Prokuroria Speciale konfirmon arrstimin e Naser Hafizit - NACIONALE

Prokuroria Speciale konfirmon arrstimin e Naser Hafizit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Drejtor i Autoritetit të Pellgjeve Ujore në Ministrinë e Mjedisit, Naser Hafizi, është arrestuar.

Arrestimi i tij ka ndodhur në Aeroport, sapo ai është kthyer nga Gjeneva.

Hafizi dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe shpërlarje të parave.

Lajmi tash është bërë i ditur edhe nga Prokuroria Speciale.

Në anën tjetër, para dy ditësh u arrestua Izedin Bytyqi. Këtij të fundit, Gjykata ia caktoi arrestin shtëpiak.

Prokuroria Speciale me një komunikatë, kishte bërë të ditur se çka ishte gjetur në Ministri.

“Gjatë këtij aksioni, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës kanë realizuar arrestimin e një personi të dyshuar, kurse i dyshuari tjetër nuk është gjetur në vendbanim e tij. I arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.H. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare””, thuhet në komunikatë.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: 1. Një (1) revole e tipit MAUSER-WERKR me dy (2) karikator me nga shtatë (7) fishekë, dhe një kuti me pesëdhjetë e katër (54) fishekë 9 mm. 2. Tridhjetë e katër (34) fletë dokumente të ndryshme. 3. Tre (3) telefona, një (1) IPhone 15 ProMax, një (1) IPhone 12 ProMax, një (1) IPhone 11 ProMax 4. Shtatëmbëdhjetë (17) USB. 5. Tre (3) llaptop HP. 6. Katër (4) shtëpiza kompjuteri si dhe 7. Dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore. Gjithashtu është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë”, thuhet më tutje.

Siç raportoi Nacionales, dyshimet e para janë se bastisja ndërlidhet me raportimin e Albanian Post për ambalazhuesit e ujit.

Mediumi "Albanian Post" javë më parë raportonte se Ministria kishte shlyer borxhe për firma të ndryshme në mënyrë të dyshimtë, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm mbi 10 milionë euro.

Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e Kosovës përmes një komunikate për media konfirmoi aksionin, ku mes tjerash, theksoi se janë dy persona të dyshuar për tri vepra penale të ndryshme.

"Ju informoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në MMPHI. Janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga neni 414 i KPK-së, shpërlarjes së parasë nga neni 302 i KPK-së dhe veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë i pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga neni 430, paragrafi 2 i KPK-së.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Në lidhje me këtë, Liburn Aliu kishte folur në Kuvendin e Kosovës. Madje, ai kishte mohuar këto akuza duke thënë se nuk ka vendim për falje të borxheve.

“Në lidhje me borxhin e kompanive që ambalazhojnë, unë vetëm dua të them kështu: Nuk ka asnjë vendim për falje të asnjë borxhi, qysh njëjtë nuk ka asnjë vendim i cili e përcakton borxhin milionësh çfarë pretendohet. Çka ka, ka pagesa të rregullta, normale qysh kanë qenë në cilëndo prej qeverive sipas raportimeve të kompanive për sasinë e ujit të shitur që e kanë pas. Për kompani të cilat nuk kanë raportu dhe supozohet se kanë borxhe, në cilëndo prej qeverive më herët ka pasur një lloj kalkulimi të një borxhi të supozuar në bazë të udhëzimit administrativ që thotë me marr sasinë maksimale të ujit që shfrytëzohet. Kjo është në shpërputhje me vetë këtë udhëzim administrativ ku thotë këtu shumë qartë, thotë: Të gjithë ambalazhuesit të ujit mineral apo të pijshëm paguajnë 0.009 euro për litër të shitur, pra thuhet për litër të shitur. Sasia e shitur që shesin kompanitë nuk mund të përcaktohet as me ujëmatës, as nuk mund të përcaktohet nga sasia maksimale që ata e marrin ujin. Pra se sa ata shesin duhet me përcaktu në mënyra tjera ose me raportim të tyre.” – ishte shprehur ai.

Lajme të ngjashme