Nga terrorizëm në huliganizëm: Si u ndryshua kualifkimi i veprës për Dejan Pantiq, që u dënua me 2 vjet burg?
Fillimi i dhjetorit 2022, shënoi një numër sulmesh ndaj objekteve të KQZ-së në veri të vendit, në prag të zgjedhjeve lokale që ishin planifikuar në atë kohë.
Në mesin e organizatorëve e kryesve të këtyre sulmeve ishte edhe Dejan Pantiq.
Ai ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në Jarinjë, si i dyshuar për kryerje të sulmeve terroriste. Arrestimi ishte kryer nga Prokuroria Speciale e Kosovës, dhe ky zhvillim, kishte shkaktuar reagime të mëdha.
Veriu pati protesta, e për 10 ditë barrikada, që të mos lejohet qarkullimi.
Edhe pse Pantiqit i ishte caktuar 1 muaj paraburgim, ai këtë masë nuk e kishte vuajtur, pasi rrugët ishin të bllokuara.
E në fundin e dhjetorit, Pantiqit iu shqiptua masa e arrestit shtëpiak që shkaktoi tjetër reagim të madh nga deputetë e zyrtarë të VV-së në Prishtinë.
Tri vjet pas asaj kohe, sot është shpallur aktgjykimi për rastin e Dejan Pantiqit, Millun Millenkoviq i njohur si Llune, e të tjerë.
Llune dhe Aleksandar Vlajiq u dënuan me nga 5 vjet burg, përderisa Dejan Pantiq me 2 vjet.
Pantiqit iu ndryshua vepra penale nga kryerja e sulmit terrorist, në Pjesëmarrje që ka kryer veprën e huliganizmit. Në dënim atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Kurse, Miomir Vakiq u lirua nga akuza.
Në dhjetor 2023, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për këtë rast, duke e ngarkuar Pantiqin me akuzat për kryerjen e sulmit terrorist.
“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit M.M, A.V, D.P dhe M.V., në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhorë në Mitrovicën e Veriut në rrugën “Kollashinska”, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, të detyrimit të padrejtë të një organi publik në këtë rast KQZ-së, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, për derisa zyrtarët e KQZ-së, së bashku me zyrtarë policorë kanë shkuar për të hapë zyrën, këta të pandehur me persona të tjerë ende të pa identifikuar kanë kryer sulm terrorist duke hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së lartë përmendur”, thuhet në njoftim.
Sipas PSRK-së, me këtë rast, njëra granatë dhe dy shok bombat kanë shpërthyer ku si rezultat i kësaj janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si dhe është rrezikuar seriozisht jeta e zyrtarëve të KQZ-së, dhe zyrtarëve policorë.
E me vendimin final, Gjykata gjeti se Pantiq nuk ka kryer vepër terroriste, por pjesëmarrje në huliganizëm.
Prokuroria Speciale e ka mirëpritur dënimin, megjithatë e ka lënë të hapur mundësinë për ankesë në Gjykatën e Apelit.