Avokati i familjes së Marigona Osmanit: Do të kërkojmë dënim maksimal
E PËRDITËSUAR (11:00)
Avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, ka folur pas përfundimit të seancës së parë në Gjykatën Themelore të Ferizajt.
Rexhepi ka thënë se do të kërkojnë dënim maksimal për dy të akuzuarit, raporton Nacionale.”Ne do të kërkojmë dënim maksimal, pastaj aty vendos gjykata”, u shpreh Rexhepi.
“Janë afate ligjore, kanë me u dëgju dëshmitarë, ekspertë. Ata të akuzuarit i patë edhe vet, si me u deklaru të fajshëm si të pafajshëm, janë në gjendje të rëndë”, u shpreh avokati.
“Në lidhje me çështjen e jelekut, ato janë çështje të sigurisë, nuk përzihet avokati”, tha ai.
“Vendimi tash do të jepet në gjykatë”, përfundoi avokati Gazmend Rexhepi.
Krivaça mbrohet në heshtje, Arbër Sejdiu nuk e pranon fajësinë për vrasjen e rëndë të Marigona Osmanit
I akuzuari për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça nuk ka qenë i sigurt të thotë se ndihet fajtor apo i pafajshëm për vrasjen e Marigona Osmanit.
Krivaça është shprehur se nuk e di nëse e ndien veten fajtor apo të pafajshëm.
“Nuk e di nëse ndihem i fajshëm ose i pafajshëm”, ka thënë Krivaça. Por, në këtë moment ka ndërhyrë avokati i tij.
“Ne deklarohemi të pafajshëm”, u shpreh mbrojtësi i Krivaçës.
I pafajshëm është deklaruar edhe i akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu.
“Ndihem i pafajshëm dhe nuk i pranoj veprat penale që më ngarkohen”, u shpreh Sejdiu.
Të akuzuarit në afat prej 30 ditësh, kanë të drejtë ta kundërshtojnë aktakuzën.
Gjykimi për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça qan në seancë
I akuzuari për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça, ka filluar të qajë në seancën e sotme.
Ai ka thënë se nuk është në gjendje të vazhdojë më tutje.
“Nuk jam në gjendje të vazhdoj”, tha ai para trupi gjykues, raporton Nacionale.
Ndryshe ai po akuzohet se bashkë me Arbër Sejdiun e kanë dhunuar e më pas vrarë Marigona Osmanin.
“Nuk jam në gjendje të flas” - Krivaça mbrohet në heshtje për vrasjen e Marigona Osmanit
I akuzuari për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça është mbrojtur në heshtje para Gjykatës në Ferizaj.
I pyetur nga gjykata në lidhje me fajësinë apo pafajësinë, Krivaça është mbrojtur në heshtje, raporton gazeta Nacionale.
“Mbrohem në heshtje pasi që në këto momente nuk jam në gjendje te flas”, ka thënë ai në seancë.
Ai është dërguar në Gjykatë nën masa të rrepta sigurie, dhe i veshur me jelek anti-plumb.
Në Gjykatën e Ferizajt pritet të mbahet seanca fillestare ku Krivaça dhe Arbër Sejdiu akuzohen për dhunim dhe vrasjen e Marigona Osmanit.
Gazetarja e Nacionales, Anita Nikaj, raporton nga seanca se Krivaça është i veshur edhe me jelek anti-plumb, për dallim nga i akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu.
Në detajet nga aktakuza e ngritur, thuhet se më 21 gusht 2021, Dardan Krivaqa në banesën e tij pa pëlqimin e tanimë të ndjerës e detyron atë të kryejë marrëdhënie seksuale.
Detajet e aktakuzës
"Me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar humb aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kryen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup”, thuhej në aktakuzën e siguruar nga Nacionale.
I akuzuari tjetër Arbër Sejdiu, akuzohet se me dashje ka ndihmuar në kryerjen e dhunimit nga ana e Dardan Krivaqës.
“Po ashtu dhe gjatë asaj kohe përcjell gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari, po ashtu edhe disa herë del nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, gjatë gjithë kohës bisedojnë mes vete dhe i jep të pandehurit Dardan Krivaqa telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që është e vendosur në korridorin e banesës me qëllim të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale”, specifkohet më tutje.
Pas kësaj, sipas aktit akuzues me qëllim të fshehjes së veprës penale “Dhunimi”, e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani.
“Në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë, dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerje e ashtit të nofullës së poshtme, thyerje e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty”, thuhet në aktakuzë.