Një grusht, disa buzëqeshje ironike e shumë mimika speciale
Perdët u ngritën. Përderisa Hashim Thaçi me shumë vëmendje po komunikonte me ekipin mbrojtës, Rexhep Selimi u kthye nga galeria e publikut me dorën grusht. Kravata e Jakup Krasniqit nuk rrudhej kur ish-zëdhënësi i UÇK-së përshëndeste me dorën në zemër. Tri herë goditja e çekanit simbolizoi nisjen e seancës. Para kësaj, përshëndetjen për vëllezërit e të tjerët, nuk kishte si ta harronte Hashim Thaçi. Kadri Veselin nuk arrija ta shohë, t’u përkulja nuk mundesha, pasi menjëherë te koka e dija se afrohet ai sigurimi që të thotë “nuk lejohet t’i afrohesh xhamit”.
Shkruan: Besian Beha
Qetësinë e mëngjesit të hershëm në qytetin me mot të ftohtë të hënën, në Hagë, e prishnin vetëm zilet e çiklistëve, kur dikush pa dashje ua bllokonte shiritin e dedikuar për ta. Numri i madh i gazetarëve, kameramanëve, miqve e familjarëve, po u shkaktonte probleme atyre që kanë përparësinë më të madhe në trafikun e Hagës. Ndër të parët që arritën ishin vëllezërit e Hashim Thaçit. Pas tyre, edhe ata të Rexhep Selimit. Kishte bashkëpunëtorë, miq, e mërgimtarë që kishin ardhur nga shtete të ndryshme evropiane, veç për ta përcjellur fundin e procesit gjyqësor në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dhjetëra pjesëmarrës do të renditeshin në radhë. Në derën kryesore të hyrjes, një truproje po shikonte listat se kujt i është aprovuar vendi në galerinë e publikut e kujt jo. U krijua edhe radhë. Radha ishte njëjtë e gjatë edhe brenda, pasi të gjithë ata që mësynë hapësirat e Sepciales, duhet të kalojnë nëpër dy kontrolle, sikur në aeroport. Të heqin jaknet, rripat, apo gjithçka tjetër që e ndez atë alarmin e famshëm. E në mesin e këtyre pjesëmarrësve nuk kishte vetëm gazetarë, familjarë e miq. Dy figura të panjohura që po flisnin mes vete, kuptova se ishin përfaqësues të ambasadave të huaja. Njëri i Sllovenisë e tjetra e Polonisë.
Kur të gjithë po ishin afër të ulen, u ngritën sërish në këmbë. Jo si procedurë për ta pritur trupin gjykues, por për të zbritur sërish poshtë, pasi u njoftua se seanca do të shtyhej për 40 minuta shkaku i problemeve teknike. Sërish kontrolle, sërish procedura e njëjtë.
****
Familjarët e më të afërmit e katër krerëve të UÇK-së, kishin zënë vendet në rendin e parë. Të gjithë e prisnin momentin që pasi të paktën me vizita shumë rrallë, të çmallen me familjarët e tyre nga distanca. Kur perdet u ngritën, salla poshtë ishte e mbushur plotë. Në njërën anë Prokuroria e mbrojtësi i viktimave, e në anën tjetër avokatët. Në mes gjyqtarët, në hapësirën që mënyra e uljes, tregon edhe paanësinë që duhet ta kenë gjyqtarët në vendimin e fundit, e i cili po afron.
Përderisa Hashim Thaçi me shumë vëmendje po komunikonte me ekipin mbrojtës, Rexhep Selimi u kthye nga nga galeria e publikut me dorën grusht. Kravata e Jakup Krasniqit nuk lëvizte kur ish-zëdhënësi i UÇK-së përshëndeste me dorën në zemër. Tri herë goditja e çekanit simbolizoi nisjen e seancës. Para kësaj, përshëndetjen për vëllezërit e të tjerët, nuk e harroi as Hashim Thaçi. Kadri Veselin nuk arrija ta shohë, e përkulja është e vështirë, pasi menjëherë te koka të afrohet ai sigurimi që të thotë nuk lejohet t’i afrohesh xhamit.
Fakti që numri i publikut sipër ishte i madh, siç ndodh rrallë, vëmendja e gjyqtarëve shpesh kalonte te galeria. Kjo përfshirë kryegjyqtarin Smith, e gjyqtarin zviceran Metro. E gjyqtari gjerman Barthe, që ditë më parë u bë lajm për ‘kotjen’ në seancë, edhe pse mëngjes, sërish nuk bëhej ‘rehat’ nga gjumi. Vëmendja ishte te ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit që po e thonin fjalën përfundimtare. E vetmja gjë që ndryshonte në galeri, por edhe poshtë në sallën e gjyqit, ishin pjesëtarët e sigurimit. Sikur ‘sahati i Zvicrës’.
***
Montoninë që e quanin disa, të një seance që po zgjaste, ngjashëm sikur gjithë gjykimi, e thyen për një moment disa batuta mes avokatit të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, e gjyqtarit zviceran Metro. Ndoshta për shkak të bashkëpunimit që të dy kishin dikur si pjesë e mbrojtjes në Tribunalin për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi. “Z.Misetiq po të lë të pushosh pak”, i tha Metro. Vetëm pak minuta më pas vazhdoi me pyetje ndaj tij, por paraprakisht duke e ngacmuar sërish “Z.Misetiq boll pushuat”. Kaq miqësor Misetiq nuk ishte kur tha se pyetjet që po i drejtoheshin atij ishin ‘akademike’. Përderisa diskutimet poshtë vazhdonin, sipër sërish, dëgjoheshin vetëm hapat e pjesëtarëve të sigurimit.
Ishte pikërisht gjyqtari zviceran Metro, që kryesisht përgjatë kohës që mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përgjigje, ai lëvizte mimikat. Mimika ‘speciale’ sikur emri i Gjykatës, apo edhe sikur pyetjet që u kishte bërë ky gjyqtar një pjese të dëshmitarëve. Atë që nuk arrin ta shohësh nga linku i transmetimit të Gjykatës, e sheh shumë më mirë në sallën e Gjykatës. I sheh edhe ato letrat që gjyqtari Barthe ia jepte Smithit, të cilat ky i shoqëronte me pak të qeshura.
Pjesa e publikut nisi të komentonte kur gjyqtari irlandez Guineor, iu drejtua me një numër pyetjesh Prokurorisë. Për ta përmbledhur e shmangur nga gjuha juridike, gjyqtari e sfidoi prokurorin Pache, me pyetje se çka duhet të bënte UÇK-ja me personat që i konsideronte rrezik. A nuk duhej t’i arresonte fare, a duhej t’i gjykonte me sistemin jugosllav. Përgjigja e Paches që “nuk do të duhej t’i ndalonte”, ngjalli edhe pak të qeshura nën zë. Gjyqtarët e tjerë, sërish me mimikat speciale.
***
Pauza e drekës u krye. Shumica u kthyen në galerinë e publikut. Megjithatë, para se të ktheheshin, sërish kontrolle. Dy kontrolle. Ata që e kishin herën e parë ardhjen e tyre në Hagë, sigurisht më vështirë i kuptonin procedurat e kontrollit. Ngjashëm sikur ne, në fillim të këtij procesi. Sërish u ngritën perdet, sërish përshëndetjet e njëjta. Në fakt, Rexhep Selimi, u pa edhe më në disponim. Hapi krahët, e në bazë të asaj që arrita të kuptoj, iu drejtua familjarëve duke thënë “po ku jeni bre burra”. Megjithatë, për këto përshëndetje e diskutime, koha është fare e shkurtër, pak sekonda. Derisa gjyqtarët të hyjnë, e qetësia të kthehet sërish në sallë.
Fjalën e mori prokurori Alan Tieger. Ky i fundit që kishte qenë prokuror edhe në Tribunalin e Hagës. Atje ku Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj dolën të pafajshëm. Tieger theksoi se katër ish-krerët e UÇK-së po e mohojnë rolin që kanë pasur. Përderisa kamera e Speciales ishte tek Tieger, ajo që nuk do të shihej në linkun e transmetimit, është një buzëqeshje ironike e Hashim Thaçit. Ashtu siç kishte bërë disa herë me radhë gjatë kësaj seance, por edhe tjerave, kur regjia e Speciales me dashje apo pa, e vendoste në transmetim. E kështu vazhduan diskutimet, e përballjet e argumenteve. Prokurorët duke insistuar në dënim. 45 vjet! Dyfish më shumë se gjithë liderët ushtarakë të armatës jugosllave.
Perdet brenda u mbyllën. U mbyll edhe një ditë gjykimi. Në fakt nuk ishte një ditë, ishte dita e parafundit e një gjykimi që nisi në vitin 2023, por e një procesi që filloi qysh nga nëntori 2020.
Rruga e çiklistëve sërish po pengohej nga unë e gazetarë të tjerë. Tash në largim e sipër nga objekti i Gjykatës Speciale. Një qytetar që kishte ardhur nga Stutgardi në veturë kishte flamurin e UÇK-së. Në tabela e në bluzën e tij fotografinë e Hashim Thaçit. Zilja e çiklistëve dëgjohej larg, sikur një këmbanë e vendimit ‘special’ për katërshen e UÇK-së, që tashmë duket si një dritë, jo në fund, por shumë afër tunelit.