Ministrja Artane Rizvanolli shkon për t’u intervistuar në Prokurorinë Speciale
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka shkuar për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Nacionale ka siguruar pamje teksa ministrja Rizvanolli futet në objektin e Prokurorisë Speciale.
Nuk dihen arsyet për këtë intervistim të Rizvanollit, megjithatë e njëjta ishte përmendur në disa mesazhe të ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Nacionale ka mësuar se intervistimi i Rizvanollit po bëhet për hetimet e tjera që rëndojnë mbi Nagip Krasniqin.
Krasniqi po akuzohet për keqpërdorim të detyrës dhe korrupsion.
Ndaj Krasniqit hetimet po vazhdojnë edhe për një aktakuzë tjetër, për të cilën ishte intervistuar edhe Dejona Mihali.
Sipas një dispozitivi të aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com, Nagip Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.
“..ashtu që me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji” – thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, këto veprime i mundësonin kompanisë nga Sllovenia “Holding Slovenske Elektrane” – HSE tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës,
Mes tjerash, në këtë dispozitiv theksohet se të njëjtit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore duke dëmtuar buxhetin e shtetit të Kosovës në vlerë prej 531.920.79 euro.
“..dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Republikës së Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 Euro, dëmtimin apo diskriminimin e operatorëve tjerë ekonomik konkurrent që operonin në tregun e Kosovës e që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore si shkaktimin e dëmit material Korporatës Energjetike të Kosovës në shkallë të madhe apo në vlerë prej 3,229,905.00 Euro” – vijon tutje.
Përveç Rizvanollit, nga pushteti ishin intervistuar për raste të tjera edhe ministrja Rozeta Hajdari për rezervat shtetërore, zv/ministri Hysen Durmishi për rrugën Prishtinë-Podujevë e ambasadori Martin Berishaj për shpërlarje parash.