Ngulfatje e pa ajër - Prokuroria e Prishtinës punon me staf të reduktuar në Pallatin e Drejtësisë - NACIONALE

Ngulfatje e pa ajër - Prokuroria e Prishtinës punon me staf të reduktuar në Pallatin e Drejtësisë

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Nga sot, Prokuroria Themelore dhe ajo e Apelit në Prishtinë do të punojnë me staf të reduktuar. Aty do të punohet vetëm me staf esencial e për lëndë të natyrës urgjente.

Ndonëse është institucioni kryesor i ndjekjes së krimit, konkretisht kriminelëve, e sytë e qytetarëve janë kthyer si asnjëherë më parë nga ky institucion, ky organ ka vendosur që ta zvogëlojnë stafin e të punojnë shumë më pak se deri tash.

Deri te kjo erdhi, pasi në objektin e Prokurorisë, saktësisht në Pallatin e Drejtësisë, ka mungesë të oksigjenit, për shkak se ventilimi i objektit nuk është bërë asnjëherë e dritaret nuk hapen.

Punëtorët aty tash e sa kohë janë përballur me mungesë të kushteve elementare për punë e së fundmi, pasojat në shëndet u bënë gati fatale.

Janë përmendur sulmi në zemër i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore, Kujtim Munishi, komplikime shëndetësore të tjera, si: marramendje, humbje e ndjenjave, frymëmarrje e vështirësuar etj.

Problemi u adresua, puna u zvogëlua

Të gjitha këto u adresuan në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, aty ku u vendos që të punohet vetëm me staf esencial.

Reduktohen esencialisht aktivitetet e punës në Prokurorinë e Apelit dhe atë Themelore të Prishtinës. Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka marrë vendim për reduktimin esencial të aktiviteteve të punës në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës”, njofton Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Ky reduktim në këto dy prokurori vjen si rezultat i gjendjes së rënduar në këtë objekt, si pasojë e mungesës së theksuar të oksigjenit dhe problemeve shëndetësore të shfaqura në baza ditore te prokurorët dhe stafi mbështetës i këtyre dy prokurorive. Me qëllim të realizimit të punëve emergjente, këto dy prokurori do të caktojnë prokurorë dhe staf administrativ për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente dhe veprimet e caktuara sipas afateve ligjore”, thuhet në njoftimin e Këshillit Prokurorial.

Tutje, në njoftim i bëhet thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të gjejë zgjidhje dhe njoftohet se KPK-ja nuk do të mbajë përgjegjësi për paditë eventuale që mund të paraqiten për pasojat shëndetësore gjatë qëndrimit në atë objekt.

Të gjendur para kësaj situate, i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që ta implementojnë sa më shpejt kontratën për hapjen e dritareve në këtë objekt. Deri në realizimin e këtij projekti, prokuroritë e lartcekura do të punojnë sipas planit emergjent. Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk do të mbajë përgjegjësi për kallëzimet penale dhe paditë civile eventuale, që mund të paraqiten lidhur me pasojat shëndetësore të shkaktuara nga qëndrimi në këtë objekt”, thuhet tutje në njoftimin e Këshillit.

Edhe zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj, ka konfirmuar për gazetën Nacionale se nga sot do të punohet vetëm me staf të reduktuar e kjo, sipas Ulajt, do të zgjatë deri në zgjidhjen e problemit.

"Prokuroria është duke vepruar sipas Planit të veprimit (emërgjent), i cili ka rrjedhur nga Vendimi i KPK-së për reduktim esencial të aktiviteteve të punës në Objektin C, konkretisht është duke u punuar me staf të reduktuar, dhe atë duke i realizuar aktivitetet e punës të natyrës urgjente, pra rastet e dhunës në familje, rastet e kujdestarisë, aktivitetete caktuara sipas afateve ligjore, etj.

Puna sipas këtij Plani do të realizohet deri në implementimin e kontratës për hapjen e dritareve në këtë objekt, pra deri në ndërmarrjen e veprimeve konkrete nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi është çështje ekskluzive e këtij digasteri, krejt kjo me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së punonjësve në këtë objektin C të Pallatit të Drejtësisë".

Përgjegjësinë s’e merr askush

Kur u ndërtua objekti, gjatë periudhës 2011 - 2012, ishte planifikuar që kushtet brenda tij të ishin të një standardi evropian, përfshirë këtu edhe klimatizimin e ajrimin, edhe pse dritaret ishin planifikuar të jenë ashtu, të mbyllura.

“Dritaret janë të mbyllura qysh nga moment i projektimit të objektit, por që ka qenë e kontraktuar që ajrimi të jetë në nivel, gjë që s’ka ndodhur asnjëherë”, tregon Burim Neziri nga Këshilli Grevist.

E për rregullimin e ajrimit brenda objektit, si alternativë duket se për një kohë është parë mundësia e hapjes së dritareve, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.

“Në bazë të informacioneve që i kemi me KPK-në dhe KGJK-në, janë nda mjete financiare për hapjen e tenderit për hapjen e dritareve, të cilin tender duhet ta organizojë Ministria e Punëve të Brendshme. Procedurat ndërkohë janë anulu dhe asnjëherë nuk kemi pasë një përgjigje pse kjo ka ndodhë”, shprehet kryetari i Këshillit Grevist.

Gazeta Nacionale ka nisur një shkresë elektronike drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Gjithashtu, përgjigje nga organet kompetente nuk kanë marrë as protestuesit, të cilët protestuan dhe e pyetën MPB-në qysh nga korriku i këtij viti. Ata kanë thënë se ende asnjë përgjigje apo reagim ndaj kësaj situate nuk ka shkuar te ta.

Kujtojmë se Pallati i Drejtësisë ishte një projekt i cili u realizua në bashkëpunim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, e ndërtimi i tij filloi në vitin 2011.

Nuk dihet nëse reagimi i ministrisë do të jetë i shpejtë në lidhje me këtë situatë.

Deri atëherë, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë do të punohet më pak.

Lajme të ngjashme