrit ka pas dëme materiale por jo pasoja me njerëz”, theksohet më tutje.
Dyshohet se zjarri është shkaktuar qëllimshëm, dhe të dyshuar janë dy persona.
“Sipas të dhënave të Organeve kompetente dyshohet për zjarrvënie nga persona të panjohur deri më tani”, thuhet në komunikatë.
Detaje për rastin dha më herët edhe Policia e Kosovës.
“Ju njoftojmë se me datën 13.03.2024 rreth orës 03:55 kemi pranuar një informatë se në Objektin e Gjykatës Themelore- dega në Kaçanik ishte një zjarrvënie. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të Zjarrfikësve të cilët rreth orës 04:40 kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin. Si pasojë e këtij incidenti nga zjarri janë dëmtuar dy zyre të kësaj gjykate”, ka thënë ai.
Tutje, ai tha se nga hetimet e para dyshohet se ka të bëjë me zjarrvënie të qëllimshme nga tre persona të panjohur.
“Gjithashtu në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat e stacionit të Kaçanikut e më pas edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonal nga Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët nën autorizim të prokurorit i kanë nisur hetimet intensive. Nga hetimet e para dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie nga 3 persona të panjohur, e që hetuesit policor janë duke grumbulluar informacione në terren në zbardhjen sa më shpejtë të këtij rasti”, ka deklaruar ai.