Nesër shpallet Aktgjykimi ndaj “Calit” në Hagë, çka duhet të dini për rastin?
Këtë të premte të 16 dhjetorit, pritet shpallja e aktgjykimit ndaj Salih Mustafës, i njohur gjatë luftës me nofkën “Cali”. Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara e ka caktuar orën 9:00 për ta vendosur këtë çështje, ku Salih Mustafa dyshohet për katër vepra penale: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë e vrasje e paligjshme.
Prokurori i Specializuar e akuzon Salih Mustafën për përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në rajonin Gollakut të Kosovës.
Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash dhe qëllimi i përbashkët përfshinte krimet si, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Prokuroria kërkon dënim maksimal
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar dënim maksimal për Salih Mustafën. Prokuroria ka kërkuar dënim prej 35 vitesh burgim për Calin, në lidhje me akuzat për ndalim arbitrar, torturë, trajtim mizor dhe vrasje. Këtë e ka bërë të ditur sot, në seancën ku u dha fjala përfundimtare.
Salih Mustafa dyshohet se këto vepra penale për të cilat akuzohet nga Prokuroria i ka kryer në Qendrën e Ndalimit në fshatin Zllash.
“Gjatësia e masës së dënimit duhet të jetë në përputhje me krimet e bëra nga i akuzuari, pasojat e rënda mbi viktimat, faktorëve fajësues dhe mungesën e faktorëve shfajësuese. Ju keni patur disa pyetje lidhur me cështjen në dosje. Nuk kemi mbuluar këto çështje në masë mëtejshme me përjashtim të pyetjeve tuaja. Pjesa e gjashtë e dosjes përfundimtare diskuton masën e dënimit i cili arrin në maksimum e dënimit me burgim të përjetshëm. Dhe për këtë duhet të marrim parasysh krimet e rënda, rolin e të akuzuarit, praninë e tij në to, praninë e faktorëve rëndues. Krimet janë tejet brutale”, tha prokurori Mihailczuk në seancë.

Tutje, ai ka kërkuar që dënimi të jetë i rreptë.
“Dënimi i tij duhet të pasqyrojë rolin e tij të dyfishtë. Dënimi duhet të jetë i rreptë. Një udhëheqës që abuzonte me rolin e tij. I akuzuari nuk ka shprehur ngushëllime për dëmin e shkaktuar viktimave dhe familjeve të tyre, nuk ka pranuar dhimbjen e viktimave. Të gjitha këta faktorë rëndues, janë të rëndësishëm për përcaktimin e dënimit të tij. Krimet e kryera nga i akuzuari janë të rënda. Sjellja e tij ka qenë serioze, dhe ka pasur pasoja shkatërruese tek viktimat. Mund ta bëni këtë duke vendosur dënime të kërkuara nga ZPS-ja që mendoj se janë plotësisht të përshtatshme”, theksoi prokurori i Hagës.
Çka tha avokati i Salih Mustafës, në fjalën përfundimtare?
Avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone, për dy ditë të tëra, pati tentuar ta bindë Trupin Gjykues në Dhomat e Specializuara të Hagës, se klienti i tij është i pafajshëm. Në fjalët e fundit të thëna në trupin gjykues, Von Bone foli fillimisht për luftën në Kosovë.
Njerëzit ishin të angazhuar për të çliruar vendin e tyre nga një prej regjimeve më shtypëse. Sundimi serb i popullit të Kosovës, i bëri njerëzit të mbështesin luftën për çlirim. Në gjykatë kemi dëgjuar shumë njerëz që i përkisnin UÇK-së dhe BIA-s, asnjëri prej këtyre, nuk ka marrë asnjë formë trajnimi, asnjë lloj rangu. Asnjë shenjë dalluese të posaçme. Në çështjen që jemi kemi dëgjuar persona nga Barileva e vende të tjera, persona të angazhuar për çlirimin e Kosovës. Në mënyrë vullnetare kanë dhënë kontributin e tyre. Këta persona ishin qytetarë që kanë ndihmuar në përpjekjet e luftës, por nuk kanë luajtur asnjë lloj roli ushtarak”, deklaroi avokati i Salih Mustafës.
Julius Von Bone u ndalua më shumë tek kompleksi në Zllash, ku Mustafa u akuzua se ka keqtrajtuar civilë shqiptarë.
“Mund të themi se edhe ndërkohë që personat ishin vullnetarë, ajo strukturë dukej si një organizatë ushtarake. Është keqkuptim i plotë që BIA operonte në Zllash. Njerëz nga BIA mund të kenë qenë atje, por ata asnjë lloj mënyrë nuk kishin kontroll në Zllash. Ata nuk kanë funksionuar në asnjë zonë të veçantë të Zllashit. Nuk kishte asgjë që kërkonte nevojën e tyre. Nuk kishte asnjë lloj operacioni të kryer në Zllash. Shtëpitë në Zllash, Mustafa i vlerësoi si vend i duhur për relaks pas operacioneve që kishin. Njerëzit e BIA-s nuk kishin asnjë pushtet atje”, tha avokati i Mustafës.

Avokati gjithashtu u mundua ta dekonstruktoj termin “Ndërmarrje e përbashkët kriminale” të cilin Dhomat e Specializuara e përdorin.
“Nuk ka pasur asgjë të tillë si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, ku Salih Mustafa ka luajtur ndonjë rol për kryerjen e krimeve të pretenduara. Mustafa nuk ka marrë pjesë në asnjë Ndërmarrje të tillë. Z.Mustafa nuk kishte asnjë njohuri për krimet e aktakuzës. Nga data 1 deri më 19 prill ndoshta mund të ketë qenë pak herë në Zllash, ai nuk ka ndaluar e as torturuar askënd, asnjëherë në atë vend. Ai nuk ka urdhëruar askënd tjetër për ta bërë një gjë të tillë. Nuk ka asnjë provë që ai ka pasur dijeni se gjëra të tilla kanë ndodhur”, theksoi avokati holandez.
Historiku i rastit
Më 24 shtator 2020, Salih Mustafa u arrestua dhe u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Më 28 shtator 2020, bëri paraqitjen e parë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e mëtejshme më 28 tetor 2020, z. Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat e paraqitura në aktakuzë.
Palët, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Mbrojtja dorëzuan (në mënyrë konfidenciale) versionet më të fundit të dosjeve paraprake, përkatësisht më 22 shkurt dhe 6 maj 2021. Më 7 maj 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I.
Tetë viktima morën pjesë në procesin gjyqësor si një grup i vetëm dhe u përfaqësuan në sallën e gjyqit nga mbrojtësja e viktimave.


