Mekanizmi për mbikëqyrjen e Gjykatës Speciale: Fushatë apo plan konkret?
I pari që foli për krijimin e një mekanizmi mbikëqyrës për Gjykatën Speciale ishte kryetari i Kuvendit. Pas tij, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Përderisa kryekuvendari Konjufca propozimin e tij e dha pas kthimit nga vizita në Hagë, ministrja e Drejtësisë zgjodhi ta përsërisë të njëjtën deklaratë, pak kohë para zgjedhjeve.
Kjo ka shtuar dyshimet se deklaratat e Haxhiut janë më shumë fushatë parazgjedhore se një plan apo ide konkrete.
Kështu deklaroi me një komunikatë për media edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
“Një muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe para përfundimit të mandatit, ministrja e Drejtësisë kërkoi të formohet një Mekanizëm vendor a ndërkombëtar për monitorim ndonëse nuk ka lënë gurë pa lëvizur t’ua bëjë jetën sa më të rëndë dhe t’ua pakësojë mundësitë për një mbrojtje efektive. KMDLNj thekson se këto janë deklarata mashtruese, për përdorim të brendshëm, për përfitime politike dhe blerje të votave” thuhet në reagim.
“KMDLNj shpreson se përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës do të jetë më e përgjegjshme, profesionalisht dhe institucionalisht duke amandamentuar Ligjin për Gjykatën Speciale duke kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe afatizim të punës ose, që do të konsiderohej e përgjegjshme dhe minimalisht e ndershme të deklarojë botërisht se kjo Gjykatë nuk është, me asgjë e Kosovës”, thuhet më tutje.
Glauk Konjufca pas kthimit nga Haga ku kishte takuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim ka thënë se Gjykata Speciale ka nevojë për një mekanizëm kontrolli.
“Mënyra se si po funksionon kjo gjykatë me thënë të drejtën është një gjykatë absolutiste, kjo gjykatë nuk i jep llogari kurrkujt, kështu nuk ka kurrkund në botë, mos m’i dhënë llogari kurrkujt, ajo për të cilën mendoj që kjo gjykatë për të qenë e ndershme për të qenë gjykatë në përputhje me drejtësinë, për të qenë gjykatë e drejtësisë e jo gjykatë e politikës, ka nevojë për një mekanizëm të kontrollit, ka nevojë për një mekanizëm të llogaridhënies e ky mekanizëm i llogaridhënies nuk po shihet askund në horizont, bashkësia ndërkombëtare nuk po themelon këtë mekanizëm të kontrollit ndaj Gjykatës Speciale, Kosova nuk e ka kurrfarë mekanizmi që e kontrollon dhe ndaj të cilit jep llogari gjykata speciale pro në anën tjetër Kuvendi është themelues i kësaj gjykate”, deklaronte Konjufca.
“Ajo gjykatë është aq e varur sa nuk m’u duk fare e Kosovës që është. Kjo është sfidë e e popullit të Kosovës dhe duhet të jemi bashkë”, kishte thënë Konjufca.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës po e mendon formimin e një mekanizmi për mbikëqyrjen e Gjykatës Speciale.
Ajo ka vlerësuar se ky mekanizëm mund të jetë ndërkombëtarë apo vendor.
Në një intervistë për “Kosovapress”, Haxhiu ka thënë se mekanizmi në fjalë synon mbikëqyrjen e Dhomave të Specializuara në aspektin e të drejtave të personave të akuzuar.
Ajo ka treguar se ekzekutivi deri me tani disa herë ka diskutuar për këtë çështje, por ende nuk janë pajtuar konkretisht,
“Kemi diskutuar brenda nesh si institucione në raport me kërkesat që të ketë një organizëm, një mekanizëm që mbikëqyrë punën e Gjykatës Speciale. Nuk është që ka pasur pajtime se kush do të jetë mekanizmi, si do të krijohet mekanizmi, a do të jetë ndërkombëtar apo vendor. Kjo është në kuadër të kompetencave të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka vlerësuar se në këto diskutime janë shfaqur mendime të ndryshme.
“Edhe përkundër faktit që kemi diskutuar, jemi takuar shumë shpesh, ka mendime të ndryshme, prandaj derisa nuk kemi një mendim të përbashkuar ose unifikues mendoj se duhet ta diskutojmë sërish. Është e rëndësishme që të ketë një mekanizëm që mbikëqyrë të paktën të drejtat e personave që po akuzohen, anshmërinë e gjykatës dhe rrethanat e tjera dhe rrethanat tjera që lidhen me punën e gjykatës”, ka thënë ajo.
Kur Konjufca kishte përmendur këtë mekanizëm, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, kishte thënë se një gjë e tillë është e pamundur.
“Sa i përket, lexova dhe e kam përcjell gjithashtu deklaratën e zotit Konjufca, kryetarin e Parlamentit, më duhet të shpreh pikëpamjen time, ne jemi gjykatë, asnjë gjykatë nuk mund të jetë në mbikëqyrje që vjen nga legjislativ apo degë ekzekutive, kjo nuk është e mundur”, kishte thënë Trendafilova gjatë një takimi përmes platformës “Zoom”, me shoqërinë civile, ku pjesëmarrës kishte edhe gazetarë.